KREU VI: REGJISTRAT E DHOMES KOMBETARE TE AVOKATISE

KREU VI
REGJISTRAT E DHOMES KOMBETARE TE AVOKATISE

Neni 34
(shtuar shkronja “ë”në pikën 2 me ligjin nr.10 047, datë 24.12.2008)

  • Dhoma Kombëtare e Avokatisë dhe Ministria e Drejtësisë mbajnë pranë tyre regjistrin e të gjithë avokatëve, si dhe administrojnë dokumentacionin përkatës, që lidhet me të drejtën e ushtrimit të profesionit të avokatit.
  • Regjistri i avokatëve, për secilin prej tyre, përmban të dhënat e mëposhtme:
    • Identitetin.
    • Datëlindjen.
    • Shkollën e lartë ku avokati është diplomuar si jurist.
    • Titujt dhe gradat shkencore.
    • Nivelin e njohurive në gjuhë të huaja.
    • Dhomën e avokatisë ku është anëtar, në juridiksionin e së cilës, si rregull, avokati ushtron profesionin e tij.
    • Adresën e zyrës së tij ose adresën dhe emrin e zyrës së avokatisë, nëse avokati është anëtar i saj.
    • të dhëna mbi thyerjen e disiplinës.
    • Kopje të vulës së avokatit ose zyrës së avokatisë. Vula duhet të jetë unike dhe duhet të përmbaje titullin “Avokat” dhe identitetin e avokatit ose të zyrës së avokatisë. Këshilli Drejtues i Dhomës Kombëtare të Avokatisë përcakton formën, përmbajtjen, procedurën e përgatitjes dhe të shpërndarjes së tyre.
  • Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës Kombëtare të Avokatisë ka në kompetencë të vendosë që, përvec të dhënave të treguara në pikën 2 të këtij neni, në regjistrin e avokatëve të pasqyrohen edhe të dhëna të tjera.
  • Dhoma e avokatisë, për juridiksionin e saj, mban regjistrin e avokatëve dhe dokumentacionin përkatës, sipas listës së të dhënave të treguara në këtë nen.

Neni 35

  • Dhoma Kombëtare e Avokatisë, dhomat e avokatisë për juridiksionin e saj, si dhe Ministria e Drejtësisë, mbajnë regjistrin e asistentëve, si dhe administrojnë dokumentacionin përkatës për ushtrimin e veprimtarisë së tyre.
  • Regjistri i asistentëve, për secilin prej tyre, përmban të dhënat e mëposhtme:
    • Identitetin.
    • Datëlindjen.
    • Shkollën e lartë ku avokati është diplomuar si jurist.
    • Titujt dhe gradat shkencore.
    • Nivelin e njohurive në gjuhë të huaja.
    • Datën e fillimit dhe të përfundimit të periudhës së stazhit, të nevojshme për pranimin e pjesëmarrjes së tij në provimin e kualifikimit, për ushtrimin e profesionit të avokatit.
    • Datat e provimit të kualifikimit, në rast se nuk është kualifikuar.
    • Emrin dhe adresën e avokatit, pranë të cilit ushtron veprimtarinë e tij si asistent.
  • Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës Kombëtare të Avokatisë ka në kompetencë të vendosë që, përvec të dhënave të treguara në pikën 2 të këtij neni, në regjistrin e asistentëve të pasqyrohen edhe të dhëna të tjera.