Statuti i Dhomës Kombëtare të Avokatisë

 

STATUTI I DHOMËS SË AVOKATISË TË SHQIPËRISË

 

 

KREU I

PERKUFIZIMI DHE BAZA LIGJORE.

 

Neni 1

 

Dhoma e Avokatisë e Shqipërisë është Person Juridik dhe gëzon statusin e një OJF, e cila krijohet, organizohet dhe funksionon me ligj të veçantë. Aktiviteti i saj zhvillohet në përputhje me Kushtetutën, Ligjin nr 55 datë 23. 07. 2018 “Për Profesionin e Avokatit në Republikën e Shqipërisë”  si dhe dispozitat e këtij statuti.

Dhoma e Avokatisë e Shqipërisë, është bashkim i antarëve aktivë dhe pasivë te dhomave vendore të avokatisë.

 

Neni 2

 

Emërtimi i plotë i saj, njëkohësisht edhe emërtimi zyrtar, është Dhoma e Avokatisë e Shqipërisë. Në mënyrë të shkurtuar ajo mund të identifikohet edhe me inicialet e para të emrit, DHASH.

 

 

KREU II

OBJEKTI I VEPRIMTARISE

 

Neni 3

Objekti

 

Objekti i veprimtarise se Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë është :

 

-           Garantimi i ushtrimit të profesionit dhe forcimi i pavaresise se avokatit si një profesionist i lire;

-           Rritja e nivelit profesional të avokatëve në të mirë dhe në interes të publikut si dhe mbrojtjen e te drejtave te njeriut ne çdo faze te procesit gjyqësor;

-           Nxitja e avokatëve për ofrimin e shërbimit të avokatisë për personat që nuk kane te ardhura te mjaftueshme dhe subjekteve të veçanta që përfitojnë nga ndihma juridike falas.

-           Mbrojtja e avokatëve nga qendrimet arbitrare apo çdo forme presioni publik apo privat që synon te cenoje pavarësinë e profesionit të avokatit;

-           Konsolidimi i studiove të avokatisë;

-           Rritja e efektivitetit dhe kontrolli i veprimtarisë së dhomave vendore të avokatisë në funksion të rritjes së cilësisë të shërbimeve juridike;

-           Vendosja e kontakteve dhe shkëmbimi i eksperiencës me organizata e shoqata simotra brenda dhe jashtë vendit.

-           Ngritja e një sistemi efikas bashkëpunimi midis avokatëve dhe organeve proceduese apo gjyqësore si dhe administratës publike;

-           Hartimi i politikave efikase dhe infrastrukturës së nevojshme në drejtim të edukimit profesional të avokatëve dhe asistent avokatëve, me qëllim përditësimin e tyre me njohuri specifike profesionale, teorike dhe praktike.

-           Ngritja e një sistemi të brendshëm regullativ mbikqyrës i cili garanton mbrojtjen e komunitetit të avokatëve nga sjelljet jo profesionale dhe nga shërbimet e papërshtatshme profesionale të  avokatëve në veçanti dhe nga veprimtaria e kundraligjshme e cdo avokati, në funksion të kryerjes së shërbimit të avokatisë.

-           Marrja e masave të nevojshme në lidhje me ushtrimin e kontrollit periodik të veprimtarisë së avokatit dhe parandalimin e veprimtarive kriminale që lidhen me  parandalimin e  pastrimit të parave dhe të produkteve që burojnë nga veprat penale, si dhe financimit të terrorizmit.

 

 

Neni 4

Mjetet për realizimin

 

Objekti i mësipërm do të realizohet nëpërmjet  :

 

-           Rritjes së rolit të Dhomës së Avokatisë në mardhëniet institucionale me organet shtetërore dhe ato ligjvenëse si dhe ofrimi i kontributit të saj në procesin e hartimit të ligjeve në Republikën e Shqipërisë;  

-           Krijimin e një zinxhiri të bashkëpunimit të ndërsjelltë dhe të vazhdueshëm me institucionet shkencore, fakulteteve juridike pranë universiteteve brenda e jashtë vendit si dhe me çdo organizatë që operon me programe arsimimi në drejtësi. 

-           Organizimit të trajnimeve, konferenca shkencore dhe takime me komunitetitn e avokatëve apo aktorë të tjerë të sistemit të drejtësisë, nëpërmjet të cilave do të bëhet e mundur pergjithesimi i pervojës pozitive të avokateve në fusha të vecanta të shërbimit të avokatisë brenda apo jashtë vendit;

-           Rritjes se aftesise botuese me tematike juridike te avokatëve ne organet e shtypit periodik, si dhe botimin e një buletini të pavarur;

-           Përfaqësimit në organizatat ndërkombëtare që lidhen me ushtrimin e profesionit të avokatisë dhe mbajtja e kontakteve të vazhdueshme me organizatat simotra dhe shoqatave e huaja te juristeve te pavarur.

-           Forcimit të kontrollit të brendshëm financiar në drejtim të mbledhjes së të ardhurave sipas tarifave të përcaktuara nga organet drejtuese dhe përdorimit me efektivitet të tyre në interes të komunitetit të avokatëve;

-           Hartimit të politikave efikase dhe ngritjes së organeve kompetente në drejtim të  kontrrollit dhe veprimtarisë së avokatëve në pajtim me ligjin, statutin dhe Kodin etik të avokatit.

-           Zbatimit të detyrave ligjore të përcaktuara në legjislacionin e posacëm e veçanërisht atë që lidhet me ndihmën juridike të garantuar nga shteti dhe ushtrimin e autoritetit mbikqyrës në drejtim të kontrollit dhe parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

 

 

KREU III

JURIDKSIONI, KOHEZGJATJA, QENDRA E VEPRIMTARISE DHE SIMBOLET.

 

Neni  5

Juridiksioni

 

Dhoma e Avokatisë e Shqipërisë ushtron veprimtarine e saj në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Autoriteti i saj mbikqyrës përfshin edhe të gjithë avokatët që janë pajisur me lejen e ushtrimit të profesionit dhe ofrojnë shërbim avokatie ndaj shtetasve shqiptarë në vende të tjera.

 

 

 

Neni 6

Regjistrimi i subjektit dhe Kohëzgjatja

 

Regjistrimi i subjektit Dhoma e Avokatisë e Shqipërisë bëhet pranë Gjykatës Civile Tiranë, ndërkohë që regjistrimi për efekte të zbatimit të legjislacionit tatimor dhe pajisja me NUIS kryhet pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore Tiranë.

Kohëzgjatja e veprimtarisë së Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë është e pacaktuar, përveç se kur me ligj përcaktohet ndryshe.

 

 

Neni 7

Qendra e veprimtarisë

 

Dhoma e Avokatisë e Shqipërisë e ka selinë e saj në qytetin e Tiranës, me adresë rruga “Murat Toptani”, Qendra e biznesit “Eurocol” kati 9, Tiranë.

Dhoma e Avokatisë e Shqipërisë ka të drejtë të krijojë seli të tjera në juridiksion të saj brenda teritorrit të Republikës së Shqipërisë.

 

Neni 8

Vula dhe simbolet

 

Dhoma e Avokatisë e Shqipërisë, ka vulën dhe simbolet e saj të cilat miratohen nga Këshilli i Përgjithshëm. Vula ka formë rrethore me diametër 4.5 cm. Në pjesën e sipërme të gjysmërrethit shkruhet “DHOMA E AVOKATISË”, në pjesën e diametrit horizontal shkruhet “E SHQIPËRISË”, ndërkohë që në pjesën e poshtme të gjysmërrethit shkruhet fjala “TIRANË”.

Dhomat vendore të avokatisë kanë vulën e tyre, e cila ka formën e përshkruar si më sipër, vetëm në vend të fjalëve “DHOMA E AVOKATISË”, shkruhen fjalët, “DHOMA VENDORE”, në vend të fjalës “E SHQIPËRISË” vendoset fjala “E AVOKATISË”, dhe në vend të fjalës “TIRANË:, vendoset emri i zyrës vendore të njësisë teritoriale ku ka juridiksionin e vet dhoma vendore e avokatisë.

 

 

KREU IV

ORGANIZIMI  DHE ORGANET DREJTUESE TË DHOMËS SË AVOKATISË TË SHQIPËRISË

 

 

KAPITULLI  I

 

Avokatia në Republikën e Shqipërisë është e organizuar ne dy nivele, në nivel qëndror dhe vendor.

 

Niveli qendror i avokatisë

Neni 9

 

Në nivel qendror avokatia është e organizuar në Dhomën e Avokatisë të Shqipërisë. DHASH është bashkimi i detyrueshëm i të gjithë avokatëve që ushtrojnë profesionin e avokatit në RSH sipas juridiksionit territorial, të organizuar në dhomat vendore respektive.

Dhoma e avokatisë e Shqipërisë përfaqëson të gjitha strukturat e dhomave vendore si dhe çdo organ tjetër që operon brenda saj, të ngritur me ligj apo akte nënligjore, që operojnë në fushën e avokatisë. Personaliteti juridik i këtyre të fundit fitohet vetëm nëpërmjet DHASH.

 

Neni 10

 

 

Organizimi i DHASH bëhet në rang kombëtar dhe përfshin të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.

Ajo përbëhet nga organet e zgjedhura dhe stafi administrativ.

 

 

Neni 11

 

Dhoma e Avokatisë e Shqipërisë është bashkimi i të gjitha dhomave vendore. Numuri i dhomave vendore të avokatisë përcaktohet me vendim të Këshillit të Përgjithshëm dhe në raport me antarësinë e avokatëve të çdo dhome vendore.

 

 

Organet Drejtuese

 

Neni 12

 

Organet drejtuese të Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë janë:

  1. Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë;
  2. Komiteti Drejtues i Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë;
  3. Kryetari i Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë.

 

 

Neni 13

 

 

Këshilli i Përgjithshëm i DHASH

 

Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë është organi më i lartë vendimarrës i DHASH. Ai përbëhet nga avokatë të zgjedhur nëpërmjet një procesi zgjedhor prej dhomave vendore të avokatisë. Numuri i antarëve të saj përcaktohet me vendim të Këshillit të Përgjithshëm, duke ruajtur gjithmonë proporcionalitetin e antarëve të saj.

Kompetencat e këtij Këshilli janë ato të përcaktuara në pikën 3 të nenit 27 të ligjit 55/2018.

 

Neni 14

Përbërja e Këshillit të Përgjithshëm të DHASH

 

Këshilli i Përgjithshëm përbëhet nga një numër limit jo më të madh se 100 antarë. Për të garantuar pjesëmarrje sipas grupeve të caktuara shoqërore brenda komunitetit të avokatëve, ai kompozohet mbi bazën e kritereve të mëposhtme:

 

  1. 50 përqind e antarësisë zgjidhet nga avokatët me përvojë profesionale jo më pak se 10 vjet në ushtrim të profesionit;
  2. 20 përqind e antarësisë zgjidhet nga avokatët me përvojë profesionale deri 10 vjet në ushtrim të profesionit;
  3. 30 përqind e antarësisë zgjidhen nga antaret femra, pavarësisht përvojës profesionale në ushtrimi të profesionit.

 

Numuri i antareve femra të zgjedhura sipas kriterit 1 dhe 2 të mësipërm nuk përfshihen në numurin e antarësisë të përcaktuar sipas kriterit 3.

 

 

Neni 15

Mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të DHASH

 

Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë mblidhet jo më pak se dy herë në vit. Ai thirret nga Komiteti Drejtues me kërkesë të Kryetarit të DHASH ose në mungesë të tij nga zevendes kryetari. Për raste të jashtzakonshme të cilat kërkojnë domosdoshmërinë e thirrjes së KP, mbledhja e tij mund të kërkohet nga një grup antarësh të KP prej jo më pak se 1/3 e tyre ose nga një grup i komunitetit të avokatëve prej jo më pak se 100 avokatë.

Në rastin e thirrjes me nga ana e komunitetit të avokatëve, kërkesa duhet të bëhet me shkrim dhe në kërkesë duhet të tregohet arsyeja pse kërkohet thirrja e mbledhjes së KP, dorëzimi i dokumentacionit argumentues që tregon domosdoshmërinë për thirrjen e e kësaj mbledhje të jashtëzakonshme si dhe listat e antareve nismëtarë, të cilat duhet të jenë të shkruajtura pastër dhe dukshëm, me qëllim identifikimin e kërkuesve.

 

 

Neni 16

Mënyra e funksionimit të Këshillit të Përgjithshëm të DHASH

 

Këshilli i Përgjithshëm i DHASH është organ kolegjial vendimarrës dhe nuk kryen funksione administrative. Ai nuk funksionon në mënyrë permanente gjatë ushtrimit të funksioneve të veta. Mbledhja e tij bëhet nëpërmjet njoftimit elektronik nga ana e stafit administrativ të DHASH ose me forma të tjera të komunikimit. Njoftimi për pjesëmarrje në mbledhje të antarëve të KP bëhet jo më vonë se 15 ditë përpara ditës së zhvillimit të mbledhjes. Pjesëmarrja është e detyrueshme. Mungesa dy herë radhazi në pjesëmarjen e mbledhjes së KP, pa shkaqe të justifikuara, ka për pasojë ndërprerjen e ushtrimit të mandatit. Ndërprerja e mandatit sipas rastit të mësipërm bëhet me propozim të kryetarit dhe me vendim të 1/2 së antarëve të KP.

 

 

Neni 17

Quorumi i nevojshëm për mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të DHASH

 

Mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm kërkon domosdoshmërisht pjesëmarjen e jo më pak se 2/3 të anatëve të zgjedhur në të. Në rast të mos plotësimit të quorumit të nevojshëm, mbledhja zhvillohet pas një jave në të njëjtën orë dhe në rast të mosplotësimit përsëri të quorumit, mbledhja zhvillohet në prani të antarëve prezent, duke shtuar në rendin e ditës edhe masat që duhen marrë ndaj antarëve që kanë shkaktuar një situate të tillë.

 

 

Neni 18

Marrja e vendimeve

 

Mbledhja e KP drejtohet nga Kryetari i DHASH dhe në mungesë të tij nga zëvendës kryetari. Rendi i ditës i miratuar në Komitetin Drejtues bëhet prezent nga ana e Kryetarit dhe më pas vijohet sipas procedurave normale.

Vendimet nga ana e KP merren me votim të fshehtë ose të hapur, sipas vlerësimit nga ana e KP. Vendimi për mënyrën e votimit merret me votim të hapur dhe për miratimin e propozimit të paraqitur, nevojiten të votojnë 50 përqind plus 1 e antarëve të pranishëm në sallë.

Këshilli i Përgjithshëm i DHASH nuk mund të marrë vendime jashtë kompetencave të përcaktuara në nenin 27, pika 3 e ligjit 55/2018 “Për profesionin e avokatit në Republikën e Shqipërisë”.

Quorumi i nevojshëm për marrjen e vendimeve nga ana e KP përcaktohet në pikën 4 të nenit 27 të ligjit 55/2018.

 

 

 

Neni 19

Mënyra e egzekutimit të  vendimeve

 

Mbas marrjes së vendimit, Kryetari, vetë ose nëpërmjet një personi të ngarkuar prej tij, zbardh vendimin e marrë sipas modelit standard të një akti administrativ, në të cilin përcaktohen edhe afatet e realizimit të objektivave që synon vendimi dhe brenda një afati kohor 15 ditor ja përcjell për ekzekutim drejtorit administrativ të Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë. Ky i fundit merr të gjitha masat administrative dhe organizative për realizimin e vendimit të marë dhe kur vendimi vlerësohet i plotësuar në qëllimin e vet, njofton kryetarin për realizimin ose jo të objektivave të vendimit përkatës.

 

 

Komiteti Drejtues i Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë

 

Neni 20

Zgjedhja dhe përbërja e Komitetit Drejtues

 

 

Komiteti Drejtues  i Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë zgjidhet nga Këshilli i Përgjithshëm i kësaj dhome në mbledhjen e tij të parë. Kandidimi për antar i Komitetit Drejtues të DHASH duhet domosdoshmërisht të bëhet nga antarët e zgjedhur të Këshillit të Përgjithshëm. Komiteti Drejtues përbëhet nga 17 antarë. Numuri i tij mund të ndryshohet me propozim të 2/3 të antarëve të Këshillit të Përgjithshëm të DHASH.

Zgjedhja e antarit të Komitetit Drejtues bëhet me votim të fshehtë.

Këshilli i Përgjithshëm i DHASH ka detyrimin të vendosë kritere lidhur me:

  1. Përfaqësimin në këtë organ në të paktën 1/3 e tij nga antarë të dhomave vendore që kanë numurin më të madh të antarësisë të avokatëve. Në këtë klasifikim përjashtohen antarët e zgjedhur përfaqësues të Dhomës së Avokatisë Tiranë;
  2. Përfaqësimin në këtë organ në të paktën 1/3 e tij të antareve femra, ku përfshihen edhe numuri i antareve femra të zgjedhura sipas pikës 1 të këtij paragrafi;
  3. Të paktën 2 prej antarëve të zgjedhur sipas kritereve të mësipërme duhet të jenë nga radhët e antarësisë të zgjedhur në KP të DHASH nga përfaqësia e avokatëve që ushtrojnë profesionin e avokatit nga 1 deri në 10 vjet.

