KREU VIII: ANKIMET DHE PROCEDURAT DISIPLINORE

KREU VIII
ANKIMET DHE PROCEDURAT DISIPLINORE

(ndryshuar titulli i kreut me ligjin nr 10 047, datë 24.12.2008)

KREU VIII
PROCEDIMI DISIPLINOR I AVOKATËVE


Neni 37
(Ndryshuar me ligjin nr. 10 047, datë 24.12.2008)

Subjektet e përcaktuara në pikën 1 të nenit 39 paraqesin ankesë për:

a)    "Sjelljet joprofesionale të avokatit", ku përfshihen veprimi në kundërshtim me dispozitat ligjore apo nënligjore, si dhe ato të Kodit të Etikës.

b)    "Shërbimet e papërshtatshme profesionale", ku përfshihen veprime apo mosveprime ndaj të përfaqësuarit, të cilat janë dukshëm nën nivelin e pritshmërisë së tij për një avokat

 

Neni 38

1. Avokati i nënshtrohet procedimit disiplinor nëse:

a)    ka vepruar në kundërshtim me rregullat e përcaktuara:

        i.    në dispozitat ligjore dhe nënligjore që rregullojnë profesionin e avokatit;

       ii.    në dispozitat e "Kodit të etikës së avokatit";

      iii.    nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë dhe dhomat e avokatisë;

      iv.    në legjislacionin tatimor;

b)    ka vepruar në kundërshtim me dispozitat ligjore procedurale që rregullojnë veprimtarinë e avokatit, duke cenuar rëndë ose në mënyrë të përsëritur procesin e rregullt ligjor;

c)    ka kryer akte dhe sjellje të rënda që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e avokatit.

 

2. Në rast të procedimeve penale, që lindin nga të njëjtat rrethana si rrethanat që çojnë në procedim disiplinor, procedimi disiplinor pezullohet dhe afati kohor shtyhet deri në përfundim të procedimit penal dhe çdo dënim penal pranohet në procedimin disiplinor. 

 

Neni 39

1. Ankesat kundër avokatit mund të paraqiten nga:

a)   çdo person që mbrohet, përfaqësohet ose ndihmohet juridikisht prej tij;

b)   çdo person i interesuar, që pretendon se është dëmtuar nga sjellja apo veprimet e avokatit;

c)   organet drejtuese të dhomave të avokatisë; ç) një avokat tjetër;

d)   Ministri i Drejtësisë;

dh) gjyqtarët dhe prokurorët;

e)   organet tatimore;

ë)   çdo organ tjetër shtetëror, i parashikuar me ligj.

2. Ankesat mund të bëhen brenda 6 muajve nga data e sjelljes ose veprimit të avokatit apo nga data e konstatimit të sjelljes ose veprimit të avokatit, por, në çdo rast, jo më vonë se 1 vit nga momenti i kryerjes së shkeljes. Pas kalimit të këtij afati, ankuesi ka të drejtë të kërkojë pranë Komisionerit të Ankimeve rivendosjen në afat, në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Civile.

3. Afati kohor për përfundimin e procesit disiplinor është 3 muaj nga data e depozitimit të ankesës. Ky afat mund të zgjatet me pëlqimin me shkrim të ankuesit dhe avokatit ose nga vetë Komisioneri i Ankimeve, kur ekzistojnë shkaqe të arsyeshme, për një periudhë jo më shumë se 6 muaj nga data e depozitimit të ankesës.

 

Neni 40

1. Ankesat për çdo sjellje ose veprim të avokatit i drejtohen Kryetarit të Dhomës Kombëtare të Avokatisë, i cili ia përcjell ankesën brenda 5 ditëve Komisionerit të Ankimeve, duke njoftuar për këtë edhe ankuesin.

2. Nëse Kryetari i Dhomës Kombëtare të Avokatisë nuk e përcjell ankesën brenda afatit të përcaktuar në pikën 1 të këtij neni, ankuesi ka të drejtë ta paraqesë atë pranë Komisionerit të Ankimeve.

