Për dispozitat zbatuese të ligjit nr. 92/2014, “për tatimin mbi vlerën e shtuar në republikën e shqipërisë"

Dhoma Kombëtare e Avokatisë bën me dije të gjithë avokatët antarë të saj se, në datën 18.07.2017 Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë  shqyrtoi në seancë gjyqësore Rekursin me palë paditëse Dhoma Kombëtare e Avokatisë dhe palë e paditur Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, me objekt shfuqizimin e pjesshëm të aktit normativ nënligjor, VKM nr 953 datë 29.12.2014  “Për dispozitat zbatuese të ligjit nr. 92/2014, “për tatimin mbi vlerën e shtuar në republikën e shqipërisë”

i ndryshuar, pikën 2 të nenit 11 përsa i përket profesionit avokat, në lidhje me vendosjen e kufirit minimal të regjistrimit për TVSH, sipas të cilit avokatët detyrohen të llogarisin, të deklarojnë dhe të paguajnë TVSH në vleftën 20% të çmimit të shërbimit të kryer, pavarësisht xhiros vjetore të realizuar. Kjo xhiro vjetore për bizneset në tërësi llogaritet në nivelin e qarkullimit prej 5 milion lekë, ndërkohë që për avokatët, në mënyrë krejtësisht absurde, ky nivel ishte caktuar në kufirin 0 lekë. Kjo praktikisht do të thotë që për çdo shërbim të ofruar nga ana e avokatit duhej të llogaritej dhe paguhej TVSH në masën 20% të shërbimit të ofruar.

Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vendosi pranimin e rekursit të Dhomës Kombëtare të Avokatisë, duke konfirmuar vërtetësinë e përpjekjeve tona prej një kohe shumë të gjatë për këtë qëllim, ç’ka do të thotë që pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi, detyrimit për llogaritjen dhe pagesën e TVSH i nënshtrohen vetëm ata avokatë apo zyra avokatie, niveli i xhiros vjetore të të cilëve e kalon shumën e 5 milion lekë të reja në vit. Të gjithë avokatët e tjerë nën këtë nivel xhiro vjetore nuk kanë detyrim të jenë subjekt i pagesës së TVSH, që do të thotë nuk kanë detyrim të llogarisin 20% për efekt pagese TVSH dhe shërbimi i tyre nuk do të faturohet nëpërmjet faturës me TVSH por me faturë të thjeshtë tatimore.

Duke përfituar nga rasti, ju bëjmë thirrje të gjithë avokatëve të konsultohen me specialistë të fushës tatimore ose pranë Dhomës Kombëtare të Avokatisë, për mënyrën e operimit të mëtejshëm dhe të mardhënieve të reja me administratën tatimore. 

Këshilli Drejtues i DHKA