Rregullore për Zgjedhjet

 

REGULLORE PËR ZGJEDHJET

 

Ne zbatim te nenit 19 të ligjit 9109 date 17/07/2003, të ndryshuar dhe vendimit te Keshillit te Pergjithshem te Dh.K.A. të muajit Korrik 2016 si  dhe bazuar ne afatet e ushtrimit te mandatit te te zgjedhurve ne dhomat e avokatisë sipas nenit 26 e në vijim të  të statutit, Keshilli Përgjithshëm i Dh.K.A. nxjer kete regullore.

Zgjedhjet ne dhomat e avokatise do te zhvillohen ne periudhen  Tetor 2016- Mars 2017 sipas programit te hartuar dhe miratuar per kete qellim.

Zgjedhjet e Tiranës do të zhvillohen nën kujdesin, monitorimin dhe përgjegjësinë e Dhomës Kombëtare të Avokatisë.

Zgjedhjet ne strukturat drejtuese do te synojne zgjedhjen e organeve drejtuese, mbi parimin e konkurueshmerisë, ndrshmërisë dhe transparencës.

 

Për përcaktimin e kritereve, procedurave dhe mënyrës së organizimit  dhe të votimit, mblidhet KP i  dhomës së avokatisë Tiranë, i cili bazuar në vendimin e KP të DHKA për këtë qëllim, vendos sa më sipër.

Mbledhja e KP të dhomës Avokatisë Tiranë organizohet jo më shpejt se 30 ditë kalendarike nga organizimi i zgjedhjeve.

 

I.                  FAZAT PË ORGANIZIMIN E ZGJEDHJEVE

 

Zgjedhjet për organet drejtuese te dhomës avokatisë Tiranë organizohen në dy faza,

 

Ø Faza e parë, ka për qëllim zgjedhjen për anëtarë të KP të dhomës së avokatisë Tiranë;

Ø Faza e dytë, KP i dhomës së avokatisë Tiranë i dalë nga raundi i parë zgjedh organet drejtuese sikurse janë :

1.     Kryetari i dhomës avokatisë;

2.     Zv.kryetari i dhomës avokatisë;

3.     Sekretari i përgjithshëm i dhomës avokatisë;

4.     Këshilli Drejtues i dhomës avokatisë Tiranë;

5.     Përfaqësuesit e dhomës avokatisë Tiranë për në KP të DHKA të Shqipërisë.

 

II.               KOMISIONI ZGJEDHOR

Për të siguruar mbarëvajtjen e zgjedhjeve të dhomës avokatisë Tiranë, KP i kësaj dhome zgjedh nëpërmjet votimit të fshehtë në mbledhjen e posaçme të organizuar për këtë qëllim Komisionin Zgjedhor, i cili përbëhet prej 5 anëtarë. Anëtarët e Komisionit Zgjedhor duhet të garantojnë një proces sa më të regullt dhe në përputhje të plotë me regullat e caktuara nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë. Kandidatët që rezultojnë fitues nuk mund të kandidojnë për anëtar të KP të dhomës avokatisë Tiranë. Përzgjedhja e anëtarëve të komisionit bëhet nga një listë e propozuar nga anëtarët e KP të dhomës prej të paktën dyfishi i numurit të anëtarëve të Komisionit. Plotësimi i vakancës së anëtarit të Komisionit bëhet automatikisht nga kandidati që renditet i gjashti në listën e fituesve që rezulton nga votimi, e kështu me rradhë.

Në mbledhjen e tij të parë Komisioni zgjedh kryetarin, zv.kryetarin dhe sekretarin e komisionit.

Vendimet e Komisionit të votimit bëhen në mbledhjet e këtij të fundit, në prezencën e të paktën 2/3 të tij. Vendimet merren me shumicën e thjeshtë të anëtarëve prezentë. Kundër vendimit të komisionit mund të ushtrohet ankim pranë Këshillit Drejtues të DHKA. Vendimi i Këshillit Drejtues është përfundimtar.

