Ligje

1. Ligji nr 9109 date 17/07/2003 “Per Profesionin e Avokatit ne Republiken e Shqiperise”.
2. Ligji nr 9795 date 23/07/2007, Per disa ndryshime dhe shtesa ne ligjin nr 9109 date 17/07/2003, “Per Profesionin e Avokatit ne Republiken e Shqiperise”.
3. Ligji nr 10047 date 24/12/2008, Per disa ndryshime dhe shtesa ne ligjin nr 9109 dt 17/07/2003, “Per Profesionin e Avokatit ne Republiken e Shqiperise”.

LIGJ
Nr.9109, date 17.7.2003

Ndryshuar me
ligjin nr.9795, date 23.7.2007
ligjin nr. 10 047, date 24.12.2008

PER PROFESIONIN E AVOKATIT NE REPUBLIKEN E SHQIPERISE

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave

KUVENDI I REPUBLIKES SE SHQIPERISI

V E N D O S I:

KREU I
PJESA E PËRGJITHSHME

Neni 1

Avokatia në Republikën e Shqipërisë është profesion i lirë, i pavarur, i vetërregulluar dhe i vetëdrejtuar.

Neni 2

Avokati jep ndihmë juridike nëpërmjet:
a) këshillimit ligjor për çështje të ndryshme;
b) përgatitjes së kërkesëpadive ose të kërkesave gjatë procedimit penal, si dhe të kërkesave ankimore, rekurseve kundër vendimeve gjyqësore, atyre të organit të prokurorisë, arbitrazhit ose të organeve të administratës publike;
c) përgatitjes së kërkesave drejtuar Gjykatës së Apelit, Gjykatës Kushtetuese, gjykatave ndërkombëtare dhe çdo organizmi në të cilin aderon Republika e Shqipërisë;
ç) përgatitjes së ankesave dhe kërkesave të personave fizikë ose juridikë;
d) përpilimit të akteve që i nënshtrohen veprimeve noteriale;
dh) hartimit të kontratave e të marrëveshjeve, si dhe të çdo dokumenti tjetër që sjell ose synon të sjellë pasoja juridike;
e) pranisë si mbrojtës në kohën e shoqërimit, ndalimit, arrestimit, gjatë procesit të hetimit, shqyrtimit gjyqësor të personave në çështjet penale;
ë) përfaqësimit të personave fizikë ose juridikë në çështjet civile dhe administrative, në gjykatë, në arbitrazh dhe në organe të tjera të administratës publike;
f) veprimeve të tjera të ndihmës juridike që parashikohen në ligj.

Neni 3
(ndryshuar pika 1 me ligjin nr.9795, datë 23.7.2007)

  1. Avokati ushtron profesionin e tij individualisht ose në bashkëpunim me avokatë të tjerë, pasi është pajisur me lejen e ushtrimit të profesionit dhe është regjistruar në organet tatimore.
    Avokatët mund të organizohen në zyra avokatie, të cilat regjistrohen në organet tatimore.
  2. Avokati nuk mund të jetë anëtar i më shumë se një zyre avokatie.

Neni 4

Avokati, gjatë ushtrimit të profesionit të tij, nuk mund të jetë, njëkohësisht, gjyqtar, prokuror, noter, nëpunës civil ose punonjës i administratës publike.


Neni 5
(Shtuar parag. II ne pike 1 me ligjin nr. Nr.9795, datë 23.7.2007)

  1. Avokati mund ta ushtrojë profesionin e tij në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe përpara çdo gjykate, prokurorie ose organi të administratës publike.
    Në çdo rast, avokati, në ushtrimin e profesionit, identifikohet me numrin e lejes së ushtrimit të profesionit, si dhe kodin fiskal të tij apo të zyrës së avokatisë ku bën pjesë
  2. Avokati mund ta ushtrojë profesionin e tij edhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, në përputhje me ligjin e shtetit ku jepet ndihma juridike.

KREU II
TË DREJTAT DHE DETYRAT E AVOKATIT

Neni 6

  1. Avokati, në funksion të ushtrimit të profesionit të tij, ka të drejtë të  kërkojë nga institucionet e administratës publike, në përputhje me ligjin, shpjegime, të dhëna dhe dokumente, që kanë lidhje me çështjen ose personin që përfaqësohet ose mbrohet prej tij.
  2. Institucionet e administratës publike, sipas kompetencës dhe procedurave ligjore që rregullojnë veprimtarinë e tyre, janë të detyruara të përmbushin kërkesat e avokatit.
  3. Në rast të mospërmbushjes së detyrimit të institucioneve të administratës publike ose nga entet e tjera jopublike, avokati ka të drejtë të paraqesë brenda 5 ditëve në gjykatë kërkesën për realizimin e detyrimit nëpërmjet një vendimi gjyqësor.

