KREU III ORGANET DREJTUESE DHE KOMPETENCAT E DHOMES KOMBETARE TE AVOKATISE DHE TE DHOMAVE TE AVOKATISE

Neni 17

  • Dhoma Kombëtare e Avokatisë është person juridik, që ushtron veprimtarinë e saj në mënyrë të pavarur nga shteti.
  • Dhoma Kombëtare e Avokatisë përgjigjet për rregullimin dhe kontrollin e ushtrimit të profesionit të avokatit në Republikën e Shqipërisë.
  • Rregullat e hollësishme të organizimit dhe funksionimit të Dhomës Kombëtare të Avokatisë parashikohen në statutin e saj.
  • Dhoma Kombëtare e Avokatisë është përgjegjëse për themelimin e dhomave të avokatisë. Numri minimal i avokatëve, që mund të formojnë një dhomë avokatie, caktohet në Statutin e Dhomës Kombëtare të Avokatisë.
  • Cdo avokat mund të jetë anëtar vetëm i një dhome avokatie. Cdo dhomë është e përbërë nga avokatë, të cilët janë anëtarë të saj dhe që praktikojnë ose kanë praktikuar për herë të fundit profesionin e avokatit në juridiksionin e saj.
  • Cdo dhomë avokatie ushtron veprimtarinë e saj në mënyrë të pavarur, duke respektuar rregullat e parashikuara në ligj dhe në statutin e vendimet e tjera, të miratuara nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë.

Neni 18
Organet drejtuese të Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhe të dhomave të avokatisë janë, përkatësisht, Këshilli i Përgjithshëm dhe Këshilli Drejtues.

Neni 19

  • Organi më i lartë i përfaqësimit dhe vendimmarrjes së Dhomës Kombëtare të Avokatisë është Këshilli i Përgjithshëm.
  • Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës Kombëtare të Avokatisë përbëhet nga jo më pak se një përfaqësues i zgjedhur për këtë qëllim nga cdo dhomë avokatie, sipas statutit.
  • Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës Kombëtare të Avokatisë ushtron këto kompetenca:
    • Miraton Statutin e Dhomës Kombëtare të Avokatisë
    • Miraton “Kodin e etikës së avokatit”;
    • Përcakton, duke u bazuar në kriterin e vjetërsisë në profesionin e avokatit, të aftësive profesionale të treguara dhe në edukimin profesional e akademik të posacëm dhe pas konsultimeve me Ministrin e Drejtësisë, listën e avokatëve që mund të ushtrojnë profesionin e tyre përpara gjykatave të shkallës së parë dhe të apelit, si dhe në Gjykatën e Lartë dhe në Gjykatën Kushtetuese. Kriteret më të hollësishme për këtë përzgjedhje përcaktohen në Statutin e Dhomës Kombëtare të Avokatisë
    • Zgjedh jo më pak se 5 anëtarë të saj në Këshillin Drejtues të Dhomës Kombëtare të Avokatisë;
    • Cakton kontributin që derdhin dhomat e avokatisë në Dhomën Kombëtare të Avokatisë;
    • Shqyrton dhe miraton llogaritë vjetore dhe buxhetin e Dhomës Kombëtare të Avokatisë
    • Analizon veprimtarinë e dhomave të avokatisë, nëse ajo është në përputhje me këtë ligj dhe me Statutin e Dhomës Kombëtare të Avokatisë
    • Ndihmon e bashkërendon veprimtaritë e dhomave të avokatisë, në mënyrë që të garantojë mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të avokatëve, si dhe të dhomave të avokatisë
    • Miraton rregullat e përgjithshme për zhvillimin e provimit të kualifikimit për ushtrimin e profesionit të avokatit;
    • miraton rregullat dhe kushtet që duhet të përmbushen nga asistentët në periudhën e stazhit për avokat, si dhe për trajnimin profesional të tyre.
  • Vendimet e Këshillit të Përgjithshëm të Dhomës Kombëtare të Avokatisë, për miratimin e akteve të parashikuara në shkronjat “a”, “b” dhe “c” të pikës 3 të këtij neni, quhen të miratuara kur për to kanë votuar jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij.