Komisioni zgjedhor ka seline e vet ne ambientet e DHKA dhe ushtron detyrat e veta kundrejt pagesës. Veprimtaria e Komisionit Zgjedhor shtrihet deri ne nxjerrjen e rezultatit perfundimtar të zgjedhjeve për anëtarë të KP të dhomës së avokatisë Tiranë.

Komisioni zgjedhor vendor mbështetet në logjistikë dhe asistencë nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë.

Kryetari i DHKA është autoriteti i vetëm përfaqësues i cili përgjigjet për mirëfunksionimin e Komisionit Zgjedhor.

 

III.           PËRCAKTIMI I PËRBËRJES SË ORGANEVE DREJTUESE

 

Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës Avokatisë Tiranë do të ketë në përbërje të vet 50 avokatë, të cilët do të përzgjidhen nëpërmjet votimit të fshehtë sipas parimit një anëtar një votë nga anëtarësia e dhomës avokatisë Tiranë, sipas një ndarje në tre fasha përfaqësimi, si më poshtë:

·        25 përfaqësues, ose 50 % e totalit të anëtarëve të KP të dhomës do të përzgjidhen nga lista e kandidatëve që plotësojnë kriterin e përfaqësimit në të gjitha shkallët e gjyqësorit, ç’ka presupozon të jenë anëtarë të avokatisë me një eksperiencë profesionale mbi 10 vjet;

·        10 përfaqësues, ose 20 % e totalit të anëtarëve të KP të dhomës do të përzgjidhen nga lista e kandidatëve që plotësojnë kriterin e përfaqësimit vetëm në dy shkallët e gjyqësorit, ç’ka presupozon të jenë anëtarë të avokatisë me një eksperiencë profesionale më pak se 10 vjet;

·         15 përfaqësues, ose 30 % e totalit të anëtarëve të KP të dhomës do të përzgjidhen nga lista e kandidatëve që plotësojnë kriterin për barazinë gjinore dhe përfshirjen e kandidateve femra në këto organe;

 

IV.            KRITERET E CAKTIMIT TË KANDIDATËVE

 

Kandidimi sipas ndarjes së mesipërme është pa kufizime në numur dhe kriteret bazë për kandidim do të jenë :

 

v Të kenë paguar kontributin e anëtarësisë për vitin 2016;

v Të jenë regjistruar pranë QKB dhe të kenë status aktiv të subjektit të tyre;

v Të jenë të punësuar sipas legjislacionit të fushës në një zyrë avokatie e licensuar si e tillë dhe e njohur nga DHKA.

 

V.               MËNYRA E ORGANIZIMIT TË ZGJEDHJEVE

 

Procesi zgjedhor konsiderohet i filluar nga momenti i kostituimit të Komisionit Zgjedhor.

 

1. Fillimi procedurave të votimit

Komisioni Zgjedhor i votimit shpall për këtë qëllim në faqen zyrtare të DHKA fillimin e procedurave zgjedhore, ku ndër të tjera ka për detyrë të sqarojë anëtarët në lidhje me sa përcaktohet në këtë regullore dhe njëkohësisht të ftojë ata të kandidojnë sipas ndarjes së përcaktuar në këtë regullore. Veçanërisht shpallja e Komisionit duhet të përmbajë të dhëna në lidhje me datën e zhvillimit të zgjedhjeve, vendin ku do të zhvillohen zgjedhjet, mënyrën dhe dokumentacionin e nevojshëm për kandidim, mënyrën e votimit, e drejta për kandidim dhe votim, si dhe procedura të tjera që lidhen me procesin zgjedhor.

