Njoftim Dt. 20 Janar 2017

Njoftohen te gjithe avokatet anëtarë të Dhomës Kombëtare të Avokatisë, të cilët shprehin interesin për të kandiduar në organet e qeverisjes të sistemit të drejtësisë, sikurse janë KLGJ dhe KLP, në përputhje me kërkesat e nenit 19 dhe 117 të ligjit  nr. 115/2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, të plotësojnë dhe të dorëzojnë përpara institucionit të Avokatit të Popullit dokumentacionin e nevojshëm ligjor për këtë qëllim.
Avokatët që kandidojnë për pozicionin e anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe atë të anëtarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë duhet të plotësojnë kushtet e mëposhtme:


a) të jenë shtetas shqiptarë;
b) të kenë përfunduar ciklin e dytë të studimeve universitare për drejtësi, me diplomë “Master i shkencave”, ose diplomë të njësuar me të, ose studimet
universitare për drejtësi jashtë shtetit dhe të kenë marrë një diplomë të njësuar, sipas rregullave për njësimin e diplomave, të parashikuar me ligj;
c) të jenë avokatë të licencuar sipas ligjit;
ç) të kenë shlyer rregullisht të gjitha detyrimet tatimore dhe financiare ndaj Dhomës së Avokatisë;
d) të kenë jo më pak se 15 vjet përvojë pune në profesion si jurist, nga të cilat të paktën 10 vitet e fundit të kenë ushtruar profesionin e avokatit pa dërprerje;
dh) të jenë licencuar për të ushtruar profesionin pranë Gjykatës së Lartë dhe/ose Gjykatës Kushtetuese, sipas parashikimeve të ligjit “Për profesionin e avokatit”;
e) të mos kenë masë disiplinore në fuqi;
ë) të mos kenë qenë dënuar më parë me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale;
f) të mos kenë mbajtur gjatë 10 viteve të fundit funksione politike në administratën publike ose pozicione drejtuese në partitë politike;
g) të mos kenë qenë anëtarë,bashkëpunëtorë ose të favorizuar të ish-sigurimit të Shtetit para 2 korrikut 1991, në kuptimin e ligjit “Për të drejtën e nformimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”;
gj) të mos jenë bashkëpunëtorë, informatorë ose agjentë të shërbimeve të inteligjencës;
h) në kohën e kandidimit, të mos kenë asnjë anëtar të familjes, sipas kuptimit të ligjit “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, si dhe të afërm të shkallës së parë që është anëtar në detyrë i Këshillit ose kandidat për anëtar;
i) të mos jenë larguar nga detyra të mëparshme si gjyqtar, prokuror ose oficer i Policisë Gjyqësore me masë disiplinore;
j) të mos jenë kandidatë të propozuar nga trupa e pedagogëve të fakulteteve të drejtësisë dhe Shkollës së Magjistraturës, si dhe nga shoqëria civile.
4. Avokatët që mbajnë pozicione drejtuese në dhomat e avokatisë ose në organet drejtuese të grupeve të interesit, të tilla si shoqata, grupime dhe sindikata avokatësh, japin dorëheqjen nga këto pozicione drejtuese nëse zgjidhen anëtarë të Këshillit të Larte gjyqësor.
Avokatët e interesuar shprehin interesin e tyre përmes një kërkese me shkrim drejtuar Avokatit të Popullit, ose në rrugë elektronike në adresën postare të këtij institucioni
Bashkë me kërkesën me shkrim, të interesuarit duhet të bashkëngjisin dokumentet e mëposhtme:

a) jetëshkrimin e përditësuar;
b) një platformë personale të qëllimeve dhe objektivave që propozojnë të ndjekin nëse zgjidhen;
c) formularin e vetëdeklarimit, sipas kërkesave të ligjit “Për integritetin e personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”;
ç) një deklaratë përkundrejt përgjegjësisë ligjore që nuk kanë qenë anëtarë, bashkëpunëtorë ose të favorizuar të ish-Sigurimit të Shtetit para 2 korrikut të vitit 1991;
d) një deklaratë përkundrejt përgjegjësisë ligjore se nuk janë bashkëpunëtorë, informatorë ose agjentë të shërbimeve sekrete;
dh) dokumente konfirmuese nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë, që vërtetojnë se kandidati plotëson kushtet e parashikuara në shkronjat
“c” deri në “e”, të nenit 19, të këtij ligji;
e) çdo dokument tjetër që vërteton plotësimin e kushteve ligjore të parashikuara në nenin 19 të këtij ligji.

Ky njoftim bëhet në plotësim të kërkesave të parashikuara në nenin 20 dhe 118 të ligjit nr. 115/2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.

Dhoma Kombëtare e Avokatisë