Neni 7

  1. Avokati ka të drejtë të  takojë personin e mbrojtur prej tij, në mënyrë private dhe pa kufizim kohor, në çdo gjendje të kufizimit të lirisë personale. Organet kompetente kanë të drejtë të  mbikëqyrin takimin ndërmjet avokatit dhe personit të mbrojtur, por, në çdo rast, u ndalohet të dëgjojnë bashkëbisedimin ndërmjet tyre.
  2. Organi i prokurorisë, gjykata, administrata e burgjeve dhe Policia e Shtetit janë të detyruara të sigurojnë praninë e avokatit, kur këtë e kërkon personi i mbrojtur prej tij, i ndaluar, i arrestuar ose që është duke vuajtur dënimin. Në të gjitha rastet, prania e avokatit duhet të sigurohet menjëherë.
  3. Avokati nuk ka të drejtë t'i kërkojë dhe t'i ofrojë ndihmë juridike një personi të ndaluar ose të arrestuar, pa kërkesën e këtij të fundit.

Neni 8

Avokati ka të drejtë, në përputhje me procedurat hetimore, të marrë pjesë në proces, të pyesë personin e mbrojtur prej tij, dëshmitarët dhe ekspertët, të lexojë dhe të njohë në përfundim të hetimit të gjitha aktet e dokumentet, që janë të lidhura me çështjen dhe t' i nënshkruajë ato.

Neni 9

  1. Avokati ka për detyrë ta ushtrojë profesionin e vet me ndershmëri dhe dinjitet, të respektojë rregullat e etikës profesionale dhe të përdorë të gjitha mjetet e ligjshme për mbrojtjen me besnikëri të të  drejtave dhe të interesave të personave që mbrohen ose përfaqësohen prej tij.
  2. Avokati duhet të sigurojë që asnjë konflikt interesash nuk ekziston ndërmjet tij dhe personit që mbron ose përfaqëson.
  3. Avokatit i ndalohet të bëjë publike të dhënat, që i ka mësuar nëpërmjet personit të mbrojtur ose të përfaqësuar prej tij ose nga dokumentet që ky i fundit i ka vënë në dispozicion, në funksion të mbrojtjes së kërkuar, me përjashtim të  rastit kur ai ka dhënë miratimin e tij me shkrim.
  4. Avokatit i ndalohet të bëjë kallëzim në organin e ndjekjes penale dhe nuk mund të pyetet si dëshmitar për personin, të cilit i ka kryer shërbime dhe ndihmë juridike, si dhe për rrethana që ai i ka mësuar gjatë ushtrimit të profesionit të avokatit.
  5. Avokatit i ndalohet të marrë pjesë në një çështje, kur ai ka qenë i ngarkuar më parë në të si gjykatës, prokuror, oficer i Policisë Gjyqësore ose si dëshmitar.
  6. Avokati nuk lejohet të japë ndihmë ligjore ose të përfaqësojë një person, kur ka këshilluar ose ka përfaqësuar më parë  palën kundërshtare në të njëjtën çështje, ose kur avokati ka lidhje gjaku apo ka interes të njëjtë me palën kundërshtare.
  7. Avokatët, që shërbejnë në të njëjtën zyrë avokatie, nuk lejohen të përfaqësojnë palët kundërshtare në të njëjtën çështje.
  8. Avokatët, që ushtrojnë profesionin e tyre pranë së njëjtës zyrë avokatie, prezumohet se janë në dijeni dhe zotërojnë dokumentet për këdo që është mbrojtur apo përfaqësuar nga zyra e tyre.
  9. Përveç rasteve të parashikuara më sipër në këtë nen, avokati është i detyruar të sigurohet se nuk vepron në konflikt me interesat e personit që mbrohet ose përfaqësohet prej tij. Kur avokati dyshon se është duke vepruar në konflikt interesash, ai duhet të marrë miratimin me shkrim nga palët, të cilat mendohet se preken nga ky konflikt interesash.