Neni 41

1. Komisioner i Ankimeve caktohet nga Këshilli Drejtues i Dhomës Kombëtare të Avokatisë një person me integritet të lartë moral dhe profesional. Kriteret e emërimit dhe shkarkimit, statusi, si dhe mënyra e ushtrimit të përgjegjësive prej tij përcaktohen në statutin e Dhomës Kombëtare të Avokatisë.

2. Komisioneri i Ankimeve është përgjegjës për të filluar procedimin disiplinor, si dhe për të shqyrtuar dhe hetuar për ankimin e paraqitur, brenda 20 ditëve nga momenti i regjistrimit të ankimit. Në përfundim të hetimeve, ai përgatit një relacion të hollësishëm për ankimin drejtuar komitetit disiplinor. Për kalimin e ankesës në komitetin disiplinor, Komisioneri i Ankimeve njofton njëkohësisht ankuesin dhe avokatin që është subjekt ankimi.

3. Komisioneri i Ankimeve ushtron këto përgjegjësi:

a) informon dhe ndihmon ankuesin gjatë procesit të përgatitjes së ankimit;

b) regjistron dhe verifikon ankimin për plotësimin e kritereve të parashikuara në pikat 1 e 2 të nenit 39 të këtij ligji;

c) refuzon ankimet që nuk plotësojnë kriteret e parashikuara në pikat 1 e 2 të nenit 39 të këtij ligji;

ç) informon ankuesin për mospranimin e ankimit, si dhe për të drejtën për të paraqitur anki m ndaj vendimit të mospranimit përpara komitetit disiplinor;

d) kërkon nga avokati që është subjekt ankimi shpjegime me shkrim lidhur me ankimin, brenda 15 ditëve nga data e njoftimit;

dh) i paraqet relacionin për ankimin komitetit disiplinor, duke njoftuar për këtë edhe ankuesin;

e) raporton përpara komitetit disiplinor, sa herë që kërkohet prej këtij komiteti;

ë) përmbush detyrat e tij, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe statutin e Dhomës Kombëtare të Avokatisë.

4. Nëse Komisioneri i Ankimeve nuk respekton afatin e përcaktuar në pikën 2 të këtij neni, ankuesi ose, në rastin e një ankuesi gjyqtar, Ministri i Drejtësisë, ka të drejtë të paraqesë ankesën, brenda 15 ditëve nga kalimi i afatit, drejtpërdrejt pranë komitetit disiplinor, i cili, pasi verifikon shkeljen e afateve, cakton një nga anëtarët e tij si relator të çështjes. Ai ushtron, për aq sa është e mundur, përgjegjësitë e Komisionerit të Ankimeve dhe nuk merr pjesë në votimin përfundimtar të komisionit.

5. Kundër vendimit të Komisionerit të Ankimeve, ankuesi ose, në rastin e një ankuesi gjyqtar, Ministri i Drejtësisë, ka të drejtë të paraqesë ankim, brenda 15 ditëve nga data e njoftimit të vendimit, pranë komitetit disiplinor.

Neni 42

1. Komiteti disiplinor është një organ kolegjial i përbërë nga:

a) 6 avokatë, të cilët zgjidhen me votim të fshehtë nga anëtarësia e Këshillit të Përgjithshëm të Dhomës Kombëtare të Avokatisë;

b) një përfaqësues, i caktuar me vendim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë;

c) një përfaqësues i Ministrisë së Drejtësisë;

ç) një përfaqësues i shoqërisë civile ose botës akademike, i zgjedhur sipas rregullave të përcaktuara në statut.

2. Kryetari i komitetit disiplinor zgjidhet nga Këshilli Drejtues i Dhomës Kombëtare të Avokatisë mes anëtarëve të përcaktuar në shkronjën "a" të pikës 1 të këtij neni, për një mandat dyvjeçar, ndërsa anëtarët e tij zgjidhen për një mandat pesëvjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje.