Antari i Komitetit Drejtues të cilit i ndërpritet mandati përpara kohe, sipas përcaktimeve në ligj dhe në këtë Statut, zëvendësohet nga kandidati i radhës në listën e shpalljes së fituesve për Komitetin Drejtues të DHASH.

 

 

Neni 21

Mbledhja e Komitetit Drejtues të DHASH

 

Komiteti Drejtues i DHASH është organ që merr vendime kolegjiale dhe nuk kryen veprimtari administrative. Ai nuk funksionon në mënyrë permanente gjatë ushtrimit të funksioneve të veta. Komiteti Disiplinor thirret nga ana e kryetarit të DHASH sa herë ai vlerëson për një gjë të tillë si dhe nga 1/3 e antarëve të këtij Komiteti kur ata e vlerësojnë të nevojshme, por në çdo rast jo më pak se një herë në tre muaj. Njoftimi i anatrëve të Komitetit Disiplinor për mbledhjen e radhës bëhet nëpërmjet njoftimit elektronik nga ana e administratës së DHASH.

Njoftimi për pjesëmarrje në mbledhje të antarëve të KD bëhet jo më vonë se 10 ditë përpara ditës së zhvillimit të mbledhjes. Pjesëmarrja në mbledhje është e detyrueshme.

 

 

Neni 22

Quorumi i nevojshëm për mbledhjen e Komitetit Drejtues të DHASH

 

Mbledhja e Komitetit Drejtues kërkon domosdoshmërisht pjesëmarjen e jo më pak se 50 përqind plus një të antarëve të zgjedhur në të. Në rast të mos plotësimit të quorumit të nevojshëm, mbledhja zhvillohet pas një jave në të njëjtën orë dhe në rast të mosplotësimit përsëri të këtij quorumi, mbledhja zhvillohet në prani të antarëve prezent, duke shtuar në rendin e ditës edhe masat që duhen marrë ndaj antarëve shkaktarë të një situate të tillë.

 

 

Neni 23

Marrja e vendimeve

 

Mbledhja e Komitetit Drejtues drejtohet nga Kryetari i DHASH dhe në mungesë të tij nga zëvendës kryetari. Rendi i ditës bëhet prezent nga ana e Kryetarit dhe më pas vijohet me procedurat e zakonshme.

Vendimet merren me votim, i cili do të vendoset nga vetë Komiteti Drejtues nëse do të jetë votim i hapur apo votim i fshehtë, sipas rastit. Mënyra e votimit caktohet me votim të hapur dhe për miratimin e propozimit nevojiten të 50 përqind plus 1 e votave të antarëve të pranishëm në mbledhje.

Komiteti Drejtues i DHASH mund të marrë vendime sipas kompetencave të përcaktuara në nenin 28, pika 2 e ligjit 55/2018 “Për profesionin e avokatit në Republikën e Shqipërisë”.

Procedura për ekzekutimin e vendimeve është i njëjtë si ai i parashikuar në nenin 19 të këtij Statuti.

 

 

Neni 24

 

Caktimi i listave të avokatëve kryesisht dhe atyre të ndihmës juridike

 

Komiteti Drejtues, çdo fund viti, merr vendim për fillimin e procedurave për

aplikim të avokatëve kryesisht për mbrojtjen e detyrueshme, parashikuar nga neni 49 i K.Pr.Penale dhe ja përcjell vendimin administratës së DHASH. Po kështu vepron edhe për dhënien e ndihmës juridike falas, parashikuar nga neni 9 i ligjit 111/2017 “Për ndihmën Juridike të Garantuar nga Shteti”.

Stafi administrativ brenda datës 20 Dhjetor të vitit vijues shpall në faqen zyrtare të DHASH në formën e njoftimit, thirrje për shprehje interesi nga ana e avokatëve që dëshirojnë të bëhen pjesë e listave të avokatëve për ndihmën juridike dytësore dhe për avokatët e caktuar kryesisht.

Brenda datës 20 Janar të çdo viti, Komiteti Drejtues miraton listat e paraqitura për këtë qëllim dhe urdhëron administratën të shpallë në faqen zyrtare listat e miratuar dhe të përcjellë kopje të tyre pranë çdo organi procedues apo gjyqësor.

Në rast të mosshprehjes së interesit nga ana e avokatëve, Komiteti Drejtues i DHASH cakton listat e mësipërme sipas dhomave vendore të avokatisë.

Modalitetet, forma e aplikimit dhe mënyra e regullimit të shërbimit përcaktohen në regulloren e brendëshme të funksionimit të DHASH.

 

 

Neni 25

 

Kryetari dhe zëvendëskryetari i Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë.

 

Kryetari i Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë është autoriteti më i lartë përfaqësues i saj. Ai zgjidhet nga Këshilli i Përgjithshëm i DHASH dhe ka një mandat 4 vjeçar me të drejtë përsëritje edhe për katër vjet të tjera. Gjatë ushtrimit të mandatit të tij ai kryen njëkohësisht edhe funksionin e kryetarit të Këshillit të Përgjithshëm dhe kryetarit të Komitetit Drejtues. Ushtrimi i detyrave nga ana e kryetarit bëhet përkundrejt pagesës.

Kryetarit i mbaron mandati ditën kur mbushen 4 vjet nga zgjedhja e tij. Kryetari qëndron në detyrë deri në momentin e zëvendësimit nga kryetari i ri i zgjedhur sipas ligjit dhe dispozitave të këtij Statuti.

Ndërprerja e parakohshme e mandatit të kryetarit bëhet në rastet kur:

  1. Jep dorëheqjen;
  2. Gjatë ushtrimit të funksionit konstatohet paligjshmëri në plotësimin e ndonjë prej kritereve për ushtrimin e profesionit të avokatit;
  3. Humbet aftësinë për të vepruar;
  4. Shkarkohet sipas dispozitave të këtij statuti;
  5. Kur për më shumë se 6 muaj të pandërprerë nuk është në gjendje të ushtrojë këtë funksion. Konstatimi i pamundësia për ushtrimin e funksionit bëhet nga Këshilli i Përgjithshëm.

 

Post i zëvendës kryetarit buron për shkak të detyrës dhe njesohet me atë të Kryetarit të Dhomës Vendore të Avokatisë Tiranë, i dalë nga zgjedhjet e kësaj të fundit. Kompetencat e tij janë ato të Kryetarit, në rastin kur vendi mbetet vakant për shkak të ndërprerjes së parakohshme të mandatit të kryetarit sipas këtij neni ose me delegim të kompetencave të caktuara nga ana e këtij të fundit.

 

 

Neni 26

 

Kriteret për kandidim për Kryetar i Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë.

 

Kryetar i Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë mund të zgjidhet çdo avokat i cili plotëson kushtet e mëposhtme:

  1. Të ketë integritet të lartë moral dhe profesional;
  2. Të ketë eksperiencë në ushtrim të profesionit të avokatisë jo më pak se 15 vjet;
  3. Të mos ketë masa administrative të mara në ngarkim të tij;
  4. Të zotërojë aftësi menaxhuese dhe të ketë komunikim të vazhdueshëm dhe të kuptueshëm me komunitetin e avokatëve;
  5. Të ketë dhënë kontribute në aktivitetin e Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë.

 

 

 

Zgjedhja e Kryetarit të Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë.

 

Neni 27

 

Zgjedhja e Kryetarit të Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë bëhet nëpërmjet një procesi zgjedhor, në kuadrin e zgjedhjeve të përgjithshme të avokatisë. Kandidatët për kryetar të DHASH duhet të shprehin interesin  për kandidim jo më pak se 30 ditë para ditës së organizimit  të procesit zgjedhor për këtë qëllim.

Personi që dëshiron të Kandidojë për kryetar, duhet domosdoshmërisht të vijë nga radhët e Këshillit të Përgjithshëm të Dhomës së Avokatisë të dalë nga procesi i fundit zgjedhor.

Shprehja e interesit për të kandiduar për postin e kryetarit bëhet në formë shkresore dhe i paraqitet Komisionit Zgjedhor të Avokatisë. Bashkë me kërkesën, kandidati duhet të dorëzojë:

-          Një program të shkurtër në lidhje me vizionin e tij për të kandiduar në këtë post të lartë;

-          CV personale të kandidatit;

-          Fotokopje të Gradave apo Titujve shkencorë që ka;

-          Certifikata që zotëron dhe me anë të cilave ai provon se plotëson kritere të vecanta të parashikuara në nenin 24 të këtij statuti;

-          Çdo dokument apo material tjetër që ai mendon se mund ta përdorë në funksion të programit të tij.

 

 

Procesi për zgjedhjen e kryetarit Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë.

 

Neni 28

 

Procesi zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të DHASH zhvillohet pa debat dhe, si regull, zhvillohet me jo më pak se një kandidaturë.

Komisioni Zgjedhor, mbi bazën e kandidaturave të paraqitura, bën verifikimin e tyre dhe nëse i gjen ato në përputhje me kriteret e përcaktuara në nenin 27 dhe 28 të këtij Statuti, harton listën e kandidatëve për kryetar të DHASH.

Mbi bazën e kësaj liste të hartuar sipas rendit alfabetik të kandidatëve, Komisioni Zgjedhor prodhon fletët e votimit pë Kryetar të DHASH. Formati fletës së votimit do të përcaktohet në regulloren e votimit që hartohet me rastin e organizimit të procesit zgjedhor.

Në rast të kandidimit nga vetëm një person, afati kohor 30 ditor mund të reduktohet deri 5 ditë para fillimit të procesit të votimit. Në rast se edhe pas këtij afati nuk ka kandidatë që shprehin interes për postin e kryetarit, Komisioni Zgjedhor i Avokatisë vendos paraqitjen përpara Këshillit të Përgjithshëm të DHASH të kandidaturës së vetme. Në rast të mos paraqitjes të asnjë kandidati procesi përsëritet nga e para. 

Procesi zgjedhor për kryetar të DHASH bëhet në çdo rast me votim të fshehtë. Kandidati fitues duhet domosdshmërisht të ketë marë 50 përqind plus një të votave të antarësisë të Këshillit të Përgjithshëm, pavarësisht nga numëri i kandidatëve.

 

 

Shkarkimi i kryetarit të Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë.

 

Neni 29

 

Shkarkimi i kryetarit të Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë bëhet nga ana e Këshillit të Përgjithshëm të DHASH, në rastet kur :

 

  1. Dënohet me vendim penal të formës së prerë;
  2. Kryen veprime të cilat hapatazi bien ndesh me dispozitat ligjore si dhe me vendimet e Këshillit të Përgjithshëm dhe Komitetit Drejtues të Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë;

Iniciativa për propozimin e shkarkimit të kryetarit për rastet e mësipërme merret nga 1/3 e antarëve të Këshillit të Përgjithshëm ose me vendim të Komitetit Drejtues.

Marrja e vendimit të shkarkimit në rastin e parashikuar nga pika 2 e këtij neni bëhet me votim të fshehtë dhe për shkarkimin e tij nevojiten 2/3 e votave të numurit të antarësisë të Këshillit të Përgjithshëm.

Për rastet e parashikuara në pikat 1 dhe 3, shkarkimi bëhet në mënyrë automatike mbi bazën e një vendimi gjyqësor të formës së prerë.

 

 

Të drejtat e Kryetarit të Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë.

 

Neni 30

 

Kryetari i Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë, përveç kompetencave që i jep ligji, ka këto të drejta:

 

  1. Të përfaqësojë subjektin përpara çdo organi publik apo privat, si dhe përpara organeve gjyqësore apo proceduese që operojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë.
  2. Të hartojë politika me karakter kombëtar apo rajonal në lidhje me ushtrimin e profesionit të avokatit dhe të kërkojë nga organet shtetërore bashkëpunim në funksion të krijimit të një terreni ligjor sa më normal, me qëllim sigurimin e garancive në ushtrim të profesionit të avokatit.
  3. Të veprojë në drejtim të sigurimit të mardhënieve të bashkëpunimit reciprok me organizma që operojnë në fushën e drejtësisë, brenda apo jashtë Republikës së Shqipërisë.
  4. Të organizojë ceremoni pritje për delegacione simotra të huaja;
  5. Të përfaqësojë Dhomën e Avokatisë së Shqipërisë përpara organizmave ndërkombëtare në kuadrin e integrimit të avokatisë së Shqipërisë në strukturat europiane;
  6. Të nxjerë akte në funksion të organizimit të brendshëm të administratës;

 

 

 

Detyrat e Kryetarit të Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë.

 

Neni 31

 

Kryetari i Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë detyrohet:

 

  1. Të respektojë kompetencat që i jep ligji në lidhje me mbarëvajtjen e punës së organeve drejtuese dhe të raportojë në mënyrë periodike përpara këtyre organeve në lidhje me problematikën që ngren antarësia e avokatëve në ushtrim të profesionit;
  2. Të ushtrojë të drejtën e përfaqësimit të avokatëve përpara të gjitha organeve shtetërore dhe atyre gjyqësore e proceduese, me qëllim krijimin e raporteve  të drejta dhe ligjore midis tyre dhe avokatëve në ushtrim të profesionit;
  3. Të përdorë të gjithë autoritetin që i jep posti në funksion të përfshirjes së komunitetit të avokatëve në dhënien e kontributit në procesin e hartimit të ligjeve;
  4. Të krijojë raporte bashkëpunimi me çdo institucion të drejtësisë për ti dhënë avokatisë një rol faktorial në këtë fushë;
  5. Të ruajë raporte të drejta me të gjithë avokatët që operojnë brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë dhe tu japë përgjigje të gjithë problematikës së ngritur nga ana e tyre;
  6. Të autorizojë persona me kompetencë profesionale për të mundësuar zgjidhjen e problematikave që shtron ushtrimi i profesionit nga ana e avokatëve;
  7. Të programojë në mënyrë periodike takime pune me grupe të veçanta të avokatëve, veçanërisht me avokatët e rinj, për ti inkurajuar dhe ndihmuar ata për tu integruar në profesionin e avokatit; 
  8. Të hartojë strategjinë e kontrollit ndaj avokatëve në ushtrim të profesionit dhe që lidhen me transaksionet financiare të dyshimta të tyre dhe të klientëve që ata përfaqësojnë, si personi përgjegjës i autoritetit mbikqyrës që i ngarkon ligji për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
  9. Të ushtrojë kompetencat e organeve drejtuese në rafshin e organizimit të brendshëm të avokatisë;
  10. Të hartojë politikat e punësimit në lidhje me krijimin e mardhënieve ligjore të punës të stafit administrativ brenda kuadrit ligjor që parashikohet nga legjislacioni i fushës. 

 

 

 

 

 

KAPITULLI   II

 

Dhoma Vendore e Avokatisë

 

Neni 32

 

Dhoma vendore e avokatisë është njësia bazë e organizimit të brendshëm të Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë dhe përbëhet nga antarësia e të gjithë avokatëve të regjistruar në të. Personaliteti juridik i dhomës vendore të avokatisë ushtrohet nëpërmjet Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë.

Dhoma vendore e avokatisë përbëhet nga avokatët aktiv dhe avokatët pasiv.

Avokatë aktiv janë avokatët të cilët janë në ushtrim të profesionit të tyre dhe plotësojnë të gjitha kriteret e përcaktuara në nenin 14 të ligjit nr. 55/2018.

Avokatë pasiv janë ata avokatë të cilët nuk mund të ushtrojnë profesionin për shkaqe ligjore.

 

Neni 33

 

Dhomat vendore të avokatisë ushtrojnë kompetencat e tyre brenda njësisë territoriale ku ato veprojnë. Si regull, për aq sa është e mundur, shtrirja teritoriale hartohet mbi bazën e juridiksionit teritorial të veprimit të gjykatave të shkallës së parë.

Kompozimi i dhomave vendore të avokatisë bëhet mbi bazën e numrit të avokatëve të regjistruar në këto dhoma dhe që ushtrojnë profesionin e tyre përpara gjykatave dhe prokurorive sipas ndarjes territoriale ku dhoma vendore ka juridiksionin e saj. Atje ku numri i avokatëve është i vogël dhe nuk krijon mundësinë e krijimit të një dhome vendore avokatie, mund të bëhet bashkim i dy ose më shumë njësive territoriale në një dhomë vendore të vetme, pavarësisht juridiksionit gjyqësor të gjykatave ku ushtrojnë aktivitetin avokatët.

