Kreu 1: Pjesa e pergjithshme

Neni 1
Avokatia në Republikën e Shqipërisë është profesion i lirë, i pavarur, i vetërregulluar dhe i vetëdrejtuar.

Neni 2
Avokati jep ndihmë juridike nëpërmjet:

  • Këshillimit ligjor për cështje të ndryshme;
  • Përgatitjes së kërkesëpadive ose të kërkesave gjatë procedimit penal, si dhe të kërkesave ankimore, rekurseve kundër vendimeve gjyqësore, atyre të organit të prokurorisë, arbitrazhit ose të organeve të administratës publike;
  • Përgatitjes së kërkesave drejtuar Gjykatës së Apelit, Gjykatës Kushtetuese, gjykatave ndërkombëtare dhe cdo organizmi në të cilin aderon Republika e Shqipërisë
  • Përgatitjes së ankesave dhe kërkesave të personave fizikë ose juridikë
  • Përpilimit të akteve që i nënshtrohen veprimeve noteriale;
  • Hartimit të kontratave e të marrëveshjeve, si dhe të cdo dokumenti tjetër që sjell ose synon të sjellë pasoja juridike;
  • Pranisë si mbrojtës në kohën e shoqërimit, ndalimit, arrestimit, gjatë procesit të hetimit, shqyrtimit gjyqësor të personave në cështjet penale;
  • Përfaqësimit të personave fizikë ose juridikë në cështjet civile dhe administrative, në gjykatë, në arbitrazh dhe në organe të tjera të administratës publike;
  • Veprimeve të tjera të ndihmës juridike që parashikohen në ligj.

Neni 3
(ndryshuar pika 1 me ligjin nr.9795, date 23.7.2007)

Avokati ushtron profesionin e tij individualisht ose në bashkëpunim me avokatë të tjerë, pasi është pajisur me lejen e ushtrimit të profesionit dhe është regjistruar në organet tatimore.
Avokatët mund të organizohen në zyra avokatie, të cilat regjistrohen në organet tatimore.
Avokati nuk mund të jetë anëtar i më shumë se një zyre avokatie.

Neni 4
Avokati, gjatë ushtrimit të profesionit të tij, nuk mund të jetë, njëkohësisht, gjyqtar, prokuror, noter, nëpunës civil ose punonjës i administratës publike.

Neni 5
(Shtuar parag. II ne pike 1 me ligjin nr. Nr.9795, datë 23.7.2007)

Avokati mund ta ushtrojë profesionin e tij në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe përpara cdo gjykate, prokurorie ose organi të administratës publike.
Në cdo rast, avokati, në ushtrimin e profesionit, identifikohet me numrin e lejes së ushtrimit të profesionit, si dhe kodin fiskal të tij apo të zyrës së avokatisë ku bën pjesë.
Avokati mund ta ushtrojë profesionin e tij edhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, në përputhje me ligjin e shtetit ku jepet ndihma juridike.