KREU V: KUSHTET PER USHTRIMIN E PROFESIONIT TE AVOKATIT

KREU V
KUSHTET PER USHTRIMIN E PROFESIONIT TE AVOKATIT

Neni 25
(shtuar shkronja “ë” me ligjin nr.9795, datë 23.7.2007)

      Profesionin e avokatit në Republikën e Shqipërisë mund ta ushtrojë cdo shtetas shqiptar që plotëson kushtet e mëposhtme:

 

  • Të ketë kryer arsimin e lartë juridik brenda vendit ose jashtë vendit, por të njësuar me të.
  • Të jetë regjistruar në një dhomë avokatie dhe në Ministrinë e Drejtësisë si asistent pranë një avokati, të ketë përfunduar periudhën njëvjecare të stazhit dhe të ketë marrë mendimin pozitiv të avokatit.
  • Të ketë marrë më shumë se 50 për qind të pikëve në provimin e kualifikimit për ushtrimin e profesionit të avokatisë.
  • Të gëzojë integritet moral dhe qytetar, për të mbrojtur të drejtat e njeriut dhe liritë themelore, si dhe të plotësojë kërkesat e etikës për ushtrimin e profesionit të avokatit.
  • Të mos jetë dënuar për vepra penale të kryera me dashje, sipas parashikimeve të “Kodit të etikës së avokatit”.
  • Të mos jetë pjesëmarrës në marrëdhënie apo veprimtari publike ose private, të cilat, sipas ligjit, Statutit të Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhe “Kodit të etikës së avokatit”, janë të papajtueshme ose të papërshtatshme me figurën dhe ushtrimin e profesionit të avokatit.
  • Të jetë anëtar i dhomës së avokatisë në juridiksionin e së cilës ndodhet zyra e tij e punës.
  • Të jetë pajisur me lejen e ushtrimit të profesionit të avokatit dhe të jetë regjistruar në organet tatimore.

Neni 26

  • Provimi i kualifikimit për ushtrimin e profesionit të avokatit zhvillohet përpara një komisioni me këtë përbërje:
    • Tre anëtarë të caktuar nga Këshilli Drejtues i Dhomës Kombëtare të Avokatisë.
    • Një anëtar i caktuar nga Ministri i Drejtësisë.
    • Një anëtar i caktuar ndërmjet punonjësve akademikë të Shkollës së Magjistraturës.
  • Rregullat e funksionimit, numri i kandidatëve për avokat, si dhe mënyra se si do të zhvillohet provimi, vendosen rast pas rasti nga Këshilli Drejtues i Dhomës së Avokatisë.

Neni 27

  • Këshilli Drejtues i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, kryesisht ose mbi kërkesën e personit që kërkon të ushtrojë profesionin e avokatit, ka të drejtë që ta përjashtojë nga detyrimi i pjesëmarrjes në provimin e kualifikimit, nëse për këtë vendoset me shumicën e votave të fshehta të të gjithë anëtarëve të saj.
  • Përjashtimi nga detyrimi i pjesëmarrjes në provimin e kualifikimit për ushtrimin e profesionit të avokatit mbështetet në kohëzgjatjen e tyre në ushtrimin e profesionit të juristit, aftësitë profesionale të treguara dhe edukimin e posacëm profesional e akademik. Rregulla të hollësishme për kushtet dhe kriteret e përjashtimit nga provimi i kualifikimit caktohen nga Statuti i Dhomës Kombëtare të Avokatisë.
  • Vendimi për përjashtimin nga detyrimi, për dhënien e provimit të kualifikimit për ushtrimin e profesionit të avokatit, miratohet nga Ministri i Drejtësisë.

Neni 28
Personat që kanë punuar jo më pak se 2 vjet si gjyqtarë, prokurorë, noterë, si dhe jo më pak se 3 vjet në pozicionin e drejtuesit, këshilltarit apo specialistit të strukturave juridiko-profesionale të Presidencës, Kuvendit, Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, aparatit të Këshillit të Ministrave, Ministrisë së Drejtësisë, avokatët e strukturave të Avokaturës së Shtetit, si dhe në atë të punonjësit akademik të brendshëm të lëndëve juridike në shkollat e larta, përjashtohen nga përmbushja e detyrimit të parashikuar në shkronjën “b” pika 1 të nenit 25 të këtij ligji.