Dhomat vendore të avokatisë që veprojnë në territorin e Republikës të Shqipërisë janë trembëdhjetë. Ky numur mund të ndryshojë me vendim të Këshillit të Përgjithshëm kryesisht ose me propozim të 1/3 të antarëve të tij.

 

 

Organet drejtuese të dhomës vendore të avokatisë

 

Neni 34

Mbledhja e Përgjithshme e Dhomës Vendore të Avokatisë

 

Organet drejtues të dhomës vendore të avokatisë janë ato të përcaktuara në nenin 31 të ligjit nr.55/2018 “Për profesionin e avokatit në Republikën e Shqipërisë”.

Mbledhja e Dhomës Vendore të Avokatisë është organi më i lartë vendimarrës. Në të marin pjesë të gjithë antarët aktivë dhe pasivë të dhomës vendore. Të drejtën e zgjedhjes për organet drejtuese të dhomës vendore e ushtrojnë vetëm avokatët aktiv.

Mbledhja e Dhomës Vendore të Avokatisë ka kompetenca të zgjedhë organet drejtuese të saj. Organizimi i zgjedhjeve, mënyra e votimit dhe zgjedhja e organeve të dala prej saj trajtohen në nenin 42 deri 48 të këtij Statuti.

Mbledhja e Përgjithshme e Dhomës Vendore të Avokatisë thirret nga kryetari i dhomës vendore sa herë e sheh ai të arsyeshme, ose me kërkesë të 1/3 të antarëve të dhomës vendore, kur ata e shohin të domosdoshme një gjë të tillë. Përjashtimisht nga mbledhja periodike e saj, Mbledhja e Përgjithshme e Dhomës Vendore të avokatisë është e detyruar të mblidhet në rastin e organizimit të zgjedhjeve të avokatisë kur lajmërohet nga ana e organeve drejtuese të DHASH.

 

Neni 35

 

Komiteti Drejtues i Dhomës Vendore të Avokatisë

 

Komiteti Drejtues i Dhomës Vendore të Avokatisë është organ i zgjedhur nga Mbledhja e Përgjithshme e Dhomës vendore të Avokatisë, nëpërmjet një procesi votimi.

Numuri i antarëve të këtij Komiteti përcaktohet në bazë të numurit të antarësisë të dhomës vendore të avokatisë, por në çdo rast ky numur nuk mund të jetë më i vogël se tre antarë dhe jo më i madh se shtatë antarë.

Përjashtim nga regulli i mësipërm bën Dhoma vendore e Avokatisë Tiranë, ku numuri i antarëve të Komitetit Drejtues përcaktohet në bazë të raportit një antar i Komitetit për cdo 50 antarë të regjistruar pranë DHASH.

Këshilli i Përgjithshëm i DHASH mund të vendosë ndryshimin e koeficientëve të mësipërm mbi bazën e propozimit të 1/3 të antarësisë të këtij Këshilli.

Kryetari dhe sekretari i dhomës vendore të avokatisë janë antarë të këtij Komitetit Drejtues për shkak të funksionit të tyre.

Antari i Komitetit Drejtues të cilit i ndërpritet mandati sipas ligjit dhe nenit 48 këtij Statuti zëvendësohet nga kandidati i radhës nga lista e shpallur e fituesve të Komitetit Drejtues.

 

Neni 36

 

Kryetari i Dhomës Vendore të Avokatisë

 

Kryetari i Dhomës Vendore të Avokatisë zgjidhet nga Mbledhja e Përgjithshme e Dhomës vendore të Avokatisë, nëpërmjet procesit të votimit, sipas përcaktimeve të nenit 43 dhe 44 të këtij Statuti.

Mandati i tij është 4 vjeçar, me të drejtë rizgjedhje edhe vetëm një herë. Përfundimi i mandatit bëhet në rastet dhe sipas procedurave të shkarkimit të kryetarit të DHASH, të parashkuara në nenin 29 të këtij Statuti. Shkarkimi i kryetarit të Dhomës Vendore të Avokatisë nga ana e organeve vendore i kalon për miratim përfundimtar Komitetti Drejtues të Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë. Ky i fundit miraton ose jo vendimin e organeve lokale. Kundër vendimit të Komitetit Drejtues të DHASH lejohet ankim në gjykatën administrative Tiranë, brenda afateve të parashikuara në K.Pr.Civile.

Kryetari i dhomës vendore të avokatisë ka këto kompetenca:

  1. Nxjerr akte me karakter lokal që lidhen me respektimin e regullit të brendshëm të funksionimit të dhomës vendore;
  2. Thërret Mbledhjen e Përgjithshme  të Dhomës Vendore sa herë ai e sheh të arsyeshme;
  3. Prezanton përpara antarësisë së dhomës vendore vendimet e mara nga ana e Këshillit të Përgjithshëm dhe objektivat që dhoma vendore ka për aritjen e këtyre objektivave, sa herë një gjë e tillë është e nevojshme;
  4. Paraqet pranë organeve kompetente të DHASH çdo problematikë të ngritur për zgjidhje nga ana e antarësisë të dhomës vendore;
  5. Merr masat organizative për kontrollin dhe pranimin e dokumentacionit të nevojshëm për asistent avokatët dhe lëshon vërtetimin përkatës bazuar ligjit për avokatinë;
  6. Organizon fushata sensibilizimi në lidhje me shprehjen e interesit nga ana e  avokatëve antarë të dhomës vendore, për aplikim për ndihmën juridike falas dhe mbrojtjen e detyrueshme;
  7. Raporton përpara organeve kompetente të Dhomës së Avokatisë në lidhje me konstatimin e transaksioneve financiare të dyshimta të antarëve të dhomës vendore në juridiksion të tij.

 

 

Neni 37

 

Sekretari i Dhomës Vendore të Avokatisë

 

Sekretari i Dhomës Vendore zgjidhet nga Mbledhja e Përgjithshme e Dhomës Vendore të Avokatisë, nëpërmjet procesit të votimit, sipas përcaktimeve të nenit 43 dhe 44 të këtij Statuti.

Mandati i tij është 4 vjeçar me të drejtë përsëritje edhe vetëm një herë dhe përfundimi i mandatit bëhet në rastet dhe sipas procedurave të shkarkimit të kryetarit, të parashkuara në nenin 47 të këtij Statuti.

Sekretari i dhomës vendore të avokatisë ka këto kompetenca:

 

  1. Organizon dhe përgatit kushtet për thirrjen e Mbledhjes së Përgjithshme dhe mer të gjitha masat për sigurimin e pjesëmarjes të antarësisë së dhomës vendore, referuar urdherit të kryetarit të dhomës për këtë qëllim;
  2. Organizon punën për caktimin e avokatëve të ndihmës juridike falas, duke respektuar parimin e rotacionit, mbi bazën e listave të përpiluara nga ana e Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë;
  3. Harton listat e avokatëve kryesisht për ofrimin e shërbimit të avokatisë në rastin e mbrojtjes së nevojshme. Listat hartohen mbi bazën e aplikimit të avokatëve sipas formularëve të miratuar nga ana e DHASH;
  4. Krijon regjistrin e avokatëve aktiv, pasiv dhe të asistent avokatëve, sipas kërkesave të ligjit për këtë qëllim;
  5. Merr të gjitha masat organizative për sigurimin e pjesëmarrjes dhe ambienteve për zhvillimin e akiviteteve me karakter trajnues apo të çdo lloj forme tjetër; 
  6. Bashkë me kryetarin dhe me Dhomën e Avokatisë të Shqipërisë garanton marrjen e masave dhe sigurimin e kushteve për organizimin e zgjedhjeve të avokatisë brenda juridiksionit të dhomës vendore.

 

 

 

KREU V

ORGANIZIMI  I ZGJEDHJEVE TË AVOKATISË

 

 

Neni 38

Të përgjithshme

 

Organet drejtuese të avokatisë zgjidhen nëpërmjet një procesi zgjedhor i cili organizohet çdo 4 vjet, nën drejtimin dhe monitorimin e plotë të Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë.

Mandati i organeve të zgjedhura përfundon vitin e katërt dhe datën në të cilin janë zgjedhur këto organe. Përfaqësuesit e organeve të zgjedhura qëndrojnë në detyrë deri ditën e zgjedhjes së përfaqësuesve të rinj dhe gjatë kësaj periudhe ata ushtrojnë kompetencat njëlloj sikur të ishin brenda mandatit të tyre të regullt.

 

 

Procesi zgjedhor

Neni 39

 

Procesi zgjedhor i avokatisë organizohet me vendim të Këshillit të Përgjithshëm të DHASH. Jo më vonë se 6 muaj përpara mbarimit të mandatit të tij, Këshilli i Përgjithshëm  shpall organizimin e zgjedhjeve të radhës.

Në vendimin për shpalljen e zgjedhjeve duhet të përcaktohet dita e fillimit dhe mbarimit të zgjedhjeve, radha e zgjedhjes së organeve drejtuese në rang kombëtar dhe lokal si dhe kriteret për kandidim të përfaqësuesve për këto organeve.

Njëkohësisht në vendim përcaktohet edhe numri i antarëve të Komitetit Drejtues për secilën prej dhomave vendore, numri i përfaqësuesve të saj për në Këshillin e Përgjithshëm të DHASH si dhe numri i Këshillit të Përgjithshëm të DHASH.

 

 

Neni 40

 

Procesi zgjedhor i avokatisë fillon me organizimin e zgjedhjeve në rang dhoma vendore avokatie, sipas kalendari të hartuar nga DHASH dhe të miratuar nga ana e Këshillit të Përgjithshëm të saj.

Si regull, kalendari hartohet duke planifikuar fillillimin e procesit zgjedhor nga dhomat vendore me përbërje më të vogël të antarësisë dhe deri në përfundim të tyre, me zgjedhjet në dhomën e avokatisë Tiranë.

Mbi bazën e vendimit për këtë qëllim, stafi administrativ i DHASH merr të gjitha masat organizative dhe të infrastrukturës zgjedhore, me qëllim sigurimin e mbarëvajtjes të procesit në çdo dhomë vendore avokatie.

Në masat organizative përfshihet gjithë veprimtaria për sigurimin e ambienteve, krijimi dhe shpallja e listave zgjedhore, sigurimi i bazës materiale zgjedhore, hartimit dhe prodhimit të fletëve të votimit si dhe përgatitja e procesverbaleve dhe vendimeve përkatëse dhe që lidhen me dokumentimin e procesit zgjedhor.

 

 

Zgjedhjet e dhomave vendore të avokatisë

 

Neni 41

Hartimi i listave zgjedhore

 

Listat zgjedhore përgatiten nga ana e stafit administrativ të DHASH në bashkëpunim me organet e zgjedhura të dhomës vendore dhe publikohen në faqen zyrtare të DHASH dhe në ambiente të dukshme pranë gjykatave ku ushtron aktivitetin dhoma vendore e avokatisë. Publikimi i listave të votuesve bëhet jo me vonë se 20 ditë nga zhvillimi i procesit zgjedhor.

Antarët e dhomave vendore të avokatisë që plotësojnë kriteret për pjesëmarje në votim dhe nuk figurojnë në listat zgjedhore, kanë të drejtë të drejtohen personalisht ose në rrugë elektronike prane DHASH ku do të marrin sqarimet përkatëse. Mbi bazën e ankimeve të antarësisë së dhomës vendore, listat e publikuara mund të ndryshohen në rast të ndryshimit të kritereve për të qenë pjesë e këtyre listave, deri 24 orë përpara procesit të votimit.

Në listat e votimit bëjnë pjesë vetëm avokatët të cilët plotësojnë kriteret e ushtrimit të profesionit të avokatit, parashikuar sipas nenit  35 të këtij Statuti.

 

 

Organizimi i zgjedhjeve

Neni 42

 

Mbledhja e Dhomës Vendore të Avokatisë e organizuar me rastin zgjedhjeve ka për rend dite vetëm zhvillimin e votimit. Procesi zgjedhor kryhet pa debat. Të drejtën e kandidimit për organet drejtuese të dhomës vendore të avokatisë e ka çdo antar i kësaj dhome, i cili plotëson kriteret e përcaktuara në nenin 14 të ligjit si dhe në nenin 34 të Statutit.

Në momentin e shpalljes së datës për zhvillimin e zgjedhjeve vendore të avokatisë çdo avokat ka të drejtë të paraqesë kandidaturën e vet sipas preferencës së tij, për organet drejtuese të dhomës vendore. Afati përfundimtar i kandidimit për këto organe është jo më vonë se 48 orë përpara zhvillimit të zgjedhjeve. Një kandidat nuk mund të kandidojë njëkohësisht për kryetar dhe sekretar i dhomës vendore.

Nunuri i kandidatëve për çdo organ drejtues caktohet nga ana e organeve drejtuese të DHASH, gjithnjë duke respektuar kriteret e përcaktuara në nenin 45 të këtij Statutit.

 

 

Neni 43

 

Përpara se të fillojë procei i votimit për organet drejtuese të dhomës, organizatorët e zgjedhjeve orientojnë procesin fillimisht për  zgjedhjen e Komisionit të votimit, i cili duhet të përbëhet nga tre deri shtatë antarë, në raport me numurin e antarësisë së dhomës. Për dhomat që kanë deri 50 antarë të regjistruar në listat e votimit, numuri i antarëve të komisionit të votimit është 3 antarë. Kur numuri i antarësisë në listat e votimit është nga 50 deri 100 antarë, komisioni përbëhet nga 5 antarë dhe  kur numuri i votuesve është më i madh se 100 antarë, komisioni votimit përbëhet prej 7 antarë.

Pasi kostituohet, komisionit zgjedhor të dhomës vendore i vendosen në dispozicion gjithë dokumentacioni i përgatitur për ecurinë e procesit zgjedhor dhe më pas ai vijon me procesin e votimit.

Procesi i votimit zhvillohet me dy raunde, raundi i parë, zgjedhja e kryetarit dhe sekretarit të dhomës vendore dhe raundi i dytë, zgjedhja e Komitetit Drejtues të dhomës vendore dhe përfaqësuesve të saj për në Këshillin e Përgjithshëm të DHASH.

 

 

Neni 44

 

Procesi i votimit në raundin e parë për kryetar dhe sekretar zhvillohet në të njëjtën kohë në dy fletë votimi të ndryshme, të dallueshme nga njera tjetra. Fletët e votimit pasi plotësohen nga avokatët e ftuar për votim sipas rendit të votuesve, hidhen në dy kuti të veçanta për secilin organ.

Kryetari dhe Sekretari i zgjedhur nga procesi zgjedhor janë automatikisht antarë të Komitetit Drejtues të dhomës vendore të avokatisë.

Pasi përfundon procesi i votimit për këto dy organe dhe shpallen fituesit e dalë nga raundi i parë, zhvillohet raundi i dytë i votimit, ai për antarë të Komitetit Drejtues si dhe përfaqësuesit e dhomës vendore për në Këshillin e Përgjithshëm. Kandidatët që nuk kanë rezultuar fitues në procesin e votimit për kryetar dhe sekretar kanë të drejtë të kandidojnë për antar i Komitetit Drejtues të dhomës vendore të avokatisë si dhe për përfaqësues i dhomës vendore në Këshillin e Përgjithshëm të DHASH.

 

 

Neni 45

Zgjedhja e përfaqësuesve të dhomës vendore në KP të DHASH

 

Procesi zgjedhor në çdo dhomë vendore përfshin zgjedhjen e përfaqësuesve të saj për në

Këshillin e Përgjithshëm të DHASH. Kryetari dhomës vendore të avokatisë i dalë nga procesi i zgjedhjeve të radhës është automatikisht antar i Këshillit të Përgjithshëm për shkak të detyrës. Sekretari i dhomës vendore nuk mund të kandidojë për tu zgjedhur përfaqësues i kësaj dhome në Këshillin e Përgjithshëm të DHASH.

Numri i përfaqësuesve për në Këshillin e Përgjithshëm që do të dalë nga procesi zgjedhor përcaktohet me vendim të Këshillit të Përgjithshëm dhe në raporte të drejta me numurin e antarësisë për çdo dhomë vendore avokatie.

Numuri i antarëve përfaqësues të dhomave vendore të avokatisë për në Këshillin e përgjithshëm, nuk mund të jetë më i vogël se dy dhe më i madh se shtatë. Si regull, per çdo 30 avokate zgjidhet nje përfaqësues për në Këshillin e Përgjithshëm.

Përjashtim nga regullat e mësipërme bëhet vetëm për dhomën vendore të avokatisë Tiranë.

 

Neni 46

Përzgjedhja e përfaqësuesve të dhomave vendore në KP të DHASH

 

Këshilli i Përgjthshëm ka një numur të caktuar prej 87 antarë, të cilët përzgjidhen si më poshtë:

-          50 përqind plus një të antarëve zgjidhen nga dhoma vendore e avokatisë Tiranë;

-          Pjesa tjetër zgjidhet nga antarësia e dhomave të tjera vendore, sipas kritereve të përcaktuara në nenin 14 dhe 46 të këtij Statuti.

