USAID-DHKASH Marrëveshja e mirëkuptimit

USAID-DHKASH Marrëveshja e mirëkuptimit

MEMORANDUM MIREKUPTIMI NDERMJET AGJENCISE SE SHTETEVE TE BASHKUARA PER ZHVILLIM NDERKOMBETAR (USAID) DHE DHOMES KOMBETARE TE AVOKATISE NE REPUBLIKEN E SHQIPERISE (DHKASH) PER KRIJIMIN DHE ZBATIMIN E PROGRAMIT TE ARSIMIMIT VAZHDUES LIGJOR (AVL) PER AVOKATET NE SHQIPERI

Pjesë nga teksti i Memorandumit

1. Qëllimi 
USAID-i dhe DHKASH-ja, të quajtur së bashku “Palët” shprehin vullnetin të bashkëpunojnë në nismën për krijimin dhe vënien në zbatim të programit të Arsimimit Vazhdues Ligjor (AVL) për avokatët aktivë dhe asistentavokatët në Republikën e Shqipërisë.

2. Historik 
Edhe pse profesioni i avokatit në Shqipëri ka ecur përpara në një sërë fushash, pas rishfaqjes së tij si profesion njëzet vjet më parë, mbeten ende mjaft sfida për konsolidimin e tij.

USAID-i dhe drejtuesit e Dhomës Kombëtare dhe Dhomave Rajonale të Avokatisë bien dakord se mënyra më e mirë për të përmbushur synimin e reduktimit të korrupsionit në sistemin e drejtësisë dhe përmirësimit të imazhit të avokatëve në shoqërinë shqiptare është përmes dhënies së kontributit drejt një profesioni juridik më të kultivuar, profesional dhe etik.

Në kuadër të Programit për Forcimin e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri (JuST), implementuar nga Chemonics International dhe i konceptuar përmes konsultimeve të ngushta me DHKASH-në dhe me partnerë të tjerë në sistemin e drejtësisë, USAID-i sipas kontratës me Chemonics International do të mbështesë DHKASH-në drejt forcimit të kapaciteteve profesionale të avokatëve aktivë dhe asistentavokatëve, përmes krijimit dhe vënies në zbatim të Programit të Arsimimit Vazhdues Ligjor.

3. Programi i Arsimimit Vazhdues Ligjor 
Pjesëmarrësit ndajnë mendimin se një program AVL i vetë-mbështetur dhe mirë-organizuar për të gjithë avokatët aktivë dhe asistentavokatët do të jetë thelbësor për rritjen e standardeve profesionale të anëtarëve të profesionit juridik dhe përafrimin e mëtejshëm të tij me standardet evropiane.

Pjesëmarrësit synojnë ta testojnë fillimisht AVL-në në Dhomën Rajonale të Vlorës dhe Durrësit. Zbatimi i programit AVL në këto Dhoma të Avokatisë do të realizohet nga Qendra Shqiptare për Trajnime e Studime Juridike (ACLTS), me fonde të siguruara nga USAID dhe DHKASH, përmes nënkontratave të ndara që përcaktojnë me hollësi masat që lidhen me financimin, në pajtim me Seksionin 6 të këtij MM.

Ndërkohë që USAID nëpërmjet shpreh vullnetin për ta mbështetur trajnimin jo të detyrueshëm për AVL-në në dy dhoma rajonale të avokatisë, në formën e një projekti demonstrues, Palët bien dakord që të bashkëpunojnë dhe brenda vitit të tretë të projektit (2013-2014) ta kthejnë AVL-në në një program të detyrueshëm mbarëkombëtar, të organizuar nga DHKASH-ja.

4. Përkufizimet 
“Avokatët aktivë” janë avokatët e licencuar, të cilët janë të regjistruar për ta ushtruar profesionin pranë një ose më shumë dhomave rajonale, e që paguajnë rregullisht edhe kuotën e plotë vjetore të anëtarësisë.

“Asistentavokatët” janë të diplomuarit e fakultetit juridik, të cilët janë të regjistruar sipas rregullave në një nga dhomat rajonale, me qëllim që të japin provimin kombëtar të avokatisë.

Nënshkruar nga Drejtori i Misionit të USAID-it në Shqipëri, Z. Joseph Williams
dhe Kryetari i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, Z. Maksim Haxhia
në Tiranë, më 12 maj 2011.