3. Komiteti disiplinor ushtron këto përgjegjësi:

a) shqyrton vendimet e Komisionerit të Ankimeve, duke vendosur për:

i) pranimin e ankesës dhe marrjen e masës disiplinore ndaj avokatit;

ii) mospranimin e ankesës;

b) në rast se vendos të pranojë ankesën e refuzuar nga Komisioneri i Ankimeve dhe fillimin e shqyrtimit të ankesës së paraqitur, ai emëron tre nga anëtarët e tij për të ushtruar funksionet e Komisionerit të Ankimeve.

4. Komiteti disiplinor zhvillon mbledhjet kur janë të pranishëm shumica e anëtarëve të tij.

5. Komiteti disiplinor shqyrton dhe merr vendim për ankimin brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së ankimit apo dërgimit pranë tij. Vendimet e komitetit disiplinor merren me shumicë votash të anëtarëve të pranishëm në mbledhje, duhet të jenë të arsyetuara dhe u njoftohen ankuesit dhe avokatit, kundër të cilit është paraqitur ankimi.

6. Nëse komiteti disiplinor nuk respekton afatin e përcaktuar në pikën 3 të këtij neni, ankuesi ka të drejtë të paraqesë ankesën, brenda 15 ditëve nga data e mbarimit të afatit, drejtpërdrejt në gjykatën kompetente që ka kompetencë të detyrojë komitetin disiplinor për kryerjen e detyrave të tij dhe të shtyjë kohën.

7. Kundër vendimit të komitetit disiplinor ankuesi dhe avokati, që është subjekt ankimi, kanë të drejtë të paraqesin ankim, brenda 30 ditëve nga data e njoftimit të vendimit, në gjykatën kompetente për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve administrative.

8. Rregullat e hollësishme të procesit disiplinor, të funksionimit të komitetit disiplinor, mënyrës së ushtrimit të përgjegjësive prej tij, si dhe shpërblimit të anëtarëve të tij përcaktohen në statutin e Dhomës Kombëtare të Avokatisë.

Neni 43

1. Gjykata kompetente shqyrton ankesat kundër vendimeve të komitetit disiplinor ose ankesat për procedim disiplinor të avokatëve, në rastin e parashikuar në pikën 7 të nenit 42 të këtij ligji, sipas afateve për shqyrtimin e mosmarrëveshjeve administrative.

2. Gjatë ushtrimit të përgjegjësive, sipas këtij neni, gjykata zbaton dispozitat e legjislacioni në fuqi për shqyrtimin e mosmarrëveshjeve administrative, Kodit të Procedurës Civile, si dhe, për aq sa është e mundur, edhe rregullat e përcaktuara në këtë ligj.

 

Neni 44

1. Masat disiplinore arsyetohen dhe merren sipas një procedure transparente dhe në përputhje me të drejtën për një proces të rregullt ligjor, e cila garanton të drejtën për t'u informuar, për të kërkuar sqarime rreth fakteve, për t'u dëgjuar dhe për t'u mbrojtur.

2. Palët në procedimin disiplinor kanë të drejtë të paraqiten dhe të japin shpjegime në seancë, vetë ose nëpërmjet mbrojtjes e përfaqësimit me avokat. Nëse njëra ose të dyja palët nuk paraqiten në seancë, pa motive të arsyeshme, Komiteti Disiplinor i Dhomës Kombëtare të Avokatisë shqyrton çështjen dhe merr vendim në mungesë të tyre.

3. Shpjegimet e palëve dhe dëshmitë në seancë mund të jepen me gojë ose me shkrim.

4. Avokati, ndaj të cilit është paraqitur ankesa/kërkesa, duhet të paraqesë, me shkrim, argumentet e tij për ankesën/kërkesën brenda 15 ditëve nga data e marrjes s ë njoftimit. Mosparaqitja e pretendimeve nga avokati nuk përbën shkak për mosvazhdimin e procedimit disiplinor.