 

Kryetari Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë dhe zëvendës kryetari i saj janë antarë të KP për shkak të detyrës.

 

 

Neni 47

Mandati i përfaqësuesve të zgjedhur në organet drejtuese

 

Përfaqësuesve të zgjedhur në organet drejtuese të DHASH dhe dhomave vendore të avokatisë u mbaron mandati 4 vjet pas ditës që e kanë fituar këtë mandat.

Antarët e organeve drejtuese që u ka përfunduar mandati qëndrojnë në detyrë deri në zëvendësimin e tyre nga antarët e rinj të zgjedhur. Gjatë kësaj periudhe tranzitore, organet që u ka mbaruar mandati s’kanë të drejtë vendimarrje por kryejnë vetëm funksione organizative.

Mandati i përfaqësuesve të zgjedhur përfundon para kohe në rastet e mëposhtme:

-          Me dorëheqje;

-          Në rast vdekje;

-          Kur gjatë periudhës ushtrimore krijohen situata të cilat bien në papajtueshmëri me ushtrimin e profesionit të avokatit;

-          Kur shkarkohen me vendim të organeve kompetente sipas parashikimeve në këtë Statut.

Në rast të përfundimit para kohe të mandatit të antarëve të zgjedhur në rastin e organeve drejtuese, vendi i ngelur vakant zëvendësohet nga personi i radhës jo fitues në listën e shpalljes së rezultateve. Në rastin e kryetarit dhe sekretarit të dhomës vendore, organizohen zgjedhje të reja brenda 30 ditëve nga momenti i konstatimit të vakancës.

 

 

 

 

 

KREU VI

USHTRIMI I PROFESIONIT TË AVOKATIT

 

 

Neni 48

 

Fitimi i titullit të avokatit

 

Titullin e avokatit kanë të drejtë ta fitojnë të gjithë ata subjekte të cilët plotësojnë kushtet e përcaktuara në nenin 13 të ligjit. Rasti i kufizimeve të parashikuara nga kjo dispozitë sipas pikës 2, gërma “d”, paragrafi “ii” dhe “iii” të ligjit për avokatinë, përfshin të gjithë ata persona të cilët kanë konsumuar veprat penale si më poshtë:

  1. Për të gjitha veprat penale që parashikohen në pikën 1, gërma “ç” paragrafi “i” të ligjit, me përjashtim të atyre veprave të kryera me pakujdesi dhe që nuk janë rehabilituar, të cilat klasifikohen si kundërvajtje administrative dhe :

-          Ndaj tyre janë dhënë vendime alternative të dënimit me burgim sipas parashikimeve të nenit 58, 59, 59/a, 60 dhe 60/a të Kodit Penal, me përjashtim të personave të cilët shkelin kushtet dhe detyrimet gjatë kohës së provës, parashikuar nga neni 62 i K.P.

-         Vendimi i dhënë ndaj personit përcakton një dënim me burgim jo më shumë se 15 muaj.

  1. Rrethi i veprave penale të kryera me dashje, të cilat edhe pse janë rehabilituar cenojnë figurën dhe integritetin e avokatit, si më poshtë :

-          Veprat penale të parashikuara nga Kreu II, seksioni VI i Kodit Penal, Krime Seksuale, veçanërisht ato të përcaktuara në nenin 100, 101, 103, 104, 106, 107/a dhe 108 të këtij Kodi;

-         Veprat e parashikuara nga neni 128/b i Kodit Penal, trafikimi i të miturve;

-         Veprat e parashikuara nga kreu i VII i Kodit Penal, Vepra me Qëllime Terroriste, veçanërisht nenet 230, 230/a, 230/b, 231, 234/a, 234/b dhe 287.

 

 

Neni 49

 

Në zbatim të gërmës “e” të pikës 2 të nenit 13 të ligjit për avokatinë, afatet e shuarrjes së masës disiplinore në ngarkim të personave që aplikojnë për të fituar titullin avokat është si më poshtë:

  1. Për gjyqtarët dhe prokurorët, të cilët me vendim të formës së prerë rezultojnë jo kalues nga procesi i vetingut, për shkak të vlerësimit të pasurisë dhe kontrollit të figurës, afati i shuarjes së masës disiplinore është 5 vjet. Nëse largimi nga detyra është për shkak të vlerësimit profesional, afati i mësipërm është i pazbatueshëm.
  2. Për nëpunësit shtetërorë të cilët kanë ushtruar detyra që përkojnë me statusin e nëpunësit civil, ky afat është ai i përcaktuar në ligjin për statusin e nëpunësit civil, me kushtin që masa disiplinore të jetë marrë për shkelje të etikës në mardhëniet me kolegët, vartësit dhe eprorët. Në rastin kur masa disiplinore lidhet me mungesën e aftësive profesionale apo vlerësimit të rezultateve në ushtrimin e detyrës ky afat nuk zbatohet.
  3. Për personat e tjerë ndaj të cilëve bashkë me vendimin penal është aplikuar një vendim plotësues për ndalim të ushtrimit të profesionit dhe kualifikimi i veprës penale në ngarkim të tij është brenda kritereve të cilësuara në nenin 48 të këtij statuti, përfundimi i afatit sipas vendimit plotësues është njëkohësisht edhe momenti kur personit i lind e drejta për aplikim për fitimin e titullit “Avokat”.

 

 

Neni 50

 

Subjektet që përfshihen në nenin e mësipërm, në momentin e aplikimit për regjistrim pranë DHASH kanë detyrimin ligjor të vetëdeklarojnë në lidhje me masat disiplinore në ngarkim të tyre. Deklarata për këtë qëllim është e detyrueshme të plotësohet edhe për avokatët që për shkak të papajtueshmërisë ligjore për ushtrimin e profesionit ndryshojnë statusin nga avokat pasiv në atë aktiv. Deklarata për masat disiplinore është pjesë e dokumentacionit individual dhe bëhet pjesë e dosjes personale të kandidatit apo avokatit.

Në rast deklarimi të rremë, subjektet e mësipërme i nënshtrohen procedimit disiplinor. Në marrjen e masës disiplinore ndaj tyre duhet të vlerësohen rrethanat të cilat kanë detyruar subjektin të bëjë deklarim të remë dhe masa duhet të merret në mënyrë proporcionale dhe në përputhje me kategorizimet e përcaktuara në nenin 49 të Statutit.

 

Neni 51

 

Provimi i avokatisë

 

Provimi i avokatisë është kusht i domosdoshëm për fitimin e titullit avokat. Ai zhvillohet dy herë në vit dhe periudha nga provimi i mëprashëm në atë të radhës nuk mund të jetë më pak se 6 muaj. Datat e zhvillimit të provimit caktohen nga Komiteti Drejtues i DHASH çdo fillim viti.

Provimi organizohet në një ditë të vetme dhe zhvillohet me shkrim. Tezat e provimit hartohen nga ana e Komisionit të Provimit, të ngritur sipas nenit 21, pika 3 e ligjit dhe  përmban pyetje teorike dhe praktike.

Regulla të hollësishme për organizmin, zhvillimin dhe shpalljen e rezultateve të provimit, si dhe përjashtimi nga detyrimi i dhënies të provimit, pasqyrohen në Regulloren e Provimit të Avokatisë.

 

Neni  52

 

Rregjistrimi për pjesëmarrje në provim

 

Rregjistrimi i kandidatit për avokat për pjesëmarrje në provim kryhet me paraqitjen individuale të tij ose nëpërmjet një përfaqësuesi pranë ambienteve të administratës të DHASH. Bashkë me dokumentacionin personal kandidati kryen edhe pagesën e tarifës së regjistrimit, e cila është e pakthyeshme pavarësisht nëse kandidati shpallet fitues apo jo, me përjashtim të rastit kur ai heq dorë nga pjesëmarrja në provim.

Jo më parë se 24 orë përpara zhvillimit të provimit stafi administrativ pezullon regjistrimet për këtë qëllim dhe procedon me hartimin e listave përkatëse për pjesëmarje të kandidatëve në provim. Për të garantuar një proces të regullt dhe të monitorueshëm, hartimi i listave bëhet në raport me numurin e kandidatëve të regjistruar dha kapacitetin e ambienteve ku do të zhvillohet provimi.

Listat e përpiluara si më lart i vihen ne dispozicion komisionit te provimit, i cili nga ana e vet i dorëzon tek komisionerët e monitorimit për identifikimin e pjesëmarësve.

 

Neni  53

 

Perjashtimi nga detyrimi pjesemarjes ne provim

 

Përjashtimi nga detyrimi i pjesëmarrjes ne provim për kategoritë e cituara në nenin 22, pika 1 e ligjit bëhet mbi bazën e kërkesës së kandidatit që pretendon një gjë të tillë. Kërkesa depozitohet pranë stafit administrativ të DHASH i cili e kalon për kompetencë Komitetit Drejtues të saj. Ky i fundit pasi verifikon nëse janë respektuar kërkesat e parashikuara në ligj, voton ose jo për përjashtimin e kandidatit nga detyrimi i pjesëmarrjes në provimin e avokatisë.

Në respektim të kritereve që parashikon ligji për këtë qëllim, kandidati duhet:

  1. Të ketë eksperiencë profesionale në fushën e drejtësisë jo më pak se 20 vjet;
  2. Të ketë kualifikime të veçanta brenda ose jashtë vendit dhe të zotërojë gradë shkencore Profesor i Asociuar ose Profesor Doktor në fushën e jurisprudencës. Në këtë rast eksperienca profesionale e përcaktuar në pikën a të këtij neni kufizohet në jo më pak se 15 vjet.
  3. Të jetë pjesë e stafit akademik si lektor i brendshëm pranë fakulteteve juridike të universiteteve publike për një periudhë jo më pak se 5 vjet.

 

 

Neni  54

 

Votimi për Perjashtim nga detyrimi pjesemarjes ne provim

 

Votimi i kërkesës për përjashtim nga detyrimi për dhënien e provimit bëhet i fshehtë nga ana e Komitetit Drejtues të Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë. Kërkesa miratohet në rast se në favor të kërkesës për miratim kanë votuar 50 përqind plus një e antarëve të numurit të përgjithshëm të Komitetit Drejtues.

Kandidati i shpallur fitues sipas procedurës së mësipërme përjashtohet automatikisht nga detyrimi i kryerjes së stazhit të kandidatit për avokat dhe për kryerjen e trajnimit fillestar pranë Shkollës së Avokatisë dhe, brenda 30 ditëve nga dita e votimit detyrohet të plotësojë detyrimet e tjera sipas parashikimeve të nenit 13 të ligjit.

 

Neni  55

 

Perjashtimi nga detyrimi i stazhit të kandidatit për avokat

 

Në rastin e kërkesës për përjashtim nga stazhi i kandidatit për avokat dhe të detyrimit për ndjekjen e programit të trajnimit fillestar pranë Shkollës së Avokatisë të Shqipërisë, kandidatëve të cilëve u lind e drejta sipas përcaktimeve të nenit 22, pika 2 e ligjit për avokatinë në RSH duhet të paraqesin dokumentacion të plotë, për të provuar eksperiencën profesionale në funksinet e cituara në ligj si dhe afatin ligjor të përcaktuar në të.

Dokumentacioni i nevojshëm për këtë qëllim duhet të përmbajë:

  1. Aktin e emërimit në detyrë;
  2. Vërtetim nga organi kompetent ku të tregohet se personi ka ushtruar detyrën e përcaktuar në ligj për një periudhë 5 vjeçare dhe në mënyrë të pandërprerë. Transferimet nga një institucion në tjetrin për efekt të llogaritjes të afatit 5 vjeçar, konsiderohen si kriter i përmbushur vetëm në rast se të dy apo më shumë detyrat e kryera janë në përputhje me funksionet që ligji përcakton;
  3. Në rastin e kërkesës për përjashtim të gjyqtarëve apo prokurorëve, përveç mandatit për fillimin e ushtrimit të detyrës kërkohet edhe vërtetim nga KPK dhe KPA se nuk janë pezulluar nga detyra për shkak të zbatimit të ligjit për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

 

Pasi plotësohen kriteret e mësipërme, kandidati përjashtohet nga detyrimi i kryerrjes së stazhit të kandidatit dhe trajnimit fillestar pranë SHASH dhe regjistrohet për pjesëmarrje në provimin e avokatisë.

 

Neni 56

 

Stazhi i kandidatit për avokat

 

Stazhi i kandidatit për avokat është një detyrim ligjor i parashikuar nga neni 20 i ligjit. Në funksion të plotësimit ligjor të parashikuar në pikën 9 të këtij neni, kandidati për avokat duhet të paraqesë në momentin e aplikimit për regjistrim pranë DHASH, dokumentacionin si më poshtë:

  1. Fotokopje të noterizuar të diplomës në nivelin master shkencor ose master profesional, lëshuar nga fakulteti juridik i universiteteve publike apo private brenda vendit të akredituara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës në RSH.
  2. Fotokopje të noterizuar të vërtetimit për njesimin e diplomës së fituar nga fakultetet juridike të universiteteve të huaja, të ekuivalentuar me nivelin master shkencor ose master profesional, për studentët e diplomuar jashtë shtetit.
  3. Vërtetim nga avokati ku ka kryer stazhin e avokatit në të cilin pasqyrohet edhe vlerësimi pozitiv i tij;
  4. Vërtetim nga dhoma vendore e avokatisë për miratimin e kryerjes së stazhit nga ana e kandidatit për avokat;
  5. Këresa për regjistrim për asistent avokat e shoqëruar me fotokopje të kartës personale ID;
  6. Çertifikata e gjëndjes gjyqësore të kandidatit;
  7. Vërtetim nga gjykata dhe prokuroria e rrethit ku të vërtetohet se në ngarkim të kandidatit nuk është regjistruar apo ka përfunduar procedim penal.
  8. Çertifikatë të gjendjes civile në ras të mospërputhjes së të dhënave në dokumentat e paraqitura, për shkak të ndryshimeve që mund të kenë ndodhur në identitetin e personit;
  9. Fotografi me përmasat për dokument.

 

Neni 57

 

E drejta e ushtrimit të  profesionit të avokatit

 

Profesionin e avokatit në Republikën e Shqipërisë mund ta ushtrojë çdo shtetas shqiptar ose i huaj, i cili plotëson kriteret e përcaktuara në nenin 14 dhe 23 të ligjit nr. 55/2018 “Për profesionini e avokatit në Republikën e Shqipërisë”.

Për të mundësuar evidentimin e avokatëve që janë në kushtet e ushtrimit të profesionit gjatë vitit ushtrimor, çdo fillim viti, administrata e DHASH, në momentin e pajisjes së avokatit me lejen vjetore të ushtrimit të profesionit, pasqyron në regjistrin e avokatëve aktiv të gjitha të dhënat në lidhje me identitetin dhe kriteret e përcaktuara në nenin 14 të ligjit. Për këtë qëllim, avokatët detyrohen të plotësojnë formularin e deklarimit të këtyre të dhënave të rifreskuara në raport me deklarimin e tyre në vitin e kaluar.

Forma dhe modalitetet e formularit janë pjesë e aneksit të këtij Statuti.(Në rubrikën Formularë të ndryshëm)

 

 

Neni 58

 

Pajisja me lejen e ushtrimit të profesionit

 

Leja e ushtrimit të profesionit është dokument zyrtar i cili përmban të dhëna personale sipas përcaktimeve të nenit 14/1/a të ligjit 55/2018. Avokati duhet të pajiset me këtë dokument brenda datës 31 Janar të vitit ushtrimor. Afati i përdorimit të lejes së ushtrimit të profesionit është deri në datën 31 Janar të vitit pasardhës.

Në momentin e pajisjes me lejen vjetore të ushtrimit të profesionit avokati ka detyrimin ligjor të deklarojë  ndryshimet e ndodhura në të dhënat e tij personale, të deklaruara sipas formularit tip. Ndryshimet e deklaruar si më lart shërbejnë për azhornimin e regjistrit të avokatëve aktiv në Republikën e Shqipërisë.

Pjesë e deklarimit të avokatit është edhe mardhëniet e avokatit me organet tatimore, në lidhje me regjistrimin e tij pranë këtyre organeve.

Deklarimi i të dhënave të rreme përbën shkak për fillimin e procedimit disiplinor kryesisht ose mbi bazën e kallzimit nga ana e subjekteve që ligji parashikon.

 

Neni 59

 

Organizimi i Avokatëve

 

Avokatët e ushtrojnë profesionin në mënyrë individuale si person fizik ose të organizuar në formën e studio avokatie.