Neni 10

Avokatët, në përputhje me dokumentacionin standard, të miratuar nga Këshilli Drejtues i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, duhet të mbajnë një libër shënimesh ku shënohen të gjitha shërbimet ligjore të dhëna, kontratat, me shkrim, duke përdorur sistemin numerik, emrin e tij, si dhe emrin e zyrës së avokatisë.

Neni 11

  1. Shpërblimi i avokatit për punën e kryer caktohet në një nga mënyrat e mëposhtme:
    a) me marrëveshje ndërmjet tij dhe palës së mbrojtjur ose të përfaqësuar prej tij;
    b) nga gjykata ose prokuroria, kur ai është caktuar kryesisht ose kur personi i mbrojtur ose i përfaqësuar nuk ka mundësi financiare dhe ndihma ligjore për të është falas.
    Masa e shpërblimit për këto raste përcaktohet me vendim të përbashkët të Ministrit të Drejtësisë dhe Këshillit Drejtues të Dhomës Kombëtare të Avokatisë;
    c) me ligj.
  2. Në të gjitha rastet, avokatit nuk i lejohet të marrë shpërblim tjetër.

Neni 12

  1. Avokati nuk mund të kërkojë nga personi që mbron ose përfaqëson, që të shpërblehet prej tij me përqindje gjatë procesit të gjykimit.
  2. Shpërblimi me përqindje, i parallogaritur ose jo, mund të paguhet vetëm kur është parashikuar në marrëveshjen ndërmjet avokatit dhe personit që ai mbron ose përfaqëson, për rastin mbrojtjes apo përfaqësimit të suksesshëm të çështjes.
  3. Avokatit i lejohet të paguhet me komision në rastet kur siguron kthimin e huasë për personin që mbrohet ose përfaqësohet prej tij jogjyqësisht.

Neni 13

  1. Nëse avokati vendos të heqë dorë nga përfaqësimi ose mbrojtja e mëtejshme e një personi, është i detyruar ta njoftojë atë 15 ditë përpara mbarimit të shërbimit nga ana e tij.
  2. Avokati është i detyruar t'i shërbejë klientit të tij gjatë periudhës 15-ditore para mbarimit të shërbimit dhe t'ï njoftojë atij çdo të dhënë për çdo shumë  parash, prona apo kompensim që avokati mban për klientin.
  3. Brenda 15 ditëve nga dhënia e njoftimit, avokati duhet t'i kthejë klientit të gjitha dokumentet e lidhura me çështjen ose t'i dërgojë ato në adresën e treguar nga avokati i ngarkuar rishtas. Gjithashtu, avokati është i detyruar t'i kthejë klientit parapagimin që ka marrë prej tij, përveç kur, bashkërisht, merren vesh ndryshe.

Neni 14

Nëse personi, që përfiton ndihmën juridike nga avokati, vendos të zgjidhë kontratën përpara përfundimit të çështjes ose shërbimit, avokati ka të drejtën të kërkojë shpërblimin për punën e kryer.

Neni 15

Avokati ka të drejtë të  transferohet nga një dhomë në një dhomë tjetër avokatie, për sa kohë që paguan kontributet përkatëse të anëtarësisë. Në këtë rast ai duhet të marrë një miratim, si nga dhoma që largohet, ashtu edhe nga dhoma ku ai dëshiron të bëhet anëtar.

Neni 16

  1. Avokati, kryesisht apo për shkak të ligjit, duhet të heqë dorë përkohësisht nga ushtrimi i profesionit të tij, për aq kohë sa është në marrëdhënie pune me administratën publike.
  2. Për të gjitha rastet e treguara në pikën 1 të këtij neni, avokati duhet të njoftojë me shkrim dhomën e avokatëve ku bën pjesë.
  3. Në rast të ndërprerjes së ushtrimit të profesionit të avokatit për arsye të moshës ose shëndetit, nëse nuk ushtron një veprimtari tjetër, avokati ka të drejtë të  jetë anëtar i dhomës së avokatisë, si dhe të marrë pjesë në veprimtaritë që organizohen prej saj.