Neni 29

  • Avokati ka të drejtë të ketë një ose më shumë asistentë.
  • Asistentët zgjidhen nga vetë avokati ndërmjet personave të diplomuar juristë, që nuk kanë marrë lejen për ushtrimin e profesionit të avokatit.
  • Avokati ka për detyrë që, brenda 15 ditëve nga ajo e lidhjes së marrëdhënieve të punës me asistentin, të depozitojë dokumentacionin e tij për regjistrim në dhomën e avokatisë ku është anëtar, në Dhomën Kombëtare të Avokatisë, si dhe në Ministrinë e Drejtësisë.
  • Me autorizimin me shkrim të avokatit dhe, kurdoherë, me pëlqimin me shkrim të klientit, asistenti përfaqëson ose mbron të interesuarit në periudhën hetimore, në gjykimin e kundërvajtjeve penale dhe në seancat përgatitore për cështjet civile.

Neni 30

  • Kërkesa për ushtrimin e profesionit të avokatit i drejtohet, si rregull, dhomës së avokatisë ku kërkuesi ka vendbanimin e tij.
  • Dhoma e avokatisë, brenda 30 ditëve nga marrja e kërkesës për ushtrimin e profesionit të avokatit, duhet të marrë në shqyrtim kërkesën dhe, së bashku me mendimin e saj, e përcjell për shqyrtim në Këshillin Drejtues të Dhomës Kombëtare të Avokatisë.
  • Këshilli Drejtues i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, brenda 30 ditëve nga marrja e kërkesës, duhet të njoftojë kërkuesin, nëse ai i plotëson kushtet për të marrë pjesë në provimin e kualifikimit, si dhe për ditën e caktuar për zhvillimin e tij.

Neni 31

  • Këshilli Drejtues i Dhomës Kombëtare të Avokatisë shpall datat e zhvillimit të provimeve të kualifikimit, për ushtrimin e profesionit të avokatit, për atë vit kalendarik.
  • Këshilli Drejtues i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, brenda muajit janar të cdo viti, miraton edhe përfaqësuesit e tij në komisionin e provimit të kualifikimit për ushtrimin e profesionit të avokatit.

Neni 32
Në qoftë se kandidati për avokat nuk arrin të grumbullojë minimumin e pikëve të nevojshme kualifikuese për ushtrimin e profesionit të avokatit, ai mund të marrë pjesë përsëri në provimin kualifikues, me kusht që të kryejë edhe gjashtë muaj të tjerë periudhë stazhi si asistent pranë një avokati.

Neni 33

  • Komiteti Disiplinor i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, kryesisht ose me propozimin e dhomës së avokatëve, organeve gjyqësore, të prokurorisë, Ministrit të Drejtësisë apo të personave të interesuar, është organi kompetent për heqjen e lejes së ushtrimit të profesionit të avokatit.
    Komiteti Disiplinor i Dhomës Kombëtare të Avokatisë përgjigjet dhe kontrollohet nga Këshilli Drejtues i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, sipas rregullave të përcaktuara në statut ose nga vetë ai.
  • Rregulla të hollësishme për përbërjen dhe funksionimin e Komitetit Disiplinor dhe të komisioneve të posacme disiplinore të Dhomës Kombëtare të Avokatisë caktohen në statut.
  • Leja për ushtrimin e profesionit të avokatit hiqet, kur vërtetohet një nga rastet e mëposhtme:
    • Eshtë lëshuar në kundërshtim me kushtet e parashikuara në nenin 25 të këtij ligji.
    • Vërtetohet se avokati ka përdorur dokumente të falsifikuara për të marrë lejen e ushtrimit të profesionit të avokatit.
    • Vuan nga një sëmundje, sëmundje mendore ose dëmtime fizike, të cilat bëjnë të pamundur ushtrimin normal të profesionit.
    • Eshtë deklaruar i falimentuar.
    • Nuk ka paguar kontributin e anëtarësisë.
    • Ka shkelur rëndë ose në mënyrë të përsëritur rregullat për ushtrimin e profesionit të avokatit.
    • Eshtë dënuar nga gjykata për kryerjen e veprave penale, me dashje, që janë parashikuar në “Kodin e etikës së avokatit”.
  • Për avokatët e huaj, përvec rasteve të parashikuara më sipër në këtë nen, heqja e lejes së posacme për ushtrimin e profesionit të avokatit në Republikën e Shqipërisë, bëhet edhe në rastin kur atij i është hequr leja e ushtrimit të profesionit të avokatit në shtetin e tij.
  • Shfuqizohet me ligjin Nr.10 047, datë 24.12.2008
  • Avokati i proceduar disiplinarisht ka të drejtë të marrë pjesë dhe të dëgjohet nga komisioni disiplinor, personalisht ose nëpërmjet një përfaqësuesi të caktuar prej tij, ndërmjet avokatëve.
  • Avokati përfaqësues duhet të jetë i pranishëm gjatë gjithë periudhës së shqyrtimit të cështjes.
  • Shfuqizohet me ligjin Nr.10 047, datë 24.12.2008