 

Neni 60

Personat fizikë

 

Çdo avokat ka të drejtë të ushtrojë profesionin e tij në formën e personit fizik dhe në këtë rast ai është i detyruar të regjistrohet pranë organit tatimor sipas procedurave të përcaktuara në legjislacionin përkatës dhe atë të krijimit të mardhënieve të punës. Avokati Person fizik mund të punësojë avokatë të tjerë, të cilët operojnë në emër dhe për llogari të tij, mbi bazën e respektimit të legjislacionit të punësimit dhe atë tatimor. Në çdo rast, avokatët e punësuar pranë personave fizik kanë detyrimin të pajisen me lejen vjetore individuale të ushtrimit të profesionit të avokatit dhe përfaqësimin e klientëve përpara organeve gjyqësore, proceduese apo shtetërore e kryejnë nëpërmjet përfaqësimit me autorizim nga përfaqësuesi i subjektit, me përjashtim të rastit kur kontrata e punës tregon se punësimi i subjekteve nuk lidhet me ushtrimin e profesionit të avokatit.

 

Neni 61

 

Studio e Avokatisë

 

Një ose më shumë avokatë kanë të drejtë të themelojnë studio avokatie. Forma juridike e studios përcaktohet nga themeluesit e saj dhe në përputhje me procedurat ligjore. Përpara regjistrimit të studios pranë organeve tatimore, themeluesit janë të detyruar të paraqesin paraprakisht statutin e themelimit për miratim nga ana e Komitetit Drejtues të DHASH.

Statuti për themelimin e studios së avokatisë duhet të respektojë disa kritere themelore, sikurse janë:

-          Të përcaktojë qartazi identitetin e avokatëve themelues, të cilët në momentin e depozitimit të kërkesës duhet të jenë domosdoshmërisht aktiv në ushtrim të profesionit të tyre;

-          Të shprehin vullnetin e tyre dhe pjesët takuese në aktin e themelimit;

-          Emërtimi i studios së avokatisë detyrimisht duhet të përmbajë mbiemrin e njerit apo të gjithë avokatëve themelues, e shoqëruar kjo përpara ose pas, me emërtimin “Studio Avokatie”. Përcaktimi “Studio Avokatie” mund të shkruhet edhe në gjuhë të huaj.

-          Krijimi i studiove të avokatisë me ortakë themelues avokatë dhe jo avokatë, sipas përcaktimit të nenit 15/4 të ligjit, mund të bëhet vetëm në rast se këta të fundit zotërojnë jo më shumë se 25 përqind të kapitalit themelues.

-          Të respektojë kërkesat ligjore të parashikuara në ligjin “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare” si dhe legjislacionit në fuqi;

 

 

Neni 62

 

Miratimi i Studios së Avokatisë

 

Pasi plotësohet dokumentacioni sipas kritereve të mësipërme, kërkesa për themelimin e studios së avokatisë depozitohet pranë Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë, e cila ja paraqet për miratim Komitetit Drejtues të kësaj Dhome. Brenda 15 ditëve nga dita e paraqitjes, Komiteti Drejtues ka detyrimin ta shqyrtojë kërkesën dhe ta miratojë ose ta kthejë për plotësim të të metave që mund të konstatohen. Miratimi dhe refuzimi bëhen me vendim të Komitetit Drejtues dhe firmoset nga Kryetari i DHASH.

Ky i fundit, në rastin e riparaqitjes së dokumentacionit të kthyer për shkak të mangësive të konstatuara, pasi verifikon plotësimin e këtyre mangësive, miraton themelimin e studios së avokatisë duke firmosur vendimin përkatës për këtë qëllim.

Forma dhe përmbajtja e vendimit të miratimit dhe refuzimit të kërkesës për themelimin e studios së avokatisë janë pjesë e aneksit të këtij Statuti.

 

 

Neni 63

 

Konflikti i Interesit

 

Avokati, gjatë ushtrimit të shërbimit të avokatisë duhet të sigurojë që midis tij dhe klientit që ai përfaqëson të mos egzistojë asnjë konflikt interesi.

Konflikti i interesit në rastin e dhënies së shërbimit të avokatisë nga ana e avokatit, përveç rasteve të parashikuara në nenin 9 të ligjit, konstatohet edhe në rastet:

  1. Kur avokati ka qenë ndërmjetës i palëve në një konflikt civil për zgjidhjen e një mosmarëveshje me vullnetin e tyre të lirë nëpërmjet procesit ligjor të ndërmjetësimit, çështja ka kaluar në proces gjyqësor për zgjidhjen e mosmarëveshjes dhe avokati është përfaqësues i njerës prej palëve në këtë proces;
  2. Kur provohet se avokati i ka ofruar konsulencë juridike palës kundërshtare në lidhje me atë proces gjyqësor;
  3. Kur avokati ka bashkëpunuar me avokatin e palës kundërshtare në çdo lloj forme që lidhet me çështjen objekt gjykimi.

 

 

Neni 64

 

Ndërpreja e shërbimit të avokatisë nga ana e avokatit

 

Avokati ka të drejtë të ndërpresë shërbimin e avokatisë ndaj klientit të vet sa herë ai e vlerëson se klima për ofrimin e një shërbimi të tillë është përkeqësuar deri në acarimin e mardhënieve ndërmjet tyre dhe vazhdimi i bashkëpunimit të mëtejshëm mund të ndikojë negativisht çështjes që ai përfaqëson.

Në këtë rast avokati duhet të lajmërojë klientin për vendimin e marë dhe ka detyrimin ligjor të vazhdimit të shërbimit deri 15 ditë pas njoftimit. Njoftimi bëhet me shkrim dhe nëpërmjet tij ai duhet ti tregojë klientit shkaqet e ndërprerjes së shërbimit të avokatisë, në cilën fazë të zhvillimit është çeshtja e përfaqësuar prej tij dhe mundësitë për zgjidhjen e cështjes. Njëkohësisht gjatë periudhës 15 ditore ai duhet ti dorëzojë klientit të vet gjithë dokumentacionin e marrë në dorëzim apo të siguruar në ushtrim të tagrave të dhëna nga klienti dhe për llogari të tij.

Ndërprerja e shërbimit të avokatisë nga ana e avokatit mund të përbëjë shkak për fillimin e procedimit disiplinor ndaj tij nga ana e klientit, për konfliktin që mund të krijohet. Komiteti Disiplinor i DHASH është organi kompetent që vlerëson nëse ndërprerja e shërbimit është bërë për shkaqe të arsyeshme ose të paarsyeshme. Në rast se konstatohet se ndërprerja e shërbimit është bërë për shkaqe të paarsyeshme, Komiteti Disiplinor mund të shprehet me vendim në lidhje me masat e nevojshme për zgjidhjen e konfliktit në rrugë administrative.

 

Neni 65

 

Shkaqet e arsyeshme dhe të pa arsyeshme

 

1.Shkaqe të arsyeshme për ndërprejen e shërbimit të avokatisë në mënyrë të njëanshme nga ana e avokatit do të konsiderohen:

  1. Avokati provon se gjendja e tij shëndetësore është përkeqësuar gjatë periudhës së ofrimit të shërbimit ndaj klientit të vet;
  2. Ndaj avokatit është marë masa disiplinore e pezullimit të ushtrimit të profesionit nga ana e Komitetit Disiplinor, pavarësisht faktit të ankimimit të këtij vendimi përpara gjykatës, me përjashtim të rastit kur nga ana e gjykatës është marë masa e sigurimit për pezullim të vendimit të Komitetit Disiplinor;
  3. Çdo pengesë ligjore që parashikohet qartësisht nga legjislacionin shqiptar dhe që bie në kundërshtim me vazhdimin e shërbimit të avokatisë;
  4. Kur avokati provon se midis tij dhe klientit që përfaqëson janë krijuar rrethana të mosbesimit reciprok, të cilat bëjnë të pamundur vazhdimin e mëtejshëm të shërbimit të avokatisë.

 

Masa e përfitimit të avokatit për shërbimin e ofruar deri në momentin e ndërprerrjes së arsyetuar nga ana e avokatit llogaritet mbi bazën e volumit të shërbimit të realizuar në raport me totalin e shërbimit të premtuar. Kur palët bien dakord për masën e shpërblimit për rastin në fjalë, Komiteti Disiplinor pranon marëveshjen avokat klient për këtë qëllim.

 

2.Shkaqe të paarsyeshme janë ato të cilat nuk përfshihen në grupin e përcaktuar në pikën 1 të këtij neni dhe që lidhen me neglizhencën apo mungesën e vullnetit për vazhdimin e mëtejshëm të përfaqësimit apo të shërbimit nga ana e avokatit. Në një rast të tillë, avokati detyrohet të kthejë të gjithë shumën e përfituar në formë paradhënie dhe nëse nuk ka përfituar në formë paradhënie, ai nuk ka të drejtë të kërkojë shpërblim në cfardo formë tjetër të parashikuar nga ligji.

 

3.Ndërprerja e shërbimit të avokatisë nga ana e avokatit, pavarësisht nëse bëhet për shkaqe të arsyeshme ose jo, në çdo rast sjell pasoja të shuarjes së titullit egzekutiv të marëveshjes avokat klient, sipas parashikimit të nenit 16/1/a të ligjit.

 

4.Në rastet e trajtuara në pikën 1 dhe 2 të këtij neni, avokati bashkë me ndërprerrjen e parakohshme të shërbimit të avokatisë, detyrohet ti dorëzojë klientit edhe të gjithë dokumentacionin që përmban dosja e shërbimit të avokatisë, pavarësisht nëse këto dokumenta janë dorëzuar në momentin e fillimit të këtij shërbimi apo janë siguruar gjatë ushtrimit në plotësim të tagrave të përfaqësimit me prokurë nga ana e klientit.

 

Neni 66

 

Ndërpreja e shërbimit të avokatisë nga ana e klientit

 

Edhe në rastin e ndërprerjes së shërbimit të avokatisë nga ana e klientit, në rast të ankimit nga ana e këtij të fundit pranë Komitetit Disiplinor të DHASH, është ky organ që vlerëson shkakun e ndërprerrjes, nëse është i arsyeshëm ose jo.

Raste të arsyeshme të ndërprerjes së marëveshjes avokat klient nga ana e këtij të fundit konsiderohen:

-          Klienti heq dorë nga procesi gjyqësor;

-          Janë krijuar kushte ligjore të cilat mundësojnë zgjidhjen e problemit në rrugë jashtëgjyqësore;

-          Vendimi gjyqësor i pritshëm, pavarësisht në favor ose kundër, nuk paraqet më interes për klientin për shkak të rrethanave të reja të krijuara gjatë procesit;

-          Çdo shkak tjetër ligjor që justifikon ndërprerjen e njëanshme të shërbimit të avokatisë dhe që lidhet me ecurinë negative të procesit për shkak të pamjaftueshmërisë në përfaqësimin e cështjes nga ana e avokatit. Në grupin e shkaqeve ligjore të parashikuara në këtë paragraf mund të cilësohet shtyrja e procesit për shkak të mungesës së avokatit, pushimi i procesit gjyqësor për faj të avokatit, mospranimi i padisë dhe mosparaqitja e provave në procesin gjyqësor nga ana e avokatit, kalimi i afateve proceduriale të ngritjes së padisë ose ankimimit në shkallët e gjykimit e të tjera shkaqe proceduriale të kësaj natyre.

 

Nëse ndërprerrja në mënyrë të njëanshme nga ana e klientit vlerësohet për shkaqe të pajustifikuara, avokati ka të drejtë të mbajë gjithë shumën e përfituar në formë paradhënie apo çdo forme tjetër, ndërkohë që në lidhje me ekzekutimin e marëveshjes si titull ekzekutiv i referohet dispozitave të legjislacionit në fuqi për shqyrtimin e mosmarëveshjeve sipas procedurave të Kodit Civil në Republikën e Shqipërisë.

Edhe në rastin e ndërprerjes së mardhënieve në mënyrë të njëanshme nga ana e klientit, pavarësisht mosmarëveshjeve në lidhje me shpërblimin ose jo të shërbimit të avokatisë, avokati duhet të dorëzojë në mënyrë të menjëhershme dokumentacionin sipas përcaktimeve të nenit 66/4 të këtij Statuti.

 

 

Neni 67

 

Transferimi i shërbimit të avokatisë tek avokati tjetër

 

Në rast ndërprerje në mënyrë të njëanshme të shërbimit të avokatisë, klienti në çdo rast ka të drejtë të zgjedhë një avokat tjetër për përfaqësimin e shërbimit të avokatisë, sikurse parashikohet në nenin 17, pika 7 e ligjit.

Në këtë rast, avokati i zgjedhur rishtaz ka për detyrë të verifikojë mardhënien avokat klient të ndërprerë. Për këtë qëllim ai detyrohet të krijojë kontakte me avokatin e mëparshëm, duke kërkuar prej tij informacion në lidhje me ndërprerjen e shërbimit dhe aktet e nxjerra në lidhje me këtë ndërprerje nëse ka. Po kështu, ai duhet të sqarojë me klientin e tij nëse detyrimet e shërbimit të ndërprerë të avokatisë janë plotësuar nga ana e tij.

Në funksion të qëllimit të mësipërm, avokati i emëruar rishtaz mund të kërkojë informacion edhe pranë DHASH, në lidhje me mundësinë e egzistencës të ndonjë procesi administrativ në proces apo të përfunduar midis klientit të tij dhe avokatit të mëparshëm.

Pasi merr konfirmim nga palët e cituara më lart, avokati i emëruar rishtaz operon me krijimin e mardhënieve të reja të shërbimit të kërkuar nga ana e klientit pavarësisht nga marëveshja me avokatin e mëparshëm.

Anashkalimi i procedurave të mësipërme në lidhje me transferimin e shërbimit të avokatisë nga një avokat tek tjetri përbën shkak për procedim disiplinor ndaj avokatit të zgjedhur rishtaz.

 

 

Neni 68

 

Transferimi i veprimtarisë së avokatit

 

Avokati e ushtron profesionin në të gjithë teritorrin e Republikës së Shqipërisë, ndërkohë që ka detyrim ligjor të jetë antar i vetëm një dhome vendore avokatie. Ai ka të drejtë të transferojë aktivitetin e vet nga një dhomë vendore të avokatisë në një tjetër, sipas regullave të mëposhtme:

  1. Të ketë marrë më parë miratimin me shkrim për transferimin nga ana e organeve drejtuese të dhomës vendore të avokatisë ku ka ushtruar profesionin para transferimit;
  2. Të paraqesë kërkesë me shkrim pranë dhomës vendore të avokatisë që kërkon të ushtrojë aktivitetin;
  3. Kjo e fundit, brenda 15 ditëve nga marrja e kërkesës për transferim, miraton kërkesën me shkrim dhe njofton avokatin për këtë qëllim. Refuzimi i kërkesës për tranferim bëhet vetëm në rast se avokati që kërkon transferimin është në konflikt me kriteret për ushtrimin e profesionit të avokatit, parashikuar nga neni 14 i ligjit për avokatinë dhe kërkesat e këtij Statuti;
  4. Bashkë me transferimin e aktivitetit, avokati detyrohet të transferojë edhe selinë e zyrës qendrore të biznesit të tij, sipas procedurave të parashikuara në legjislacionin e fushës në lidhje me regjistrimin e subjekteve.

 

 

Neni 69

 

Marëveshja si titull ekzekutiv

 

Marëveshja midis avokatit dhe klientit përbën titull ekzekutiv. Për të plotësuar kushtin si e tillë ajo duhet të jetë shkresore në formën e kontratës së porosisë. Vlefshmëria e kësaj kontrate porosie përcaktohet nëpërmjet nënshkrimit të palëve.

Kontrata si mardhënie juridike duhet të plotësojë në minimumin e vet kërkesat e mëposhtme:

 

  1. Objekti i kontratës të jetë i përcaktuar qartë dhe për çdo shërbim juridik duke artikuluar në mënyrë specifike kufijtë e kryerjes  së porosisë dhe pritshmërisë së saj;
  2. Të drejtat dhe detyrimet duhet të jenë pjesë e veçantë e kontratës, ku të përcaktohen qartë në mënyrë të veçantë nëse ka pengesa ligjore, konflikt interesi dhe të përcaktojë mënyrën e marrjes dhe dorëzimit të dokumentacionit të nevojshëm për ceshtjen në fjalë, ofrimin e asistencës së nevojshme dhe komunikimit me klientin, ruajtjen e konfidencialitetit dhe garantimin e mardhënies juridike nga ndërhyrjet e të tretëve në çdo fazë të realizimit të shërbimit të avokatisë.
  3. Shpërblimi i avokatit për shërbimin e ofruar, duke specifikuar përfaqësimin në çdo shkallë të gjykimit, si dhe mënyrën e pagesës së shpërblimit të dakordësuar.
  4. Afati i kontratës, duke përcaktuar qartë ditën e fillimit dhe mbarimit të shërbimit.
  5. Revokimi apo zgjidhja e kontratës në mënyrë të njëanshme si kriter i përcaktuar në ligj dhe zgjidhja e mosmarëveshjeve.

