PARIMET E PERGJITHSHME

PARIMET E PERGJITHSHME :

    • PAVARESIA E AVOKATIT :
          Neni 1

       

      • Avokati është i pavarur në ushtrimin e profesionit të tij. Për të siguruar pavarësinë avokati duhet të jetë i lirë nga cdo ndikim që mund të lindë nga interesat e tij personale ose nga presioni i jashtem.

      Neni 2

      • Avokati në ushtrimin e profesionit vepron në përputhje me ligjin, Statutin, Kodin e Etikës dhe interesat e ligjshme të klientit duke i ofruar atij shërbimet profesionale të mbështetura në gjykimin e tij më të mirë.

      Neni 3

      • Pavarësia e avokatit është aq e nevojshme për të besuar në procesin e drejtësisë sa edhe paanshmëria e gjygjtarit. Avokati duhet të shmangë cdo cënim të pavarësisë së tij dhe të mos kompromentojë standartet profesionale për të kënaqur klientin, gjykatën apo të tretët.

      DINJITETI I PROFESIONIT :

      Neni 4

    • Avokati gjithnjë duhet të ruajë dinjitetin e profesionit. Avokati detyrimisht mban të ekspozuara në zyrën e tij.
      • Certifikaten e titullit “Avokat”.
      • Flamurin shqiptar dhe atë të Dhomës Kombëtare të Avokatëve në tavolinën e punës .
      • Tarifen minimum të shpërblimit të punës së avokatit.

Avokati nuk duhet të bëjë deklarata fyese ose përbuzëse për aktivitetin apo vendimet e gjykatave apo autoriteteve të tjera.

      Avokati duhet të nxisë edhe klientin që të sillet me respekt ndaj gjykates apo autoriteteve te tjera.
      Për të ruajtur reputacionin e mirë të vetes dhe Dhomës së Avokatëve, avokati nuk duhet të tolerojë sjellje jo korrekte dhe me mungesë respekti nga ana e gjykates dhe kujtdo tjetër kundrejt vetë avokatit, asistentit, nxënësit apo klientit. Kultura e përgjithshme dhe ajo juridike e avokatit duhet të manifestohet në cdo moment gjatë ushtrimit të profesionit, në paraqitjen e tij, në fjalët që mban dhe në mardhëniet që krijon me këdo.
      Avokati paraqitet ne procesin e gjykimit me kartën e identitetit për cdo vit dhe uniformën e avokatit.Avokati nuk mund të përfshihet në veprime që kanë të bëjnë me pandershmërine apo keq përfaqesimin. Avokati, në praktikë dhe në jetën e tij private, duhet të qëndrojë larg cdo sjelljeje, e cila mund të zhvlerësojë emrin e mirë të profesionit.

PERKUSHTIMI DHE AFTESITE :

        Neni 5

 

    • Avokati në cdo kohë duhet të veprojë me përkushtim dhe gatishmëri kur përfaqëson një klient.

Neni 6

    • Avokati ka për detyrë t’u shërbejë interesave të klientit në mënyrën më efikase të mundur.

Neni 7

    • Avokati duhet të ofrojë përfaqësim cilësor të klientit. Aftësia përfshin njohuritë ligjore dhe aftësitë profesionale të cilat janë të nevojshme në cdo rast konkret.

Neni 8

    • Avokati nuk duhet të trajtojë një cështje për të cilën ai nuk ka aftësitë e nevojshme pervec se kur bashkëpunon me një avokat i cili është kompetent për ta trajtuar atë.

Neni 9

    • Avokati ka për detyrë të zhvillojë aftësitë e tij nëpërmjet përgatitjes së vazhduar profesionale.

VEPRIMTARI DHE PUNESIME TE PAPAJTUESHME :

        Neni 10

 

    • Me qëllim kryerjen e funksioneve të tij me pavarësinë e duhur dhe në një mënyrë të pajtueshme me detyrën e tij për të marrë pjesë në administrimin e drejtësisë, avokati duhet të përjashtohet nga disa veprimtari. Llojet dhe numri i këtyre veprimtarive përcaktohen në Ligjin Nr. 9109 date 17.7.2003 “Për Profesionin e Avokatit në Republikën e Shqipërisë”. Një avokat që punon më vete ose në partneritet nuk duhet të përfshihet në asnjë veprimtari tjetër nëse, duke vepruar kështu mund të cënohet pavarësia.

Neni 11

    • Avokatit i ndalohet të formojë ortakeri me një person që nuk është avokat në rast se veprimtaria e ortakerisë përbëhet nga ushtrimi i avokatisë.

Neni 12

    • Avokati nuk duhet të ndihmojë një jo avokat për të ushtruar një profesion jo të autorizuar.

Neni 13

    • Avokati ose zyra e avokatisë nuk ndan tarifa ligjore me një person që nuk është jurist. Avokati nuk mund t’i kerkojë, pranojë apo paguajë një avokati tjetër, ose një personi tjeter tarifë apo cdo lloj tjetër shpërblimi për dergimin apo rekomandimin e një klienti.

KONFIDENCIALITETI :

        Neni 14

 

    • Konfidencialiteti që buron nga ligji dhe normat e etikës profesionale është e drejtë, detyrim dhe garanci për avokatin. Avokatit për shkak të informacionit të vecante që merr nga klienti në kushtet e mirëbesimit nuk i lejohet të shkelë kërkesat e Nenit 9 të Ligjit “Për Ushtrimin e Profesionit të Avokatit në Republikën e Shqipërisë”

Neni 15

  • Avokati duhet të ruaje konfidencialitetin e të gjithë informacionit të dhënë nga klienti i tij ose të marrë prej tij, rreth këtij klienti ose të tjerëve, gjatë kryerjes së shërbimeve për klientin. Detyrimi për ruajtjen e konfidencialitetit nuk është i kufizuar në kohë. Avokati duhet t’iu kërkojë ortakëve dhe stafit të tij dhe gjithkujt tjetër të angazhuar prej tij gjatë ofrimit të shërbimeve profesionale të ruajnë konfidencialitetin. Detyrimi i konfidencialitetit nuk shkelet kur:
    • Avokati informon një person të cilit ai është duke i deleguar detyrat individuale për shërbime ligjore mbi ecurinë e cështjes në fjalë, me kusht që edhe një person i tillë t’i nënshtrohet detyrimit të konfidencialitetit.
    • Tregon konfidenca ose sekrete me pëlqimin e klientit ose të klientëve në fjalë, por vetëm pasi t’ua tregojë plotësisht atyre këtë gjë.
    • Tregon konfidenca ose sekrete të nevojshme për të caktuar ose marrë pagesen e avokatit ose për të mbrojtur avokatin ose nëpunësit e tij ose ortakët kundër një akuze për sjellje të gabuar.