 

2. Mbledhja e kandidaturave

Grumbullimi i kandidaturave është faza e parë e procesit të votimit për zgjedhjet e anëtarëve të KP të dhomës avokatisë Tiranë. Nëpërmjet plotësimit të një formulari të posacëm, avokatët që plotësojnë kriteret sipas kësaj regullore, ftohen të shprehin interesin për kandidim, duke e depozituar atë pranë Komisionit zgjedhor Tiranë. Formulari kërkon të dhëna në lidhje me identitetin e avokatit që do të kandidojë, regjistrimin pranë DHKA dhe organit tatimor, gjendjen gjyqësore dhe masat disiplinore në ngarkim të tij si dhe fasha e kandidimit. Afati përfundimtar i mbledhjes së kandidatuarve është caktuar dita e Premte, datë 17 Shkurt 2017, ora 16.00.

Komisioni Zgjedhor pasi grumbullon kandidaturat bën grupimin sipas fashave të votimit të përcaktuar në këtë regullore dhe shpall listat e kandidatëve.

Shpallja e listave të kandidatëve bëhet në faqen zyrtare të internetit të DHKA.

 

3. Hartimi i listave të votimit

Hartimi i listës së votimit është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e organeve drejtuese të Dhomës Kombëtare të Avokatisë. Për këtë qëllim Kryetari i DHKASH ngarkon personat përgjegjës që do të merren me këtë proces shumë të rëndësishëm dhe monitoron mbarëvajtjen e procesit nga pikpamja administrative.

Përcaktimi i listës së anëtarëve të dhomës që kanë të drejtë për kandidim dhe votim, bëhet mbi bazën e kritereve të përcaktuara nga KP i DHKA. Për këtë qëllim, nga regjistri themeltar i avokatëve pranë DHKA hartohet lista e  avokatëve që kanë paguar kontributin e anëtarësisë për vitin 2016. Paralelisht me këtë kërkohet zyrtarisht nga organet kompetente lista e avokatëve që janë regjistruar në organin tatimor si dhe lista e avokatëve të atashuar pranë zyrave (studio) të avokatisë, të punësuar sipas legjislacionit shqiptar për këtë qëllim, sipas subjekteve fizik ose juridik. Po kështu pjesë e listave do të jenë edhe të gjithë ata avokatë të cilët janë pjesë e zyrave apo studiove të avokatisë dhe kanë mardhënie punësimi sipas legjislacionit Shqiptar në fuqi. Përcaktimi i listës së kësaj kategorie bëhet duke u orientuar nga dy kritere kryesore, të jenë të regjistruar sipas legjislacionit Shqiptar në fushën e punësimit dhe të paguhet kontributi i sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore nga ana e subjektit, sipas regullave të përcaktuara në legjislacionin përkatës. Listat për këtë kategori depozitohen nga ana e titullarit të subjektit dhe në rast se ka deklarime të pavërteta, deklaruesi do të mbajë përgjegjësi disiplinore dhe do ti nënshtrohet procesit disiplinor  përpara Komitetit të Disiplinës që operon si strukturë e posaçme pranë DHKA.

Pasi sigurohen listat e përcaktuara si më lart, bëhet kryqëzimi i emrave të përcaktuara në këto dy lista, duke rakorduar me kriteret e përcaktuara në këtë regullore. Në përfundim të këtij procesi hartohet lista përfundimtare e anëtarëve me të drejtë vote. Kjo listë shpallet në faqen zyrtare dhka.org.al dhe të gjithë avokatët që kanë pretendime në lidhje me listën përfundimtare të shpallur, duhet të paraqiten pranë Komisionit Zgjedhor për të kërkuar plotësimin e mangësive dhe regullimin e gabimeve të konstatuara. Njëzetekatër orë përpara fillimit të zgjedhjeve listat e korigjuara marrin karakter përfundimtar dhe nuk lejohet më ndërhyrje në shtimin ose pakësimin e emrave të caktuar.

E njëjta procedurë ndiqet edhe për korigjimin e listës së kandidaturave të grumbulluara.  

Listat e votimit, së bashku me infrastrukturën ndihmëse të votimit, i dorëzohen Komisionit të Zgjedhjeve jo më vonë se dy orë përpara fillimit të votimit.