 

Në kuptim të nenit 16 të ligjit, mund të konsiderohet si marëveshje edhe prokura e përfaqësimit, e posaçme ose e përgjithshme, e lidhur përpara një noteri, ku të shprehet dakordësimi i palëve.

 

 

 

Avokati i huaj

 

Neni 70

 

Fitimi titullit

 

Shtetasi i huaj i cili dëshiron të ushtrojë profesionin e avokatit në Republikën e Shqipërisë, duhet të plotësojë të gjitha kriteret e parashikuara në nenin 13 të ligjit, së bashku me kriterin shtesë njohjen e gjuhës shqipe. Në momentin e aplikimit, shtetasi i huaj bashkë me dokumentacionin e kërkuar nga ligji dhe Statuti duhet të depozitojë certifikatë të njohjes së gjuhës shqipe të lëshuar nga departamenti i gjuhësisë pranë Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë.

Komisioni i provimit të avokatisë ka të drejtë që përveç detyrimit ligjor të dhënies së provimit të avokatisë nga ana e këtij shtetasi, të zhvillojë edhe një test individual në lidhje me komunikimin dhe arsyetim ligjor të tij, nëse e vlerëson të nevojshme.

 

Neni 71

 

Konvertimi i titullit

 

1. Çdo avokat që ka fituar titullin në një shtet antar të Bashkimit Europian mund të bëjë njesimin e titullit të avokatit në Republikën e Shqipërisë sipas nenit 23/5 të ligjit për avokatinë. Për këtë qëllim ai duhet të paraqesë dokumentacionin si më poshtë:

  1. Kopje të noterizuar të kontratës së bashkëpunimit midis tij dhe studios të avokatisë me juridiksion në Republikën e Shqipërisë, sipas formës së parashikuar aneksin e kërij Statuti. Një kopje e kësaj kontrate depozitohet pranë DHASH në momentin e hartimit të saj.
  2. Dokumentacionin individual që provon se gjatë periudhës së fundit tre vjeçare ka ushtruar profesionin e avokatit pranë kësaj studio avokatie. Pjesë e këtij dokumentacioni janë:

-          Kopje e noterizuar e titullit ‘Avokat” në shtetin e huaj;

-          Dokument nga studioja e avokatisë, me anë të cilës vërtetohet se avokati i huaj ka ushtruar profesionin e avokatit në çdo formë që legjislacioni i fushës e lejon.

-          Eksperienca të përfaqësimit apo mbrojtjes që ky avokat ka ushtruar.

  1. Në rast të përmbushjes së kritereve të mësipërme, avokatit të huaj i jepet titulli “Avokat” në Republikën e Shqipërisë, duke e përjashtuar nga detyrimi i kritereve të përcaktuara në nenin 13 të ligjit nr. 55/2018 “Për profesionin e avokatit në Republikën e Shqipërisë”, me përjashtim të gërmës “f” të këtij neni dhe që lidhet me kontributin financiar që duhet të paguajë.

2. Përjashtohen nga rregulli i përgjithshshëm për konvertimin e titullit të gjithë ata avokatë, që e kanë fituar titullin në një nga shtetet antare të Bashkimit Europian, në të cilët, në kushtet e mardhenieve të reciprocitetit, parashikohen procedura apo kushte të tjera më të favorshme për njesimin e titullit të avokatit të huaj.

Në të tilla raste zbatohen kushte analoge të vendit antar të BE pasi të jetë verifikuar nga DHASH se përmbushen kriteret e parashikuara nga neni 13, pika 2, shkronjat “a”, “b”,”d” dhe “dh” të ligjit nr. 55/2018 “Për profesionin e avokatit në Republikën e Shqipërisë”.

 

 

KREU VII

REGJISTRAT E AVOKATISË

 

 

Neni 72

 

Regjistrimi i shërbimeve të avokatisë

 

Avokati apo studioja e avokatisë kanë detyrimin ligjor të mbajtjes dhe regjistrimit të shërbimit të avokatisë që ofron në regjistrin e krijuar për këtë qëllim. Ky regjistër depozitohet pranë selisë së zyrës apo studios së avokatisë dhe vihet në dispozicion të përfaqësuesve të Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë në çdo kohë, sipas aktit të paraqitur nga ana e këtyre të fundit, ku përcaktohet edhe qëllimi i kontrollit të regjistrit.

 

 

 

Neni 73

 

Forma e regjistrit të shërbimit të avokatisë

 

Regjistri i avokatëve mbahet në formë elektronike ose manuale. Ai krijohet në formë rubrikash, ku në secilën rubrikë shënohet:

-          Identiteti i plotë i klientit, të dhënat e lindjes dhe vendbanimit si dhe kontaktet;

-          Lloji i shërbimit të avokatisë, akti i përfaqësimit dhe lloji i marëveshjes;

-          Emri i organit përpara të cilit do të ushtrohet shërbimi i avokatisë;

-          Data e fillimit dhe përfundimit të shërbimit të avokatisë, si dhe shkaku i përfundimit;

-          Fatura tatimore, shuma në monedhë vendase ose të huaj e shërbimit të avokatisë si dhe mënyra e likuidimit të saj.

 

Forma e plotë edhe përmbajtja e regjistrit paraqitet në anksin e këtij Statuti. (gjendet tek formularet ne dokumentat DHKSH)

 

 

 

Neni 74

 

Regjistri i avokatëve aktivë

 

Avokat aktiv në Republikën e Shqipërisë konsiderohen të gjithë avokatët që plotësojnë kriteret e mëposhtme:

  1. Të ketë fituar titullin avokat sipas percaktimeve të nenit 13 të ligjit;
  2. Të jetë pajisur me lejen vjetore të ushtrimit të profesionit të avokatit sipas nenit 14 të ligjit;
  3. Të jetë regjistruar pranë organit tatimor dhe të ketë Numrin Unik të Identitetit të Subjektit (NUIS) personal të subjektit, pavarësisht formës së tij;
  4. Të ketë plotësuar detyrimin ligjor në lidhje me trajnimin vazhdues, brenda programit të zhvilluar nga Dhoma e Avokatisë të Shqipërisë për këtë qëllim dhe të ketë plotësuar detyrimin e sigurimit të përgjegjësisë profesionale.
  5. Kur avokati është në mardhënie pune me punëdhënës privatë dhe dëshiron të ushtrojë profesionin e avokatit pavarësisht këtij fakti. Në një rast të tillë ai duhet të depozitojë pranë DHASH dokumentacionin si më poshtë:
  1. Marëveshjen me shkrim midis tij dhe punëdhënësit privat, nëpërmjet të cilës punëdhënësi shpreh miratimin e tij në lidhje me të drejtën për ushtrimin e profesionit nga ana e avokatit punëmarrës, pavarësisht se objekt i mardhënies së punësimit nuk është shërbimi i avokatisë;

ii.   Extraktin nga QKB që vërteton se avokati është i regjistruar në organin tatimor.

 

 

 

Neni 75

 

Forma dhe përmbajtja e Regjistrit të avokatëve aktivë të DHASH

 

Regjistri i avokatëve aktivë krijohet pranë Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë në formë elektronike ose manuale. Ai përmban të dhënat e parashikuara në nenin 35, gërma “d” të ligjit.

Të dhënat e parashikuara në ligjin për avokatinë në lidhje me regjistrin e avokatëve, merren çdo fillim viti nëpërmjet deklarimit individual të avokatit, në momentin e pajisjes me kartën ID të ushtrimit të profesionit. Për këtë qëllim, DHASH harton formularin e regjistrit të avokatëve, i cili është i detyrueshëm për plotësim nga ana e çdo avokati që pajiset me këtë dokument.

Regjistri themeltar në momentin e krijimit plotësohet mbi bazën e formularit të të dhënave, ndërkohë që avokati detyrohet që brenda 30 ditëve nga ndryshimet e mundshme të të dhënave të veçanta të pasqyruara në këtë regjistër ti deklarojë ato pranë stafit adimistrativ të DHASH, të cilët nga ana e tyre bëjnë ndryshimin e këtyre të dhënave në regjistrin e avokatëve aktivë.

 

 

 

Neni 76

 

Administrimi i Regjistrit të avokatëve aktivë të DHASH

 

Regjistri i avokatëve aktivë është një dokument i cili krijohet dhe depozitohet pranë Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë mbi bazën e deklarimit individual të të dhënave të përcaktuara në ligj nga ana e avokatit.

Mbajtja, ruajtja dhe arkivimi i të dhënave të këtij regjistri i nënshtrohen në mënyrë rigoroze legjislacionit në fushën e ruajtjes së të dhënave personale. Përdorimi i tij bëhet vetëm për qëllime ligjore dhe të funksionimit të brendshëm nga ana e DHASH. Në këtë kuptim, të dhënat personale të avokatëve dhe që pasqyrohen në këtë regjistër nuk i vihen në dispozicion asnjë subjekti apo individi pa marrë më parë miratimin me shkrim të vetë avokatit, me përjashtim të rasteve të përcaktuara me ligj të veçantë.

Organet gjyqësore dhe ato proceduese, për qëllim të hetimit gjyqësor dhe penal, mund të sigurojnë të dhënat për avokatë të veçantë sipas kërkesës me shkrim, të depozituar nga ana e tyre pranë DHASH. Po kështu edhe organe të veçanta të administratës publike mund të depozitojnë kërkesa për avokatë të veçantë, në përputhje me qëllimin e përdorimit të këtyre të dhënave nga ana e tyre.

Regjistri i avokatëve aktivë pranë DHASH azhornohet çdo fillim viti me ndryshimet e bëra për secilin avokat, ndërkohë që detyrimi për depozitim i ndryshimeve të mundshme në të dhënat personale të avokatit gjatë periudhave të vitit është ligjor dhe bart pasoja individuale.

 

Neni 77

 

Forma, Përmbajtja dhe Administrimi i Regjistrit të avokatëve pasivë të DHASH

 

Regjstri i avokatëve pasivë të DHASH është një dokument i cili hartohet për qëllime evidentimi dhe identifikimi të avokatëve të cilët nuk mund të ushtrojnë profesionin për shkaqe ligjore.

Regjistri i avokatëve pasivë përmban të dhëna sipas përcaktimeve të nenit 35/4 të ligjit për avokatinë.

Administrimi i regjistrit të avokatëve pasivë bëhet në të njëjtën menyrë si regjistri i avokatëve aktivë, sipas përcaktimeve të nenit 76 të Statutit.

 

 

Neni 78

Kalimi në Regjistrin e avokatëve pasivë të DHASH

 

Kalimi në Regjistrin e avokatëve pasivë të Republikës së Shqipërisë bëhet për shkaqe ligjore dhe ato që lidhen kryesisht me papajtueshmërinë e ushtrimit të profesionit të avokatit.

Kalimi nga regjistri aktiv në atë pasiv bëhet në rastet :

 

a)      Kur avokati ka papajtueshmëri ligjore për ushtrimin e profesionit, sipas përcaktimeve në nenin 7 të ligjit nr. 55/2018. Në rastin e krijimit të mardhënieve të punësimit pranë një subjekti privat dhe për këtë shkak dëshiron të fitojë statusin e avokatit pasiv, ai duhet të depozitojë pranë DHASH, bashkë me kërkesën për këtë qëllim, edhe extraktin e subjektit të lëshuar nga ana e QKB, me anë të së cilës provohet që shoqëria ku është punësuar avokati është subjekt i pagesës së TVSH. (Neni 7/3 e ligjit)

b)      Kur mardhëniet e punësimit midis një subjekti privat dhe një avokati kanë për objekt kryrjen e detyrës së avokatit pranë këtij subjekti. Në këtë rast avokati duhet të paguajë në mënyrë individuale detyrimet financiare pranë DHASH për çdo vit ushtrimor, dhe mbrojtjen ta realizojë për llogari të subjektit me të cilin ka lidhur mardhëniet e punës. Në këtë rast ai nuk ka detyrimin për tu regjistruar pranë organit tatimor dhe nëse ka qenë i regjistruar duhet të ç’regjistrohet.

c)      Kur avokati dëshiron të ndërpresë ushtrimin e profesionit të avokatit:

-          Për shkak sëmundje. Avokati duhet të provojë nëpërmjet raportit mjekësor se sëmundja ka zgjatur për një periudhë jo më të vogël se 3 muaj dhe në mënyrë të pandërprerë brenda vitit ushtrimor;

-          Për shkak leje lindje. Avokatja apo avokati duhet të paraqesin pranë DHASH certifikatën e lindjes. Në rast se periudha e lejes së lindjes shtrihet në dy vite të njëpasnjëshëm kalendarikë, avokati ka të drejtë të zgjedhë vitin të cilin kërkon ta konsiderojë si kalim në statusin pasiv.

-          Për shkak dorëheqje të përkohshme apo të përhershme të ushtrimit të profesionit nga ana e avokatit. Për këtë shkak, avokati brenda tremujorit të parë të vitit kalendarik duhet të depozitojë një kërkesë me shkrim pranë organeve të DHASH ku duhet të tregojë edhe arsyet e dhënies së dorëheqjes. Forma dhe përmbajtja e kërkesës përcaktohet nga ana e Këshillit të Përgjithshëm të DHASH dhe  paraqitet në aneksin e këtij Statuti.

Në rast të kërkesës për riaktivizim të lejes së ushtrimit profesionit për shkak të dorëheqjes së depozituar si më lart, avokati detyrohet të paguajë një kontribut shtesë prej 50 përqind më të lartë se tarifa vjetore që duhej të paguante për shkak të ushtrimit normal të profesionit.

-          Për shkak moshe. Avokati nuk ka pengesë ligjore për ushtrimin e profesionit të avokatit për shkak të moshës së tij. Megjithatë, avokati që mbush moshën 70 vjeç ka shkak të arsyeshëm të kalojë në regjistrin e avokatëve pasivë me dëshirën e tij.

Avokatët e regjistruar në regjistrin e avokatëve pasiv nuk kanë detyrim për pagesën e tarifës për lejen e ushtrimit të profesionit të avokatit.

 

 

Neni 79

 

Regjistrat e dhomës vendore të avokatisë

 

Çdo dhomë vendore avokatie ka detyrimin të depozitojë dhe administrojë regjistrat e avokatëve që ushtrojnë profesionin në juridiksion të saj, sipas kërkesave të ligjit dhe nenit 76 të këtij Statuti. Edhe regjistr i avokatëve të avokatisë të dhomës vendore përbehet nga regjistrat e avokatëve aktivë dhe pasivë në juridiksion të saj.

Regjistrat e dhomës vendore të avokatisë hartohen nga ana e Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë në mënyrë periodike dhe të përvitshme dhe i dërgohen sipas këtij përcaktimi dhomës vendore, e cila nga ana e saj ka detyrimin e ruajtjes dhe të përdorimit të të dhënave sipas parashikimeve të legjislacionit në fushën e ruajtes së të dhënave personale.

Forma dhe përmbajtja e regjistrave të dhomës vendore të avokatisë paraqitet në aneksin e këtij Statuti.

 

Neni 80

 

Regjistri për kandidatët për avokat

 

Regjistri për kandidatët për avokat krijohet dhe administrohet nga ana e Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë dhe përmban të dhënat e përcaktuara në nenin 37 të ligjit nr. 55/2018 “Për Avokatinë në Republikën e Shqipërisë”.

Edhe ky është një regjistër i cili është objekt i ruajtjes së të dhënave personale, sipas legjislacionit të fushës në Republikën e Shqipërisë dhe përcaktimeve në nenin 76 të Statutit. E njejta procedure si per regjistrat e avokateve te parashikuara ne nenin79 të këtij Statuti aplikohen edhe në rstin e regjistrit për kandidatët për avokat.

Forma, përmbajtja dhe modalitetet e regjistrit të kandidatëve për avokat paraqitet në aneksin e këtij Statuti.

 

 

Neni 81

 

Dosja Personale e Avokatit

 

Dosja personale e avokatit është tërësia e dokumentacionit personal dhe profesional të depozituara nga ana e aplikantit për avokat. Edhe kjo, gjithashtu është objekt i trajtimit të legjislacionit në fushën e ruajtjes së të dhënave personale.

Qëllimi i plotësimit të dosjes personale të avokatit është për shkaqe ligjore. Nëpërmjet dokumentacionit të depozituar në të provohet plotësimi i kritereve ligjore për të fituar titullin dhe për të ushtruar profesionin e avokatit, sipas përcaktimeve të nenit 13 dhe 14 të ligjit nr. 55/2018 “Për Profesionin e Avokatit në Republikën e Shqipërisë”.

Njëkohësisht në dosjen personale arkivohen dokumenta të cilat vërtetojnë CV e avokatit dhe që lidhet me formimin juridik dhe profesional të tij.

