Kreu II: Te drejtat dhe detyrat e avokatit

Neni 6

  • Avokati, në funksion të ushtrimit të profesionit të tij, ka të drejtë të kërkojë nga institucionet e administratës publike, në përputhje me ligjin, shpjegime, të dhëna dhe dokumente, që kanë lidhje me cështjen ose personin që përfaqësohet ose mbrohet prej tij.
  • Institucionet e administratës publike, sipas kompetencës dhe procedurave ligjore që rregullojnë veprimtarinë e tyre, janë të detyruara të përmbushin kërkesat e avokatit.
  • Në rast të mospërmbushjes së detyrimit të institucioneve të administratës publike ose nga entet e tjera jopublike, avokati ka të drejtë të paraqesë brenda 5 ditëve në gjykatë kërkesën për realizimin e detyrimit nëpërmjet një vendimi gjyqësor.

Neni 7

  • Avokati ka të drejtë të takojë personin e mbrojtur prej tij, në mënyrë private dhe pa kufizim kohor, në cdo gjendje të kufizimit të lirisë personale. Organet kompetente kanë të drejtë të mbikëqyrin takimin ndërmjet avokatit dhe personit të mbrojtur, por, në cdo rast, u ndalohet të dëgjojnë bashkëbisedimin ndërmjet tyre.
  • Organi i prokurorisë, gjykata, administrata e burgjeve dhe Policia e Shtetit janë të detyruara të sigurojnë praninë e avokatit, kur këtë e kërkon personi i mbrojtur prej tij, i ndaluar, i arrestuar ose që është duke vuajtur dënimin. Në të gjitha rastet, prania e avokatit duhet të sigurohet menjëherë.
  • Avokati nuk ka të drejtë t’i kërkojë dhe t’i ofrojë ndihmë juridike një personi të ndaluar ose të arrestuar, pa kërkesën e këtij të fundit.

Neni 8
Avokati ka të drejtë, në përputhje me procedurat hetimore, të marrë pjesë në proces, të pyesë personin e mbrojtur prej tij, dëshmitarët dhe ekspertët, të lexojë dhe të njohë në përfundim të hetimit të gjitha aktet e dokumentet, që janë të lidhura me cështjen dhe t’ i nënshkruajë ato.

Neni 9

  • Avokati ka për detyrë ta ushtrojë profesionin e vet me ndershmëri dhe dinjitet, të respektojë rregullat e etikës profesionale dhe të përdorë të gjitha mjetet e ligjshme për mbrojtjen me besnikëri të të drejtave dhe të interesave të personave që mbrohen ose përfaqësohen prej tij.
  • Avokati duhet të sigurojë që asnjë konflikt interesash nuk ekziston ndërmjet tij dhe personit që mbron ose përfaqëson.
  • Avokatit i ndalohet të bëjë publike të dhënat, që i ka mësuar nëpërmjet personit të mbrojtur ose të përfaqësuar prej tij ose nga dokumentet që ky i fundit i ka vënë në dispozicion, në funksion të mbrojtjes së kërkuar, me përjashtim të rastit kur ai ka dhënë miratimin e tij me shkrim.
  • Avokatit i ndalohet të bëjë kallëzim në organin e ndjekjes penale dhe nuk mund të pyetet si dëshmitar për personin, të cilit i ka kryer shërbime dhe ndihmë juridike, si dhe për rrethana që ai i ka mësuar gjatë ushtrimit të profesionit të avokatit.
  • Avokatit i ndalohet të marrë pjesë në një cështje, kur ai ka qenë i ngarkuar më parë në të si gjykatës, prokuror, oficer i Policisë Gjyqësore ose si dëshmitar.
  • Avokati nuk lejohet të japë ndihmë ligjore ose të përfaqësojë një person, kur ka këshilluar ose ka përfaqësuar më parë palën kundërshtare në të njëjtën cështje, ose kur avokati ka lidhje gjaku apo ka interes të njëjtë me palën kundërshtare.
  • Avokatët, që shërbejnë në të njëjtën zyrë avokatie, nuk lejohen të përfaqësojnë palët kundërshtare në të njëjtën cështje.
  • Avokatët, që ushtrojnë profesionin e tyre pranë së njëjtës zyrë avokatie, prezumohet se janë në dijeni dhe zotërojnë dokumentet për këdo që është mbrojtur apo përfaqësuar nga zyra e tyre.
  • Përvec rasteve të parashikuara më sipër në këtë nen, avokati është i detyruar të sigurohet se nuk vepron në konflikt me interesat e personit që mbrohet ose përfaqësohet prej tij. Kur avokati dyshon se është duke vepruar në konflikt interesash, ai duhet të marrë miratimin me shkrim nga palët, të cilat mendohet se preken nga ky konflikt interesash.