4. Fleta e votimit

Procesi i votimit konsiston në përgatitjen e votimit në tre fletë, ku në secilën prej tyre do të jenë të shkruajtura emrat e kandidatëve sipas fashave të përcaktuara në këtë regullore. Në secilën prej këtyre fletëve do të gjenden të listuara sipas rendit alfabetik emrat e kandidatëve që kanë shprehur interes sipas nivelit të përfaqësimit të përcaktuar në kapitullin III të kësaj regullore. Fletët do të kenë ngjyra të ndryshme për efekt dallimi nga njera tjetra.

Edhe listat e votimit janë pjesë e materialit zgjedhor dhe i dorëzohen Komisionit sipas regullit të përcaktuar në pikën 4.

 

5. Mënyra e votimit

Votimi i kandidaturave të grumbulluara sipas procedurës së mësipërme do të zhvillohet në një ditë të vetme, pa debat, nëpërmjet votimit të fshehtë sipas parimit një anëtar një votë. Dita e votimit është caktuar dita e Shtunë, datë 25 Shkurt 2017. Votimi do të zhvillohet në një qendër të vetme me disa dhoma votimi të fshehta, ku të garantohet votimi i lirë dhe i pavarur. Qendra e votimit do të hapet në orën 08.00 të kësaj date dhe do të mbyllet në orën 17.00 të po kësaj date, sipas regullit të shtyrjes së orarit të votimit deri sa jashtë qendrës së votimit të mos ketë asnjë antar me të drejtë vote që nuk ka votuar dhe shpreh interesin për një gjë të tillë. Në një rast të tillë mbyllja e kutisë së votimit do të shtyhet deri në përfundimin e votimit të anëtarit të fundit me të drejtë vote që gjendet në qendrën e votimit. Çdo votues do të pajiset me të tre fletët e votimit dhe do përzgjedhë nëpërmjet vendosjes së një shënje të vecantë në krah të kandidatëve që dëshiron të votojë, jo më shumë se një numur të barabartë me numurin e caktuar të anëtarëve të KP të dhomës avokatisë Tiranë sipas niveleve të përcaktuara në kapitullin III të regullores. Numuri i kandidatëve për të cilët do të votohet sipas fashave është 26 anëtarë nga lista e kandidatëve me të drejtë përfaqësimi në të tre shkallët e gjyqësorit, 10 anëtarë nga lista e kandidatëve me të drejtë përfaqësimi dy shkallët e gjyqësorit dhe 16 anëtare nga lista e kandidatëve femra. Pasi përfundon votimi, fleta paloset dhe hidhet në secilën prej kutive të vendosura për këtë qëllim.

 

6. Procedurat e mbylljes dhe numurimit të votimit

Me përfundimin e procedurave të votimit sipas afatit dhe regullit të përcaktuar në pikën 5 të kësaj regullore, kryetari i Komisionit verifikon nëse ka prezencë votuesish në sallën e votimit dhe nëse konstatohet mungesa e prezencës, deklaron përfundimin e procesit të votimit.

Në këtë moment vulosen kutitë e votimit dhe transportohen ato në selinë e Dhomës Kombëtare të Avokatisë. Me mbritjen në këto ambiente, Komisioni bën zbrasjen e kutive dhe fillon plotësimin e procesverbalit të votimit. Proces verbali i votimit përmban të dhëna në lidhje me zhvillimin, përfundimin, numurimin dhe shpalljen e fituesve. Ai është procesverbal tip dhe është miratuar nga organet drejtuese të DHKASH.

Procesi i numurimit fillon në mënyrë të menjëhershme dhe është i pandërprerë deri në shpalljen përfundimtare të rezultateve të votimit.

Gjatë procesit të numurimit të votave nuk lejohet të afrohen në vendin e numurimit asnjë person i pa autorizuar nga kjo regullore.

 

7. Rendi dhe qetësia gjatë procesit të votimit dhe numurimit të votave.

Gjatë procesit të votimit dhe numurimit të votave lejohet të ketë prezencë të avokatëve të interesuar, të cilët janë të detyruar të respektojnë regullat e përcaktuara në këtë regullore.

