Neni 17
- Dhoma Kombëtare e Avokatisë është person juridik, që ushtron veprimtarinë e saj në mënyrë të pavarur nga shteti.
- Dhoma Kombëtare e Avokatisë përgjigjet për rregullimin dhe kontrollin e ushtrimit të profesionit të avokatit në Republikën e Shqipërisë.
- Rregullat e hollësishme të organizimit dhe funksionimit të Dhomës Kombëtare të Avokatisë parashikohen në statutin e saj.
- Dhoma Kombëtare e Avokatisë është përgjegjëse për themelimin e dhomave të avokatisë. Numri minimal i avokatëve, që mund të formojnë një dhomë avokatie, caktohet në Statutin e Dhomës Kombëtare të Avokatisë.
- Cdo avokat mund të jetë anëtar vetëm i një dhome avokatie. Cdo dhomë është e përbërë nga avokatë, të cilët janë anëtarë të saj dhe që praktikojnë ose kanë praktikuar për herë të fundit profesionin e avokatit në juridiksionin e saj.
- Cdo dhomë avokatie ushtron veprimtarinë e saj në mënyrë të pavarur, duke respektuar rregullat e parashikuara në ligj dhe në statutin e vendimet e tjera, të miratuara nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë.
Neni 18
Organet drejtuese të Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhe të dhomave të avokatisë janë, përkatësisht, Këshilli i Përgjithshëm dhe Këshilli Drejtues.
Neni 19
- Organi më i lartë i përfaqësimit dhe vendimmarrjes së Dhomës Kombëtare të Avokatisë është Këshilli i Përgjithshëm.
- Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës Kombëtare të Avokatisë përbëhet nga jo më pak se një përfaqësues i zgjedhur për këtë qëllim nga cdo dhomë avokatie, sipas statutit.
- Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës Kombëtare të Avokatisë ushtron këto kompetenca:
- Miraton Statutin e Dhomës Kombëtare të Avokatisë
- Miraton “Kodin e etikës së avokatit”;
- Përcakton, duke u bazuar në kriterin e vjetërsisë në profesionin e avokatit, të aftësive profesionale të treguara dhe në edukimin profesional e akademik të posacëm dhe pas konsultimeve me Ministrin e Drejtësisë, listën e avokatëve që mund të ushtrojnë profesionin e tyre përpara gjykatave të shkallës së parë dhe të apelit, si dhe në Gjykatën e Lartë dhe në Gjykatën Kushtetuese. Kriteret më të hollësishme për këtë përzgjedhje përcaktohen në Statutin e Dhomës Kombëtare të Avokatisë
- Zgjedh jo më pak se 5 anëtarë të saj në Këshillin Drejtues të Dhomës Kombëtare të Avokatisë;
- Cakton kontributin që derdhin dhomat e avokatisë në Dhomën Kombëtare të Avokatisë;
- Shqyrton dhe miraton llogaritë vjetore dhe buxhetin e Dhomës Kombëtare të Avokatisë
- Analizon veprimtarinë e dhomave të avokatisë, nëse ajo është në përputhje me këtë ligj dhe me Statutin e Dhomës Kombëtare të Avokatisë
- Ndihmon e bashkërendon veprimtaritë e dhomave të avokatisë, në mënyrë që të garantojë mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të avokatëve, si dhe të dhomave të avokatisë
- Miraton rregullat e përgjithshme për zhvillimin e provimit të kualifikimit për ushtrimin e profesionit të avokatit;
- miraton rregullat dhe kushtet që duhet të përmbushen nga asistentët në periudhën e stazhit për avokat, si dhe për trajnimin profesional të tyre.
- Vendimet e Këshillit të Përgjithshëm të Dhomës Kombëtare të Avokatisë, për miratimin e akteve të parashikuara në shkronjat “a”, “b” dhe “c” të pikës 3 të këtij neni, quhen të miratuara kur për to kanë votuar jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij.
Neni 20
- Këshilli Drejtues i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, në mbledhjen e tij të parë, zgjedh me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve Kryetarin, Zëvendëskryetarin dhe Sekretarin e Përgjithshëm të tij.
- Rregulla më të hollësishme për organizmin dhe funksionimin e administratës mbështetëse të Këshillit Drejtues, caktohen në statut.