Neni 10
Avokatët, në përputhje me dokumentacionin standard, të miratuar nga Këshilli Drejtues i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, duhet të mbajnë një libër shënimesh ku shënohen të gjitha shërbimet ligjore të dhëna, kontratat, me shkrim, duke përdorur sistemin numerik, emrin e tij, si dhe emrin e zyrës së avokatisë.

Neni 11

      Shpërblimi i avokatit për punën e kryer caktohet në një nga mënyrat e mëposhtme:

 

  • Me marrëveshje ndërmjet tij dhe palës së mbrojtjur ose të përfaqësuar prej tij.
  • Nga gjykata ose prokuroria, kur ai është caktuar kryesisht ose kur personi i mbrojtur ose i përfaqësuar nuk ka mundësi financiare dhe ndihma ligjore për të është falas.
    Masa e shpërblimit për këto raste përcaktohet me vendim të përbashkët të Ministrit të Drejtësisë dhe Këshillit Drejtues të Dhomës Kombëtare të Avokatisë.
  • Me ligj.
    Në të gjitha rastet, avokatit nuk i lejohet të marrë shpërblim tjetër.

Neni 12

  • Avokati nuk mund të kërkojë nga personi që mbron ose përfaqëson, që të shpërblehet prej tij me përqindje gjatë procesit të gjykimit.
  • Shpërblimi me përqindje, i parallogaritur ose jo, mund të paguhet vetëm kur është parashikuar në marrëveshjen ndërmjet avokatit dhe personit që ai mbron ose përfaqëson, për rastin mbrojtjes apo përfaqësimit të suksesshëm të cështjes.
  • Avokatit i lejohet të paguhet me komision në rastet kur siguron kthimin e huasë për personin që mbrohet ose përfaqësohet prej tij jogjyqësisht.

Neni 13

  • Nëse avokati vendos të heqë dorë nga përfaqësimi ose mbrojtja e mëtejshme e një personi, është i detyruar ta njoftojë atë 15 ditë përpara mbarimit të shërbimit nga ana e tij.
  • Avokati është i detyruar t’i shërbejë klientit të tij gjatë periudhës 15-ditore para mbarimit të shërbimit dhe t’i njoftojë atij cdo të dhënë për cdo shumë parash, prona apo kompensim që avokati mban për klientin.
  • Brenda 15 ditëve nga dhënia e njoftimit, avokati duhet t’i kthejë klientit të gjitha dokumentet e lidhura me cështjen ose t’i dërgojë ato në adresën e treguar nga avokati i ngarkuar rishtas. Gjithashtu, avokati është i detyruar t’i kthejë klientit parapagimin që ka marrë prej tij, përvec kur, bashkërisht, merren vesh ndryshe.

Neni 14
Nëse personi, që përfiton ndihmën juridike nga avokati, vendos të zgjidhë kontratën përpara përfundimit të cështjes ose shërbimit, avokati ka të drejtën të kërkojë shpërblimin për punën e kryer.

Neni 15
Avokati ka të drejtë të transferohet nga një dhomë në një dhomë tjetër avokatie, për sa kohë që paguan kontributet përkatëse të anëtarësisë. Në këtë rast ai duhet të marrë një miratim, si nga dhoma që largohet, ashtu edhe nga dhoma ku ai dëshiron të bëhet anëtar.

Neni 16

  • Avokati, kryesisht apo për shkak të ligjit, duhet të heqë dorë përkohësisht nga ushtrimi i profesionit të tij, për aq kohë sa është në marrëdhënie pune me administratën publike.
  • Për të gjitha rastet e treguara në pikën 1 të këtij neni, avokati duhet të njoftojë me shkrim dhomën e avokatëve ku bën pjesë.
  • Në rast të ndërprerjes së ushtrimit të profesionit të avokatit për arsye të moshës ose shëndetit, nëse nuk ushtron një veprimtari tjetër, avokati ka të drejtë të jetë anëtar i dhomës së avokatisë, si dhe të marrë pjesë në veprimtaritë që organizohen prej saj.