5. Komiteti Disiplinor i Dhomës Kombëtare të Avokatisë pranon dëshmitë dhe dokumentet e paraqitura para tij, me cilësinë e provës, dhe i çmon ato sipas bindjes së formuar, pas shqyrtimit të tyre në tërësi.

6. Në raste të ndërlikuara, Komisioneri i Ankimeve thërret një avokat për të bashkëpërfaqësuar çështjen kundër avokatit para komitetit disiplinor.

 

Neni 45

1. Masat disiplinore jepen bazuar në natyrën dhe rëndësinë e shkeljes. Vendimi mund të parashikojë një masë të përbërë nga dy ose më shumë lloje masash disiplinore, nëse kjo është e përshtatshme dhe në proporcion me shkeljen.

2. Për shkeljet që klasifikohen si sjellje joprofesionale, komiteti disiplinor jep njërën nga masat disiplinore të mëposhtme:

a) heqjen e së drejtës së ushtrimit të profesionit të avokatit;

b) pezullimin e lejes për ushtrimin e profesionit të avokatit, për një periudhë prej 3 muajsh deri në 2 vjet;

c) gjobë nga 5 000 deri në 50 000 lekë;

ç) rikthimin e pagesës ose anulimin e pagesës së shërbimit ndaj të përfaqësuarit;

d) urdhërimin e avokatit për të bërë provim, brenda një periudhe të caktuar, lidhur me etikën profesionale, sipas rregullave të përcaktuara në statutin e Dhomës Kombëtare të Avokatisë;

dh) urdhërimin e avokatit për të bërë trajnim vazhdues shtesë, përfshirë edhe trajnim në një fushë të veçantë të ligjit;

e) vërejtje me shkrim;

ë) këshillim për sjelljen në mënyrën e duhur në të ardhmen;

f) urdhër për t'i kërkuar ndjesë me shkrim ankuesit.

3. Për shkeljet që janë klasifikuar si shërbim i papërshtatshëm profesional, komiteti disiplinor jep njërën nga masat disiplinore të mëposhtme:

a) urdhër për t'i kërkuar ndjesë ankuesit publikisht;

b) rikthimin e pagesës ose anulimin e pagesës së shërbimit ndaj të përfaqësuarit;

c) pagimin e kompensimit për ankuesin deri në vlerën 100 000 lekë;

ç) urdhërimin e avokatit për të bërë trajnim vazhdues shtesë, përfshirë edhe trajnim në një fushë të veçantë të ligjit.

4. Vendimet e komitetit disiplinor, të cilat kanë marrë formë të prerë, përbëjnë tituj ekzekutivë. Rregullat për ekzekutimin e masave disiplinore, si dhe për mbikëqyrjen e ekzekutimit të tyre përcaktohen në statutin e Dhomës Kombëtare të Avokatisë.

 

Neni 46

1. Komiteti Disiplinor i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, kryesisht ose me propozimin e dhomës së avokatëve, organeve gjyqësore, të prokurorisë, Ministrit të Drejtësisë apo të personave të interesuar dhe në përputhje me nenin 44 të këtij ligji, ka autoritet të heqë lejen e ushtrimit të profesionit të avokatit, kur vërtetohet një nga rastet e mëposhtme:

a) leja është lëshuar në kundërshtim me kushtet e parashikuara në nenin 25 të këtij ligji;

b) avokati ka përdorur dokumente të falsifikuara për të marrë lejen e ushtrimit të profesionit të avokatit;

c) avokati vuan nga një sëmundje, sëmundje mendore ose dëmtime fizike, të cilat bëjnë të pamundur ushtrimin normal të profesionit;

ç) avokati është deklaruar i falimentuar;

d) avokati nuk ka paguar kontributin e anëtarësisë;

dh) avokati ka shkelur rëndë ose në mënyrë të përsëritur rregullat për ushtrimin e profesionit të avokatit;

e) avokati është dënuar nga gjykata për kryerjen e një vepre penale, me përjashtim të disa veprave penale që nuk kanë rrezikshmëri të lartë shoqërore, sipas përcaktimeve në "Kodin e etikës së avokatit".