 

Neni 82

 

Verifikimi i dokumentave të dosjes personale të avokatit

 

I gjithë dokumentacioni që përbën dosjen personale të avokatit duhet të përcaktojë qartazi qëllimin pse është lëshuar dhe duhet të jetë i shkruajtur pastër dhe pa korigjime. Dokumentat, pjesë e dokumentacionit në dosje, duhet të jenë origjinale ose me akt noterial, nëpërmjet të cilit vërtetohet njësimi me origjinalin.

Në rast se gjatë plotësimit të dosjes personale të avokatit lindin dyshime në lidhje me formën e paraqitjes së një dokumenti nga ana e një organi të caktuar, përfaqësuesit e Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë mund të kërkojnë nga ky organ dokumenta shtesë vetëm në funksion të qëllimit të përdorimit të dokumentit në fjalë. Dokumenti shtesë i bashkangjitet dokumentit bazë dhe depozitohen në dosjen personale të avokatit.

Pasi vlerësohet e kompletuar nga pikpamja ligjore, dosja personale e avokatit depozitohet në arkivën e DHASH.

 

Neni 83

 

Tërheqja e dokumentave nga dosja personale e avokatit

 

Dokumentacioni i arkivuar sipas procedurës së mësipërme ruhet i paprekur dhe i patjetërsueshëm nga ana e DHASH, duke zbatuar regullat e përcaktuara në legjislacionin e fushës për arkivat në Republikën e Shqipërisë.

Dosja e avokatit nuk mund të tërhiqet nga asnjë person tjetër dhe as nga vetë avokati, me përjashtim të rasteve kur autorizohet nga legjislacioni i posaçëm, sipas kërkesës me shkrim nga ana e përfaqësuesve të organeve të autorizuara.

Avokati ka të drejtë të tërheqë dokumenta të veçanta nga dosja e tij personale e depozituar pranë DHASH me kushtin e rikthimit të dokumentit brenda 48 orëve. Në këtë rast mbahet një procesverbal përfaqësuesi i DHASH që menaxhon arkivën, i cili përveç përshkrimit të kërkesës për dokumentin e kërkuar, dorëzon dokumentin duke e fotokopjuar atë më parë, për qëllim verifikimi me origjinalitetin e dokumentit në momentin e kthimit.

Çdo avokat ka të drejtë të shtojë në dosjen e tij personale dokumenta që ai vlerëson se janë të domosodoshme në pasurimin e CV së tij profesionale.

 

KREU VIII

PROCEDIMI DISIPLINOR I AVOKATËVE

 

 

                                                                  Neni 84        

 

Qëllimi dhe Objekti i Procedimit disiplinor

 

Procesi Disiplinor është mjet i domosdoshëm në funksion të ushtrimit të profesionit të avokatit dhe ka qëllim kryesor garantimin e mbrojtjes efektive si për avokatin ashtu edhe për klientin në zbatimin e një marëveshje të ndërsjelltë të shërbimit të avokatisë.

Subjekte të këtij procesi janë vetëm avokatët dhe personat e lidhur me ta dhe që kanë për objekt të shqyrtimit vetëm mardhëniet midis tyre në fushën e kryerjes së shërbimit të avokatisë.

Qëllimi i procedimit disiplinor është sigurimi i standarteve ligjore dhe të domosdoshme në ushtrimin e profesionit të avokatit, si dhe marjen e masave disiplinore ndaj avokatëve që shkelin rëndë ose në mënyrë të përsëritur dispozitat e ligjit të posaçëm për ushtrimin e profesionit të avokatit, statutit dhe Kodit etik të avokatit, si dhe në direktivat dhe orientimet e CCBE.

 

 

Komiteti disiplinor, organizimi dhe funksionimi

 

NENI  85

 

Komiteti Disiplinor i DHASH është organ i Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë dhe fiton personalitet juridik nëpërmjet kësaj të fundit. Komiteti Disiplinor është organ kolegjial vendimmarres dhe operon si një strukturë që varet nga Këshilli i Përgjithshëm. Ai raporton para Komitetit Drejtues të DHASH gjatë periudhës midis dy mbledhjeve të radhës të Këshillit Përgjithshëm dhe ka detyrim që të raportojë përpara këtij të fundit jo më pak se një herë në vit. Përsa i përket marjes së vendimeve ai vepron si një  strukturë e pavarur dhe çdo anëtar i tij voton sipas bindjes së vet.

 

NENI  86

 

Shperblimi i antarëve të Komitetit Disiplinor

 

Antarët e Komitetit Disiplinor kryejnë funksionet e ngarkuara me ligj përkundrejt shpërblimit. Si regull, masa e shpërblimit është mujore dhe mund të ndryshojë në vartësi të funksionimit të Komitetit, rasteve të shqyrtuara apo ndryshimit të rrethanave dhe kushteve që mund të dalin gjatë funksionimit. Shpërblimi i kryetarit të Komitetit Disiplinor është më e lartë se ajo e antarit të këtij komisioni.

Komiteti Drejtues i DHASH, në varësi të kritereve të mësipërme, ka të drejtë të përcaktojë masën e shpërblimit të Komitetit Disiplinor si dhe rritjen në përqindje të Kryetarit të këtij Komisioni.

 

 

NENI  87

 

Komisioneri i ankimeve

 

1.Komisioneri i ankimeve është subjekt në varësi të Komitetit Drejtues të Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë. Ai emërohet nga ana e Komitetit Drejtues të DHASH, me votim të fshehtë të antarëve të këtij Komiteti. Kandidati që fiton më shumë se gjysmën e votave të numrit të përgjithshëm të antarëve të Komitetit Drejtues, zgjidhet Komisioner i Ankimeve. Kandidatura për Komisioner i Ankimit duhet të plotësojë kriteret si më poshtë:

-          Të jetë me arsim të lartë;

-          Të gëzojë integritet të lartë moral dhe profesional;

-          Të ketë eksperiencë në fushën e menaxhimit administrativ;

-          Të tregojë aftësi të punës në grup;

-          Të ketë eksperiencë në zbatim të akteve ligjore në përgjithësi dhe ato të ligjit të avokatisë, Statutit dhe Kodit Etik të Avokatit në veçanti;

-          Të jetë korrekt në mardhënie me komunitetin e avokatëve;

-          Të mos ketë masa disiplinor në ngarkim të tij dhe që lidhen me ushtrimin e detyrës;

-          Të mos ketë cështje penale në ngarkim ose të jetë dënuar me vendim të formës së prerë për këtë qëllim.     

 

Ai jep llogari për punën e kryer në zbatim të ligjit përpara Komitetit Drejtues dhe Këshillit të Përgjithshëm, në rastin kur kërkohet nga ky i fundit.

Detyrat e Komisionerit të ankimeve  janë ato të përcaktuara në pikën 3 të nenit 42 të ligjit.

Regulla të hollësishme për fillimin e procedimit disiplinor dhe që lidhen me regjistrimin e kërkesës ankimore, plotësimin e saj me provat e nevojshme, vlerësimin, njoftimin e subjekteve ne ankimim, hetimin, hartimin dhe dërgimin e relacionit përfundimtar pranë Komitetit Disiplinor, përcaktohen në Regulloren e Procedimit Disiplinor.

 

2.Shkarkimi i Komisionerit të Ankimeve bëhet si në rastin e mbarimit të mandatit të antarit të Komitetit Drejtues, sipas përcaktimeve të nenit 91 të Statutit, gërma “a” dhe “b” e tij.

 

 

NENI  88

 

Statusi dhe mënyra e ushtrimit të detyrës

 

Komisioneri i Ankimeve gëzon statusin e nëpunësit pranë administratës së DHASH. Ai ka vartësi administrative nga Komiteti Drejtues dhe jep llogari përpara tij sa herë i kërkohet nga ky i fundit, ndërkohë që mardhëniet e punës regullohen sipas ligjit nr. 7961 datë 12.07.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë” me ndryshimet përkatëse.

Komisioneri i ankimeve merr vendim për pranimin ose jo të ankesës brenda 30 ditëve kalendarike nga dita kur është dorëzuar ankimi. Brenda kësaj kohe ai shprehet me shkrim për pranimin ose jo të saj.

Në rast mospranimi, ai njofton me shkrim ankimuesin per shkaqet e mospranimit dhe vazhdimin e procedurave të mëtejshme ligjore. Komisioneri Ankimeve vendos:

a) mospranimin e ankesës sipas rastit kur :

i) Nuk ka elementë që lidhen me kërkesat e parashikuar në pikën 1 të nenit 40 të ligjit;

ii) Ka kaluar afati i parashikuar në pikën 3 të nenit 40 të ligjit;

ii) Ankimi nuk paraqitet në formë shkresore;

iii) Nuk tregohet emri dhe adresa e ankuesit;

b) pranimin e ankesës dhe urdhërimin e avokatit, subjekt i ankimuar, për të dhënë informacion në lidhje me ankesën e depozituar brenda afatit 15 ditor të parashikuar në ligj;

Mënyra, forma dhe modalitetet në lidhje me trajtimin e kërkesës ankimore dhe relacionin shoqërues përpara Komitetit Disiplinor paraqiten në mënyrë të detajuar në Regulloren e Brendshme të Procedimit Disiplinor.

 

 

 

NENI  89

 

Përbërja e Komitetit Disiplinor dhe mënyra e zgjedhjes

 

Përbërja e Komitetit Disiplinor përcaktohet në nenin 43, pika 2 e ligjit 55/2018 “Për Profesionin e Avokatit në Republikën e Shqipërisë”. Antarët e këtij Komiteti të zgjedhur nga radhët e avokatisë jo domosdoshmërisht duhet të jenë antarë të Këshillit të Përgjithshëm të DHASH. Nuk mund të kandidojnë për këtë detyrë antarët e Komitetit Drejtues, antarët e Bordit Shkencor të Shkollës së Avokatisë si dhe avokatë që kryejnë funksione pranë organeve drejtuese të DHASH.

Caktimi i antarëve nga KLGJ, KLP dhe MD bëhet me akt administrativ të lëshuar nga organet e mësipërme dhe mund të ndryshohen sa herë këta të fundit e shohin të nevojshme.

Antari i Komitetit Disiplinor i zgjedhur nga radhët e avokatisë, duhet të plotësojë kriteret e mëposhtme:

  1. Të gëzojë integritet profesional dhe moral dhe në ngarkim të tij të mos jenë marë masa disiplinore që lidhen si me ushtrimin e profesionit të avokatit ashtu edhe me kryerjen e detyrave pranë organeve publike dhe atyre private që mund të ketë ushtruar;
  2. Të ketë plotësuar detyrimet që burojnë nga ushtrimi i profesionit të avokatit si pranë organeve tatimore ashtu edhe ndaj personave të tretë;
  3. Të ketë eksperiencë të veçantë në menaxhim dhe drejtim  në fusha të caktuara;
  4. Të ketë përvojë në ushtrim të profesionit të avokatit jo më pak se 5 vjet;
  5. Të ruhen raporte gjinore, ku të paktën 2 prej tyre duhet të jenë të gjinisë femër.

 

Antari i këtij Komiteti i zgjedhur nga radhët e shoqërisë civile apo botës akademike, zgjidhet nga ana e Komitetit Drejtues të DHASH, mbi bazën e votimit të fshehtë për çdo kandidaturë të paraqitur. Shpallja e njoftimit për shprehjen e interesit bëhet nga ana e DHASH jo më parë se 30 ditë nga dita e votimit për këtë qëllim. Fitues shpallet kandidatura që fiton jo më pak se gjysmën e votave të antarëve të zgjedhur të Komitetit.

 

NENI  90

 

Zgjedhja e Kryetarit të Komitetit Disiplinor

 

 

Zgjedhja e kryetarit të Komitetit Disiplinor bëhet sipas procedurave të parashikuara në nenin 43 pika 3 e ligjit për avokatinë, vetëm nëpërmjet kandidaturave të zgjedhura nga radhët e avokatisë. E drejta e kandidimit të secilit prej antarëve të këtij Komiteti të zgjedhur nga radhët e avokatisë është e lirë dhe e drejtpërdrejtë. Për këtë qëllim secili prej antarëve të zgjedhur, jo më vonë se 10 ditë nga dita e votimit në Këshillin e Përgjithshëm, shpreh interesin e vet për kandidim pa kufizime të çfardo lloj natyre. Kryetari i Komitetit Disiplinor shpallet kandidati që merr jo më pak se ½ e votave të fshehta të numurit të antarëve të Komitetit Drejtues të DHASH. Në rast se numuri i antarëve të Komitetit Drejtues është tek, për efekt të llogaritjes së quorumit fitues do të merret numuri më i madh midis dy numrave. Nqs asnjë prej kandidatëve nuk fiton numurin e votave të përcaktuara si më lart, zhvillohet një raund i dytë midis dy kandidatëve që kanë fituar më shumë vota dhe fitues shpallet kandidati që fiton numur më të madh të votave. Në rast barazimi edhe pas raundit të dytë kryetar i KD shpallet kandidati për të cilin ka votuar Kryetari i Komitetit Drejtues të DHASH, nëpërmjet deklarimit të këtij të fundit për kandidatin fitues.

 

 

NENI  91

 

Mbarimi i mandatit të antarit të Komitetit Disiplinor

 

Mandatit i anëtarit të Komitetit Disiplinor përfundon ditën kur mbushen 4 vjet nga zgjedhja e tij. Antari i Komitetit Disiplinor qëndron në detyrë deri ditën e zëvendësimit të tij nga antari i ri.

Mandati i anetarit të Komitetit Disiplinor përfundon përpara përfundimit të afatit të mësipërm në rastet e mëposhtme:

a)      Raste të përgjithshme:

-         Kur konstatohet se procedurat e zgjedhjes së tij janë në kundërshtim me kriteret e përcaktuara në nenin 43/2 të ligjit;

-         Kur gjatë ushtrimit të detyrës dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale sipas parashikimeve në nenin 102 të këtij Statuti;

-         Kur anëtaret e zgjedhur nga radhët e avokatisë mungojnë në seancat e procesit disiplinor më shumë se 4 herë brenda vitit, pa arsye ligjore. Për anëtarët e tjerë të caktuar nga organet që ligji autorizon, janë të njëjtat kritere, por në rastin eventual kërkohet zëvendësimi i tyre nga ana e organit kompetent;

-         Kur antari KD jep dorëheqjen per shkaqe personale;

-         Kur humbet zotësinë juridike për të vepruar, sipas një akti të nxjerrë nga organi kompetent dhe me vendim gjyqësor të formës së prerë.

-         Për shkelje të ligjit, Statutit dhe Kodit të Etikës së Avokatit, që përbëjnë akte e sjellje që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e avokatit.

 

b)      Raste të Veçanta:

-         Për anëtarët e deleguar nga subjektet që parashikon ligji, mandati ndërpritet kur bëhet zëvendësimi nga ana e organit kompetent për emërimin e tyre.

-         Për anëtarët e zgjedhur nga rradhët e avokatisë, ndërprerja e mandatit mund të bëhet edhe kur humbet besimi ndaj një antari të caktuar. Në një rast të tillë heqja e mandatit bëhet me propozim të Komitetit Drejtues të DHASH dhe me votim të 2/3 të anëtarëve të zgjedhur të Këshillit të Përgjithshëm.

c)      Në çdo rast, zëvendësimi i antarit të cilit i ka mbaruar afati para kohe bëhet nga antari i radhës në listën e kandidatëve të votuar për këtë qëllim.

 

 

Neni 92

Detyrat e Komitetit Disiplinor

 

Komiteti Disiplinor ne ushtrim të funksionit të tij, përveç atyre të përcaktuara në nenin  43 të ligjit, ka edhe këto detyra :

-         Të respektojë dhe të zbatojë Kushtetutën e RSH si dhe dispozitat ligjore të ligjit funksional dhe që lidhen me ushtrimin e profesionit të avokatit, sikurse janë Ligji nr. 55/2018, Statuti dhe Kodi Etik i Avokatit, si dhe aktet e CCBE;

-         Të ruajë të gjitha të dhënat e dala gjatë seancave të shqyrtimit, të cilat mund të përbëjnë sekret të karakterit privat apo publik, si dhe ato me natyrë konfidenciale për palët në proces;

-         Të përcaktojë drejt dhe në mënyrë të bazuar shkeljet e ligjit dhe akteve nënligjore që janë objekt për klasifikim të shkeljes disiplinore;

-         Të njihet me dosjet ankimore ndaj avokatëve jo më vonë se 48 orë përpara datës së vendosur për zhvillimin e seancës që do te shqyrtojë procedimin disiplinor;

-         Të respektojë afatet ligjore për përfundimin e procedimit disiplinor, sipas kërkesave të ligjit; 

-         Të sigurojë palët dhe tu japë atyre garanci për një proces të regullt, transparent dhe të paanshëm dhe të reflektojë integritet moral dhe profesional në shqyrtimin e ceshtjes;

-         Të respektojë të gjitha kërkesat e pasqyruara në Regulloren e Brendshme të Procedimit Disiplinor të miratuar nga ana e Këshillit të Përgjithshëm.