KREU III
ORGANET DREJTUESE DHE KOMPETENCAT E DHOMËS KOMBËTARE
TË AVOKATISË DHE TË DHOMAVE TË AVOKATISË

Neni 17

  1. Dhoma Kombëtare e Avokatisë është person juridik, që ushtron veprimtarinë e saj në mënyrë të pavarur nga shteti.
  2. Dhoma Kombëtare e Avokatisë përgjigjet për rregullimin dhe kontrollin e ushtrimit të profesionit të avokatit në Republikën e Shqipërisë.
  3. Rregullat e hollësishme të organizimit dhe funksionimit të Dhomës Kombëtare të Avokatisë parashikohen në statutin e saj.
  4. Dhoma Kombëtare e Avokatisë është përgjegjëse për themelimin e dhomave të avokatisë. Numri minimal i avokatëve, që mund të formojnë një dhomë avokatie, caktohet në Statutin e Dhomës Kombëtare të Avokatisë.
  5. Çdo avokat mund të jetë anëtar vetëm i një dhome avokatie. Çdo dhomë është e përbërë nga avokatë, të cilët janë anëtarë të saj dhe që praktikojnë ose kanë praktikuar për herë të fundit profesionin e avokatit në juridiksionin e saj.
  6. Çdo dhomë avokatie ushtron veprimtarinë e saj në mënyrë të pavarur, duke respektuar rregullat e parashikuara në ligj dhe në statutin e vendimet e tjera, të miratuara nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë.

Neni 18

Organet drejtuese të Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhe të dhomave të avokatisë janë, përkatësisht, Këshilli i Përgjithshëm dhe Këshilli Drejtues.

Neni 19

  1. Organi më i lartë i përfaqësimit dhe vendimmarrjes së Dhomës Kombëtare të Avokatisë është Këshilli i Përgjithshëm.
  2. Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës Kombëtare të Avokatisë përbëhet nga jo më pak se një përfaqësues i zgjedhur për këtë qëllim nga çdo dhomë avokatie, sipas statutit.
  3. Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës Kombëtare të Avokatisë ushtron këto kompetenca:
    a) miraton Statutin e Dhomës Kombëtare të Avokatisë;
    b) miraton "Kodin e etikës së avokatit";
    c) përcakton, duke u bazuar në kriterin e vjetërsisë në profesionin e avokatit, të aftësive profesionale të treguara dhe në edukimin profesional e akademik të posaçëm dhe pas konsultimeve me Ministrin e Drejtësisë, listën e avokatëve që mund të ushtrojnë profesionin e tyre përpara gjykatave të shkallës së parë dhe të apelit, si dhe në Gjykatën e Lartë dhe në Gjykatën Kushtetuese. Kriteret më të hollësishme për këtë përzgjedhje përcaktohen në Statutin e Dhomës Kombëtare të Avokatisë;
    ç) zgjedh jo më pak se 5 anëtarë të saj në Këshillin Drejtues të Dhomës Kombëtare të Avokatisë;
    d) cakton kontributin që derdhin dhomat e avokatisë në Dhomën Kombëtare të Avokatisë;
    dh) shqyrton dhe miraton llogaritë vjetore dhe buxhetin e Dhomës Kombëtare të Avokatisë;
    e) analizon veprimtarinë e dhomave të avokatisë, nëse ajo është në përputhje me këtë ligj dhe me Statutin e Dhomës Kombëtare të Avokatisë;
    ë) ndihmon e bashkërendon veprimtaritë e dhomave të avokatisë, në mënyrë që të garantojë mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të avokatëve, si dhe të dhomave të avokatisë;
    f) miraton rregullat e përgjithshme për zhvillimin e provimit të kualifikimit për ushtrimin e profesionit të avokatit;
    g) miraton rregullat dhe kushtet që duhet të përmbushen nga asistentët në periudhën e stazhit për avokat, si dhe për trajnimin profesional të tyre.
  4. Vendimet e Këshillit të Përgjithshëm të Dhomës Kombëtare të Avokatisë, për miratimin e akteve të parashikuara në shkronjat "a", "b" dhe "c" të pikës 3 të këtij neni, quhen të miratuara kur për to kanë votuar jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij.