Neni 20

  • Këshilli Drejtues i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, në mbledhjen e tij të parë, zgjedh me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve Kryetarin, Zëvendëskryetarin dhe Sekretarin e Përgjithshëm të tij.
  • Rregulla më të hollësishme për organizmin dhe funksionimin e administratës mbështetëse të Këshillit Drejtues, caktohen në statut.
  • Këshilli Drejtues i Dhomës Kombëtare të Avokatisë ushtron këto kompetenca:
    • Thërret Këshillin e Përgjithshëm të Dhomës Kombëtare të Avokatisë;
    • Përgatit Statutin e Dhomës Kombëtare të Avokatisë;
    • Përgatit “Kodin e etikës së avokatit”;
    • Përfaqëson Dhomën Kombëtare të Avokatisë në marrëdhënie më të tretët, sipas rregullave të caktuara në statut;
    • Përgatit llogaritë vjetore për shqyrtim dhe miratim nga Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës Kombëtare të Avokatisë;
    • Shqyrton dhe miraton kërkesat për lejimin e ushtrimit të profesionit të avokatisë;
    • Revokon me ose pa afat, ose heq lejen për ushtrimin e profesionit të avokatit, në përputhje me ligjin dhe Statutin e Dhomës Kombëtare të Avokatisë;
    • merr masa për ndjekjen e vazhdueshme të zbatimit të vendimeve të marra nga Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës Kombëtare të Avokatisë.

Neni 21

      Këshilli i përgjithshëm i cdo dhome avokatie ka këto kompetenca:

 

  • Zgjedh përfaqësues të saj në Këshillin e Përgjithshëm të Dhomës Kombëtare të Avokatisë, në përputhje me numrin maksimal të pjesëmarrjes, të vendosur nga kjo e fundit.
  • Zgjedh anëtarët e Këshillit Drejtues, kryetarin dhe sekretarin e dhomës.
  • Shqyrton dhe analizon ecurinë në punë dhe trajnimin profesional të avokatëve dhe të asistentëve, që bëjnë pjesë në dhomën e avokatisë.
  • Promovon tek anëtarët e saj mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të njeriut dhe të lirive themelore, të ligjit, statutit dhe “Kodit të etikës së avokatit”.
  • Përfaqëson dhe mbron interesat e anëtarëve të saj.
  • Shqyrton dhe nëse cmon, miraton vendimet e marra nga Këshilli Drejtues i dhomës së avokatisë.
  • Mban regjistrin e anëtarëve, që ushtrojnë apo kanë ushtruar profesionin e avokatit në atë juridiksion, si dhe njofton Dhomën Kombëtare të Avokatisë dhe Ministrinë e Drejtësisë për cdo ndryshim në përbërjen e saj.

Neni 22

      Këshilli Drejtues i dhomës së avokatisë ushtron këto kompetenca:

 

  • Thërret mbledhjen e përgjithshme të dhomës së avokatisë.
  • përgatit cdo vit llogaritë vjetore, për shqyrtim dhe miratim nga Këshilli i Përgjithshëm.
  • Trajton cdo kërkesë për anëtarësi dhe, nëse cmon, i rekomandon Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhënien e lejes së ushtrimit të profesionit të avokatit.
  • shqyrton dhe miraton statutin e zyrave të avokatisë, që vendosen në juridiksionin e saj, kur cmon përputhshmërinë e tij me ligjin dhe rregullat e miratuara nga Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës Kombëtare të Avokatisë.
  • Cakton, me pëlqimin e tyre, avokatin apo zyrën e avokatisë, ku stazhieri do të përmbushë detyrimet e tij.
  • Cakton avokat për të ndjekur cështjet gjyqësore, kur i kërkohet nga gjykata.
  • Cakton një avokat, që të marrë përsipër cështje, të cilat janë braktisur nga një avokat i mëparshëm dhe klienti nuk ka mundur të gjejë një tjetër.
  • Shqyrton ankesat kundër asistentëve të avokatëve, që ushtrojnë profesionin në juridiksionin e vet, si dhe merr masa disiplinore që i cmon të përshtatshme, në përputhje me ligjin, “Kodin e etikës së avokatit” dhe të statutit të vetë dhomës së avokatisë.
  • Përmbush detyra të tjera të parashikuara në statutin e dhomës së avokatisë apo i që i caktohen nga Këshilli i Përgjithshëm i saj.

Neni 23

  • Dhoma mund të hapë llogari bankare në një bankë, që është e licencuar të ushtrojë biznes bankar në Republikën e Shqipërisë, për të mbajtur paratë e klientëve të ndryshëm të avokatëve anëtarë të dhomës, si garanci bankare për cështje që parashikojnë pagesa të mëdha.
  • Tërheqja e shumave nga ajo llogari duhet të kryhet me dy firma, njëra nga të cilat duhet të jetë nga kryetari, zëvendëskryetari ose sekretari i përgjithshëm i dhomës dhe firma tjetër duhet të jetë nga klienti përkatës. Interesi bankar i përfituar nga ky operacion duhet t’i kalojë dhomës.