- Këshilli Drejtues i Dhomës Kombëtare të Avokatisë ushtron këto kompetenca:
- Thërret Këshillin e Përgjithshëm të Dhomës Kombëtare të Avokatisë;
- Përgatit Statutin e Dhomës Kombëtare të Avokatisë;
- Përgatit “Kodin e etikës së avokatit”;
- Përfaqëson Dhomën Kombëtare të Avokatisë në marrëdhënie më të tretët, sipas rregullave të caktuara në statut;
- Përgatit llogaritë vjetore për shqyrtim dhe miratim nga Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës Kombëtare të Avokatisë;
- Shqyrton dhe miraton kërkesat për lejimin e ushtrimit të profesionit të avokatisë;
- Revokon me ose pa afat, ose heq lejen për ushtrimin e profesionit të avokatit, në përputhje me ligjin dhe Statutin e Dhomës Kombëtare të Avokatisë;
- merr masa për ndjekjen e vazhdueshme të zbatimit të vendimeve të marra nga Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës Kombëtare të Avokatisë.
Neni 21
- Këshilli i përgjithshëm i cdo dhome avokatie ka këto kompetenca:
- Zgjedh përfaqësues të saj në Këshillin e Përgjithshëm të Dhomës Kombëtare të Avokatisë, në përputhje me numrin maksimal të pjesëmarrjes, të vendosur nga kjo e fundit.
- Zgjedh anëtarët e Këshillit Drejtues, kryetarin dhe sekretarin e dhomës.
- Shqyrton dhe analizon ecurinë në punë dhe trajnimin profesional të avokatëve dhe të asistentëve, që bëjnë pjesë në dhomën e avokatisë.
- Promovon tek anëtarët e saj mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të njeriut dhe të lirive themelore, të ligjit, statutit dhe “Kodit të etikës së avokatit”.
- Përfaqëson dhe mbron interesat e anëtarëve të saj.
- Shqyrton dhe nëse cmon, miraton vendimet e marra nga Këshilli Drejtues i dhomës së avokatisë.
- Mban regjistrin e anëtarëve, që ushtrojnë apo kanë ushtruar profesionin e avokatit në atë juridiksion, si dhe njofton Dhomën Kombëtare të Avokatisë dhe Ministrinë e Drejtësisë për cdo ndryshim në përbërjen e saj.
Neni 22
- Këshilli Drejtues i dhomës së avokatisë ushtron këto kompetenca:
- Thërret mbledhjen e përgjithshme të dhomës së avokatisë.
- përgatit cdo vit llogaritë vjetore, për shqyrtim dhe miratim nga Këshilli i Përgjithshëm.
- Trajton cdo kërkesë për anëtarësi dhe, nëse cmon, i rekomandon Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhënien e lejes së ushtrimit të profesionit të avokatit.
- shqyrton dhe miraton statutin e zyrave të avokatisë, që vendosen në juridiksionin e saj, kur cmon përputhshmërinë e tij me ligjin dhe rregullat e miratuara nga Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës Kombëtare të Avokatisë.
- Cakton, me pëlqimin e tyre, avokatin apo zyrën e avokatisë, ku stazhieri do të përmbushë detyrimet e tij.
- Cakton avokat për të ndjekur cështjet gjyqësore, kur i kërkohet nga gjykata.
- Cakton një avokat, që të marrë përsipër cështje, të cilat janë braktisur nga një avokat i mëparshëm dhe klienti nuk ka mundur të gjejë një tjetër.
- Shqyrton ankesat kundër asistentëve të avokatëve, që ushtrojnë profesionin në juridiksionin e vet, si dhe merr masa disiplinore që i cmon të përshtatshme, në përputhje me ligjin, “Kodin e etikës së avokatit” dhe të statutit të vetë dhomës së avokatisë.
- Përmbush detyra të tjera të parashikuara në statutin e dhomës së avokatisë apo i që i caktohen nga Këshilli i Përgjithshëm i saj.
Neni 23
- Dhoma mund të hapë llogari bankare në një bankë, që është e licencuar të ushtrojë biznes bankar në Republikën e Shqipërisë, për të mbajtur paratë e klientëve të ndryshëm të avokatëve anëtarë të dhomës, si garanci bankare për cështje që parashikojnë pagesa të mëdha.
- Tërheqja e shumave nga ajo llogari duhet të kryhet me dy firma, njëra nga të cilat duhet të jetë nga kryetari, zëvendëskryetari ose sekretari i përgjithshëm i dhomës dhe firma tjetër duhet të jetë nga klienti përkatës. Interesi bankar i përfituar nga ky operacion duhet t’i kalojë dhomës.