Gjatë votimit nuk lejohet nga asnjë prej personave prezentë që ndjekin procesin e votimit të flasin me zë të lartë dhe tu bëjnë thirrje avokatëve që drejtohen në kutitë e votimit për të votuar persona të caktuar. Kryetari i Komisionit kur konstaton një veprim të tillë, merr masat për largimin përgjithmonë nga salla të personit që kryen një veprim të tillë, duke ju drejtuar personelit të sigurisë që do të jetë prezent për garantimin e një procesi të regullt zgjedhor.

Nëse Kryetari i Komisionit vlerëson se veprimet e avokatit janë kryer ndjeshëm në kundërshtim me regullin e përgjithshëm dhe se është cenuar procesi i votimit, ai ka të drejtë që përveç largimit nga salla, ti drejtohet Komitetit të Disiplinës pranë Dhomës Kombëtare të Avokatisë për të shqyrtuar sjelljen e avokatit dhe marrjen e masave disiplinore në ngarkim të tij.

Po kështu gjatë procesit të numurimit të votave, në vartësi të hapësirave në dispozicion, mund të lejohet një prezencë e avokatëve që kanë kandiduar, të cilët edhe në këtë rast nuk duhet të komunikojnë me antarët e Komisionit pasi do të jenë subjekt i sanksioneve të përcaktuar më sipër.

8. Shpallja e rezultateve dhe ankimimi.

Pasi përfundon numurimi i votave dhe renditja e kandidatëve sipas votave të fituara, Komisioni shpall kandidatët fitues sipas rendit të votave të fituara. Këtij mekanizmi i nënshtrohen të gjithë kandidatët pjesëmarrës në votim, pavarësisht nëse janë fitues apo jo, për shkak të plotësimit të vakancës në çdo rast të mundshëm.

Rezultatet e shpallura hidhen në procesverbalin e votimit, në fund të të cilit ka një rubrikë spiguese, ku secili prej antarëve të Komisionit ka të drejtë të shprehë mendimet e veta në lidhje me parregullsitë e konstatuara prej tij gjatë procesit të votimit.

Rezultatet e votimit bëhen publike, duke i shpallur ato në ambientet e Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhe në faqen zyrtare të internetit dhka.org.al.

Kandidatët që kanë pretendime në lidhje me rezultatet e votimit kanë të drejtën e ankimimit pranë Komisionit të votimit, dyzetetetë orë pas shpalljes së këtij rezultati në faqen e internetit.

Kryetari i Komisionit të Votimit, pasi njihet me kërkesën ankimore të depozituar pranë tij mbledh Komisionin në lidhje me trajtimin e mëtejshëm të kërkesës. Vendimi merret me shumicën e thjeshtë të anëtarëve të emëruar të Komisionit.

Në rast se e vlerëson të arsyeshme kërkesën, ai ja përcjell Kryetarit të DHKA brenda njëzetekatër orëve nga afati përfundimtar i paraqitjes së ankimimit, të parashikuar në këtë regullore. Ky i fundit brenda dyzetetetë orëve mbledh Këshillin Drejtues të DHKA dhe shqyrton kërkesën. Vendimi i marrë i kthehet palës ankimuese dhe Komisionit menjëherë.

Vendimi i Komitetit Drejtues është i formës së prerë dhe përfundimtar.

 

VI.            DISPOZITA  PERFUNDIMTARE

Kjo regullore është e vlefshme vetëm për organizimin e zgjedhjeve të dhomës së avokatisë Tiranë, të datës 25 Shkurt 2017.

Efektet e saj hyjnë në fuqi prej datës 13 Janar 2017, ditë në të cilën janë miratuar regullat dhe kriteret për organizimin e zgjedhjeve nga ana e KP të Dhomës Kombëtare të Avokatisë

 

Miratuar me vendim të Këshillit Drejtues të Dhomës Kombëtare të Avokatisë, datë 27 Tetor 2016.

 

KËSHILLI DREJTUES I DHKASH

K R Y E T A R I

Prof.Dr. Maksim R. HAXHIA