2. Për avokatët e huaj, siç përcaktohet në pikën 2 të nenit 36, përveç rasteve të parashikuara më sipër në këtë nen, heqja e lejes së posaçme për ushtrimin e profesionit të avokatit në Republikën e Shqipërisë bëhet edhe në rastin kur atij i është hequr leja e ushtrimit të profesionit të avokatit në shtetin e tij.

 

Neni 46/1

1. Kur, në përfundim të procesit disiplinor, komiteti disiplinor e deklaron avokatin fajtor, përveç masave disiplinore të parashikuara në këtë ligj, mund të urdhërojë avokatin që:

a) të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për zgjidhjen e problemit në fjalë;

b) t'i kompensojë dëmin e shkaktuar ankuesit ose palëve të tjera të dëmtuara nga veprimet ose mosveprimet e tij, në masën që çmohet e drejtë nga komiteti disiplinor.

2. Komiteti disiplinor urdhëron avokatin e deklaruar fajtor të paguajë shpenzimet e palëve dhe të Dhomës Kombëtare të Avokatisë për përballimin e çështjes disiplinore kundër tij. Përllogaritja e shpenzimeve bëhet sipas rregullave të përcaktuara me vendim të Këshillit Drejtues të Dhomës Kombëtare të Avokatisë.

 

Neni 46/2

Dhoma Kombëtare e Avokatisë regjistron vendimet për caktimin e masave disiplinore në regjistrin e masave disiplinore të avokatëve dhe njofton për këto vendime Ministrinë e Drejtësisë.

Neni 46/3

Nëse masa për heqjen ose pezullimin e së drejtës për ushtrimin e profesionit të avokatit merret ndaj një avokati, sipas nenit 45 ose 46, avokati ka të drejtë, brenda 15 ditëve, të ankimojë vendimin para gjykatës. Ankimi nuk pezullon vendimin për heqjen ose pezullimin e së drejtës për të ushtruar profesionin e avokatit, me përjashtim të rasteve kur pezullimi urdhërohet nga gjykata.".

Neni 15

Në nenin 48, pikat 2 dhe 3 shfuqizohen.

Neni 16

Pas nenit 48 shtohet neni 48/1 me këtë përmbajtje:

Neni 48/1

1. Kërkesat/ankesat për fillimin e procedimit disiplinor ndaj një avokati, që janë paraqitur përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe për të cilat nuk është dhënë vendim, evidentohen nga Kryetari i Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhe i dërgohen Komisionerit të Ankimeve brenda 15 ditëve nga emërimi i tij. Këto kërkesa/ankesa shqyrtohen sipas procedurave të përcaktuara në këtë ligj dhe konsiderohen si të paraqitura në datën e depozitimit të tyre te Komisioneri i Ankimeve.

2. Dhoma Kombëtare e Avokatisë, brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, merr masat për ndryshimin e statutit të saj, si dhe miratimin e akteve nënligjore, në përputhje me parashikimet e këtij ligji.

3. Organet e reja disiplinore, të përcaktuara në këtë ligj, zgjidhen ose emërohen brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Ministri i Drejtësisë dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë i njoftojnë, brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, Dhomës Kombëtare të Avokatisë, përfaqësuesit e tyre në organet disiplinore.

4. Rregullat e përcaktuara në këtë ligj për programin e trajnimit të kandidatëve për avokatë dhe programin e trajnimit vazhdues të avokatëve fillojnë të zbatohen brenda 1 viti nga hyrja në fuqi e këtij ligji.

5. Kërkesa për kontratën e sigurimit, e përcaktuar në pikën 11 të nenit 9, zbatohet që nga data 1 janar 2014.

 

Neni 17

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Miratuar në datën 27.9.2012

Shpallur me dekretin nr.7792, datë 15.10.2012 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani