Detyrimet tatimore për profesionin e avokatit dhe masat e mara nga DHKA

Në lidhje me situatën e detyrimeve tatimore për profesionin e avokatit dhe masat e mara nga ana e Dhomës Kombëtare të Avokatisë.

Dhoma Kombëtare e Avokatisë ka shqyrtuar në mënyrë të veçantë shqetësimin e avokatëve në lidhje me detyrimin për paisjen me kasa fiskale si dhe mënyrën e përllogaritjes dhe të pagimit të Tvsh.


Preokupimi ynë ka nismat e veta qysh në vitin 2010, kur qeveria nëpërmjet VKM nr  781 ndryshuar me VKM nr 96 datë 17/02/2010  “Për karakteristikat teknike e funksionale të paisjev fiskale, sistemit të integruar të kompjuterizuar për transferimet periodike, automatike të deklarimeve financiare,sistemit të komunikimit, per procedurën e dokumentacionin për miratimin e tyre dhe për kriteret për paisjen me autorizim të shoqërive të autorizuara për ofrimin e paisjeve fiskale”, detyronte avokatët të paisen me kasat fiskale. Për këtë qëllim DHKA ndërmori një sërë veprimesh nëpërmjet një korespodence me organet e fushës si dhe njoftimit të CCBE (Këshilli i Bareve dhe Shoqatave ligjore të Europës), të cilët nga ana e tyre i rekomanduan organeve shteterore mundësinë e përjashtimit të avokatëve nga një detyrim i tillë.
Falë kësaj veprimtarie, në mënyrë jo formale, nëpërmjet bisedimeve të ndërsjellta siguruam marëveshjen e heshtur për një gjë të tillë. Dhe praktikisht kjo marëveshje funksionoi për disa vite me radhë.
Në kushtet e reja, kur nuk u arit të realizoheshin ndryshimet e nevojshme ligjore për përjashtimin e avokatëve nga detyrimi i paisjes me kasa fiskale, ndodhemi përpara një situate të re, e cila nga njëra anë detyron avokatët për paisjen me kasat fiskale, ndërsa nga ana tjetër avokatët ndodhen përpara një trysnie të inspektorëve tatimorë për instalimin e paisjeve fiskale, edhe në kundërshtim me dispozitat ligjore.
Për këtë qëllim ne i kemi transmetuar CCBE përsëri shqetësimin tonë, e cila nga ana e vet i është drejtuar shkresërisht Kryeministrit zotit Edi Rama, me shkresë të datës 28 Shtator 2015, nëpërmjet të cilës ripërsërit edhe një herë rekomandimet e saj në lidhje me rishikimin e detyrimit të paisjes së avokatit me kasa fiskale dhe, njëkohësisht problematikën në lidhje me caktimin e kufirit të xhiros vjetore për efekt pagese TVSH në masën 0 lekë.
Ne si Dhomë Kombëtare kemi nisur betejë ligjore pranë gjykatave Administrative, ndërkohë që i drejtohemi gjithë avokatëve të insistojnë respektimin e ligjit në drejtim të detyrimit për instalimin e paisjes fiskale, sipas nenit 55 të ligjit 9920/2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, si dhe të Vkm 781, ndryshuar me vkm nr.96 datë 17.02.2010.
Nga praktika e deritanishme ka rezultuar se organet tatimore, në mënyrë krejtësisht të kundraligjshme kanë gjobitur avokatë, të cilët janë tërësisht në respektim të dispozitave të sipërcituara në lidhje me përjashtimin nga detyrimi i instalimit të paisjes fiskale.
Njëkohësisht u bëjmë thirrje organeve tatimore të ndërpresin arbitraritetin në vendosjen e gjobave, në lidhje me interpretimin e ligjit për detyrimin e paisjeve fiskale, duke ju kujtuar atyre se shkelja e ligjit në këtë drejtim, përveç të tjerave përbën edhe shpërdorim detyre.
Ju bëjmë thirje avokatëve të denoncojnë pranë DHKA çdo akt koruptiv nga ana e organeve tatimore për këtë qëllim, ndërkohë që organet drejtuese të DHKA kanë vendosur që do të asistojnë në mbështetje të çdo avokati, në cdo seancë gjyqësore që do të zhvillohet midis avokatëve dhe organeve tatimore për këtë qëllim.

Këshilli Drejtues i Dhomës Kombëtare të Avokatisë