Neni 20

  1. Këshilli Drejtues i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, në mbledhjen e tij të parë, zgjedh me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve Kryetarin, Zëvendëskryetarin dhe Sekretarin e Përgjithshëm të tij.
  2. Rregulla më të hollësishme për organizmin dhe funksionimin e administratës mbështetëse të Këshillit Drejtues, caktohen në statut.
  3. Këshilli Drejtues i Dhomës Kombëtare të Avokatisë ushtron këto kompetenca:
    a) thërret Këshillin e Përgjithshëm të Dhomës Kombëtare të Avokatisë;
    b) përgatit Statutin e Dhomës Kombëtare të Avokatisë;
    c) përgatit "Kodin e etikës së avokatit";
    ç) përfaqëson Dhomën Kombëtare të Avokatisë në marrëdhënie më të tretët, sipas rregullave të caktuara në statut;
    d) përgatit llogaritë vjetore për shqyrtim dhe miratim nga Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës Kombëtare të Avokatisë;
    dh) shqyrton dhe miraton kërkesat për lejimin e ushtrimit të profesionit të avokatisë;
    e) revokon me ose pa afat, ose heq lejen për ushtrimin e profesionit të avokatit, në përputhje me ligjin dhe Statutin e Dhomës Kombëtare të Avokatisë;
    ë) merr masa për ndjekjen e vazhdueshme të zbatimit të vendimeve të marra nga Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës Kombëtare të Avokatisë.

Neni 21

Këshilli i përgjithshëm i çdo dhome avokatie ka këto kompetenca:

a) zgjedh përfaqësues të saj në Këshillin e Përgjithshëm të Dhomës Kombëtare të Avokatisë, në përputhje me numrin maksimal të pjesëmarrjes, të vendosur nga kjo e fundit;
b) zgjedh anëtarët e Këshillit Drejtues, kryetarin dhe sekretarin e dhomës;
c) shqyrton dhe analizon ecurinë në punë dhe trajnimin profesional të avokatëve dhe të asistentëve, që bëjnë pjesë në dhomën e avokatisë;
ç) promovon tek anëtarët e saj mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të njeriut dhe të lirive themelore, të ligjit, statutit dhe "Kodit të etikës së avokatit";
d) përfaqëson dhe mbron interesat e anëtarëve të saj;
dh) shqyrton dhe nëse çmon, miraton vendimet e marra nga Këshilli Drejtues i  dhomës së avokatisë;
e) mban regjistrin e anëtarëve, që ushtrojnë apo kanë ushtruar profesionin e avokatit në atë juridiksion, si dhe njofton Dhomën Kombëtare të Avokatisë dhe Ministrinë e Drejtësisë për çdo ndryshim në përbërjen e saj.

Neni 22

Këshilli Drejtues i dhomës së avokatisë ushtron këto kompetenca:

a) thërret mbledhjen e përgjithshme të dhomës së avokatisë;
b) përgatit çdo vit llogaritë vjetore, për shqyrtim dhe miratim nga Këshilli i Përgjithshëm;
c) trajton çdo kërkesë për anëtarësi dhe, nëse çmon, i rekomandon Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhënien e lejes së ushtrimit të profesionit të avokatit;
ç) shqyrton dhe miraton statutin e zyrave të avokatisë, që vendosen në juridiksionin e saj, kur çmon përputhshmërinë e tij me ligjin dhe rregullat e miratuara nga Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës Kombëtare të Avokatisë;
d) cakton, me pëlqimin e tyre, avokatin apo zyrën e avokatisë, ku stazhieri do të përmbushë detyrimet e tij;
dh) cakton avokat për të ndjekur çështjet gjyqësore, kur i kërkohet nga gjykata;
e) cakton një avokat, që të marrë përsipër çështje, të cilat janë braktisur nga një avokat i mëparshëm dhe klienti nuk ka mundur të gjejë një tjetër;
ë) shqyrton ankesat kundër asistentëve të avokatëve, që ushtrojnë profesionin në juridiksionin e vet, si dhe merr masa disiplinore që i çmon të përshtatshme, në përputhje me ligjin, "Kodin e etikës së avokatit" dhe të statutit të vetë dhomës së avokatisë;
f) përmbush detyra të tjera të parashikuara në statutin e dhomës së avokatisë apo i që i caktohen nga Këshilli i Përgjithshëm i saj.

Neni 23

1. Dhoma mund të hapë llogari bankare në një bankë, që është e licencuar të ushtrojë biznes bankar në Republikën e Shqipërisë, për të mbajtur paratë e klientëve të ndryshëm të avokatëve anëtarë të dhomës, si garanci bankare për çështje që parashikojnë pagesa të mëdha.
2. Tërheqja e shumave nga ajo llogari duhet të kryhet me dy firma, njëra nga të cilat duhet të jetë nga kryetari, zëvendëskryetari ose sekretari i përgjithshëm i dhomës dhe firma tjetër duhet të jetë nga klienti përkatës. Interesi bankar i përfituar nga ky operacion duhet t'i kalojë dhomës.