 

 

Seancat e procedimit disiplinor

 

NENI  93

 

Procedimi disiplinor fillon brenda 30 ditëve nga dita që Komisioneri i Ankimeve depoziton pranë Kryetarit të këtij Komisioni relacionin përkatës të ankesës për procedim ndaj avokatit.

Shqyrtimi për procedimin disiplinor duhet të bëhet në prezencë të avokatit subjekt ankimi ose të përfaqësuesit të tij me prokurë. Për këtë qëllim Komiteti Disiplinor mer masa për njoftimin e avokatit që do ti nënshtrohet procedimit disiplinor jo më vonë se 5 ditë përpara se të zhvillohet seanca e shqyrtimit disiplinor.

Nëse në seancën e shqyrtimit të çështjes, avokati ose përfaqësuesi i tij, nuk paraqitet pa shkaqe te arsyeshme, Komiteti Disiplinor vazhdon procedurat për shqyrtimin e çështjes dhe merr vendim në mungesë te tyre. Në rast se gjatë shqyrtimit të ceshtjes lind domosdoshmëri prezenca e avokatit, atëhere seanca ndërpritet dhe merren gjithë masat e nevojshme që avokati të japë spiegime me prezencën e tij ose me shkrim, ku duhet të sqarojë pozicionin e tij në lidhje me kërkesën ankimore.

 

Neni 94

 

Pjesëmarrja dhe mënyra e zhvillimit të seancës

 

Quorumi për zhvillimin e mbledhjeve të Komitetit  është ai i përcaktuar në pikën 5 të nenit 43 të ligjit.

Mbledhja per shqyrtimin e procedimit disiplinor drejtohet nga kryetari dhe, në mungesë të tij nga anëtari me moshë më të madhe midis 7 antarëve të zgjedhur nga antarësia e avokatëve të DHASH.

Seancat e procesit disiplinor janë të  hapura, por në raste të veçanta me kërkesë të palëve ose kryesisht, Komiteti Disiplinor mund të vendosë që shqyrtimi të bëhet me dyer të mbyllura. Vendimi për cështjen në shqyrtim mund të merret brenda një seance ose në seancat në vazhdim, nëse ka nevojë për sqarime të cilat kërkojnë dokumentacion shtesë dhe nuk mund të bëhen mbi bazën e dokumentacionit në dispozicion të Komitetit Disiplinor.

Në vendimarje nuk mund të marin pjesë ata anëtarë të Komitetit Disiplinor të cilët paraqesin konflikt interesi në shqyrtimin e çështjes në ngarkim të palëve, dhe që bien ndesh me parimin e konfliktit të interesit, sipas përcaktimeve të nenit 9 të ligjit si dhe nenit 63 të këtij Statuti. Në seancat e procedimit disiplinor merr pjesë pa të drejtë vote edhe një përfaqësues i administratës sipas autorizimit nga ana e Kryetarit të DHASH i cili përgjigjet për ecurinë e zbatimit të vendimeve që ky Komitet merr.

 

 

Neni 95

 

Fillimi i seancës për procedim disiplinor

 

Drejtuesi i seancës përpara se të fillojë procedimi disiplinor, shqyrton kërkesat paraprake që mund të kenë palët. Shqyrtimi i procedimit disiplinor fillon duke parashtruar nga ana e drejtuesit relacionin e mbritur nga Komisioneri i Ankimeve lidhur me  pretendimet e ankuesit dhe sqarimet e dhëna nga avokati.

Pasi mbaron parashtrimi nga ana e relatuesit, i jepet fjala subjektit ankimues për të dhënë sqarime më të hollësishme në lidhje me kërkesën, faktet dhe provat. Më pas jepen sqarime të hollësishme nga ana e avokati subjekt ankimimi (ose avokatit përfaqësues të tij), i cili parashtron lidhur me çështjen. Gjatë relatimit të palëve sipas këtij paragrafi, palëve u lind e drejta të riformulojnë kërkesën përfundimtare.

Çdo anëtar i Komitetit Disiplinor ka të drejtë të drejtojë pyetje palëve dhe të kërkojë sqarime lidhur me çështjen, si dhe të marin dëshmitë e nevojshme nëse palët e kanë kërkuar një gjë të tillë.

Pas përfundimit të dëgjimit të palëve dhe pyetjeve të bëra kryetari i KD deklaron mbylljen e hetimit disiplinor.

 

Neni 96

 

Konkluzionet përfundimtare

 

Pas përfundimit të procedurës së hetimit administrativ si më lart, palët pjesëmarëse në seancën dëgjimore largohen nga salla ku zhvillohet seanca dhe Komiteti Disiplinor vazhdon me dyer të mbyllura diskutimin në lidhje me vlerësimin e fakteve të dala dhe vendimin përfundimtar.

Nëqoftëse gjatë përfundimit të konkluzioneve përfundimtare, antarët e këtij Komitetit Disiplinor kanë nevojë për verifikime shtesë që mund të kërkojnë shtyrje të afatit kohor për sigurimin e provave të reja, ata shtyjnë marrjen e vendimit dhe i drejtohen me shkrim Komisionerit të Ankimeve për të kryer hetime shtesë sipas objektit të kërkuar. Vendimi në një rast të tillë mund të shtyhet gjithnjë duke respektuar afatin ligjor limit prej 3 muaj dhe në raste të vecanta jo më shumë se 6 muaj, të përcaktuara në pikën 6 të nenit 43  të ligjit 55/2018 “Për Profesionin e Avokatit në Republikën e Shqipërisë”.

Në rast të procedurave normale, pas diskutimit për konkluzionet përfundimtare kalohet në votimin për pranimin ose mospranimin e kërkesës për procedim disiplinor si dhe për masën disiplinore që do të merret.

 

 

Mënyra e votimit dhe marja e vendimit

 

Neni 97

 

Vendimi ndaj kërkesës ankimore në një proces disiplinor bëhet nëpërmjet votimit të hapur dhe merret me shumicën e thjeshtë të votave të anëtarëve të pranishëm në mbledhje. Në rast se votat ndahen në mënyrë të barabartë, ankimi ndaj avokatit për procedim disiplinor konsiderohet i rëzuar. Ne procesin e votimit per vendimarjen antarët e Komitetit Disiplinor nuk kanë të drejtë të abstenojnë.

Në rastin kur procedimi disiplinor zhvillohet ndaj ndonjë prej anëtarëve të këtij Komiteti Disiplinor, avokati objekt ankimi nuk mund të marrë pjesë në seancë në ushtrim të funksionit, por vetëm si subjekt i ankimuar në këtë procedim disiplinor. Vendimarrja në një rast të tillë do të bëhet me votim të fshehtë (avokati nuk mer pjesë në votim dhe as nuk mund të jetë prezent në sallë) dhe rezultati i votimit do të vlerësohet njëlloj si në paragrafin e parë të këtij neni.

Në çdo rast vendimet e Komitetit Disiplinor janë të vlefshme për vendime që lidhen më procedimin disiplinor të avokatëve, ndërsa në asnjë rast dhe për asnjë arsye nuk mund të meret vendim procedimi kundrejt subjektit ankimues, edhe sikur këto masa të jenë pa pasoja materiale apo financiare.

(Ky paragraf ka parasysh rastin kur subjekti ankimues është një avokat tjetër dhe verifikohen raste që mund ta rëndojnë pozitën e tij). 

 

Neni 98

 

Vendimi i marë nga Komiteti Disiplinor shpallet në seancën e shqyrtimit disiplinor vetëm në formë dispozitivi dhe më pas brenda 5 ditëve zbardhet në formë përfundimtare. Vendimi përpilohet në tre kopje, nga një për secilën palë dhe një kopje i bashkangjitet fashikullit të çështjes.

Kundër këtij vendimi, në të gjitha rastet e parashikuara në ligj, palët kanë të drejtë të bëjnë ankim në gjykatën kompetente për zgjidhjen e mosmarëveshjeve administrative, brenda afateve dhe mënyrës së përcaktuar në nenin 50, e drejta e ankimit, të ligjit nr. 55/2018 “Për Profesionin e Avokatit në Republikën e Shqipërisë”.

Vendimi i Komitetit Disiplinor për të cilin nuk është ushtruar ankim sipas kërkesave të nenit 50 të ligjit, ose pasi vendimi merr formë të prerë pas ankimit në gjykatën kompetente përbën titull ekzekutiv.

 

 

Neni 99

 

Një kopje e vendimit të gjykatës që e kthen vendimin e Komitetit Disiplinor në titull ekzekutiv në ngarkim të avokatit i dërgohet DHASH.

Ekzekutimi i vendimit të përcaktuar si më lart, bëhet sipas procedurave të përcaktuara në Kodin e Procedurës Civile, pjesa e katërt “Ekzekutimi i detyrueshëm”, neni 510 e në vijim.

Në rast mosekzekutimi te masës së dënimit sa më sipër, Komiteti Drejtues i DHASH i propozon Komitetit Disiplinor marrjen e masës disiplinore “pezullim të lejes së ushtrimit të profesionit” për  avokatin deri në përmbushjen e plotë të vendimit të marë.

Ekzekutimi i titullit ekzekutiv të përcaktuar si më lart zbatohet nga ana e stafit administrativ të DHASH, duke zbatuar procedurat e pezullimit të shërbimeve të ofruara ndaj tij, deri në momentin që titulli egzekutiv konsiderohet i përmbushur plotësisht.

 

Neni 100

 

Komiteti Disiplinor nuk mund të marrë në shqyrtim dhe, në rast se nga ana e Komisionerit të ankimeve është pranuar kërkesa ankimore duhet të pezullohet në mënyrë të menjëhershme, në këto raste:

-         Kur për çështjen objekt shqyrtimi procedimi disiplinor është duke u kryer një proces gjyqësor penal ose civil. Në një rast të tillë, vendimi gjyqësor i cili ka marrë formë të prerë duhet të pranohet pa kundërshtim nga Komiteti Disiplinor.

-         Kur objekti i paraqitur nga ana e subjektit ankimues përbën vepër penale, sipas dispozitave të Kodit Penal në Republikën e Shqipërisë. Denoncimin pranë organeve kompetente në një rast të tillë mund ta bëjë vetëm subjeki ankimues.

-         Kur kërkesa ankimore ka për autor subjektin i cili është palë kundërshtare në procesin gjyqësor.

-         Kur procesi disiplinor devijon nga objekti i kërkesës ankimore të depozituar apo mosmarëveshja midis palëve nuk ka karakter administrativ.

-         Kur verifikimi i çështjes së paraqitur për ankim kërkon ekspertizë të posaçme dhe që mund të realizohet vetëm nga organe të specializuara.

 

Masat  disiplinore

 

Neni 101

 

Masat disiplinore ndaj avokatit meren nga Komiteti Disiplinor në raport me natyrën dhe rëndësinë e shkeljes, shkallën e fajësisë, pasojat e shkaktuara dhe mundësia e rekuperimit të tyre, qëndrimit të avokatit ndaj çështjes, si dhe faktit se ndaj avokatit subjekt i procedimit disiplinor është dhënë nje masë e mëparshme nga ana e këtij Komiteti.

Në rastin e marrjes së vendimit nga ana e Komitetit Disiplinor që lidhet me rikthimin e pagesës së përfituar në përputhje me pjesën e shërbimit të parealizuar ndaj klientit, parashikuar nga neni 45, pika 2, gërma “b” dhe pika pika 3, gërma “b” të tij, aplikohet e njëjta procedurë vlerësimi në lidhje me rikthimin e pagesës sikurse është përcaktuar në nenin 65 dhe 66 të këtij Statuti.

 

Neni 102

Klasifikimi i veprave penale për heqjen apo pezullimin e titullit

 

Në zbatim të pikës 1, gërma “ç”, paragrafi “ii” dhe “iii” të nenit 46 të ligjit për avokatinë, avokatit duhet ti hiqet titulli apo pezullohet leja e ushtrimit të profesionit  për rastet si më poshtë:

  1. Për të gjitha veprat penale që parashikohen në pikën 1, gërma “ç” paragrafi “i” të ligjit, me përjashtim të atyre veprave të kryera me pakujdesi dhe që nuk janë rehabilituar, të cilat klasifikohen si kundërvajtje administrative dhe :

-          Ndaj tyre janë dhënë vendime alternative të dënimit me burgim sipas parashikimeve të nenit 58, 59, 59/a, 60 dhe 60/a të Kodit Penal, me përjashtim të personave të cilët shkelin kushtet dhe detyrimet gjatë kohës së provës, parashikuar nga neni 62 i K.P.

-         Vendimi i dhënë ndaj personit përcakton një dënim me burgim jo më shumë se 15 muaj.

  1. Rrethi i veprave penale të kryera me dashje, të cilat edhe pse janë rehabilituar cenojnë figurën dhe integritetin e avokatit, si më poshtë :

-          Veprat penale të parashikuara nga Kreu II, seksioni VI i Kodit Penal, Krime Seksuale, veçanërisht ato të përcaktuara në nenin 100, 101, 103, 104, 106, 107/a dhe 108 të këtij Kodi;

-         Veprat e parashikuara nga neni 128/b i Kodit Penal, trafikimi i të miturve;

-         Veprat e parashikuara nga kreu i VII i Kodit Penal, Vepra me Qëllime Terroriste, veçanërisht nenet 230, 230/a, 230/b, 231, 234/a,234/b dhe 287.

 

 

 

Neni 103

Pezullimi i lejes së ushtrimit të profesionit

 

Në referim të nenit 46, pika 2 të ligjit, pezullimi i lejes së ushtrimit të profesionit të avokatit për rastet e përcaktuara në të, realizohet kur:

  1. Në rastin e fillimit të një procedimi penal, masa dhe afati i pezullimit të lejes së ushtrimit të profesionit do të merret momenti kur gjykata është shprehur për masën e sigurimit dhe ka filluar shqyrtimin në themel të cështjes penale në ngarkim të avokatit.
  2. Në rastin e mospagesës së kontributit financiar të përcaktuar nga ana e Këshillit të Përgjithshëm të DHASH, pezullimi i lejes zgjat deri në shlyerjen e plotë të detyrimit të papaguar. Në një rast të tillë Komiteti Disiplinor mund të vendosë edhe gjobë ndaj avokatit sipas përcaktimeve të nenit 45/2/a të ligjit.
  3. Pezullimi për shkak të sëmundjeve mendore ose fizike bëhet në rastin kur ndaj avokatit është lëshuar një raport mjekësor nga organi i autorizuar me ligj për këtë qëllim. Afati i pezullimit në një rast të tillë është në varësi të periudhës që zgjat sëmundja.
  4. Pezullimi për shkak falimenti bëhet në përputhje me legjislacionin civil në fushën e falimentimit të subjeteve tregtare dhe sipas vendimit gjyqësor për këtë qëllim. Afati i pezullimit kushtëzohet nga periudha e zgjatjes së falimentit.

 

Vendimi për pezullimin merret nga Komiteti Disiplinor dhe iniciohet nga subjektet që parashikon neni 40 i ligjit nr. 55/2018. Kur gjendja e pezullimit për shkaqet e parashikuara në pikat 3 dhe 4 të këtij neni, kalon përtej afateve të përcaktuara në nenin 46, pika 2 e ligjit, Komiteti Disiplinor mund të disponojë me rifillimin e këtyre afateve deri në rehabilitimin përfundimtar të tyre.

Në çdo rast vendimi për pezullim të lejes së ushtrimit të profesionit u dërgohet organeve gjyqësore dhe proceduese ku avokati i pezulluar ka juridiksionin e ushtrimit të profesionit.

 

Neni 104

Marrja e masave shtesë

 

Komiteti në procesin disiplinor, përveç marrjen e masave administrative ndaj një avokati në shkelje të dispozitave ligjore, kërkon nga ky i fundit edhe marrjen e masave të menjëhershme për regullimin e situatës të rënduar për shkak të tij. Për këtë qëllim KD urdhëron avokatin nëpërmjet një akti administrativ të veçantë, ose në dispozitivin e vendimit të marrë të sigurojë klientin në lidhje me lehtësimin e dëmit që i ka shkaktuar.

Në një rast të tillë avokati mund të urdhërohet të bëjë një akt marëveshje me palën e dëmtuar, ku të përcaktohet mënyra dhe afatet e përmirësimit të situatës.

Realizimi i kësaj marëveshje mund të monitorohet nga ana e administratës të DHASH

 

 

Neni 105

Regjistrimi dhe shuarja e masave disiplinore

 

Masa disiplinore të mara në ngarkim të avokatit nga ana e Komitetit Disiplinor regjistrohen në dosjen personale të këtij të fundit si dhe ne regjistrin e masave disiplinore, dhe pasqyrohen në dokumentacionin përkatës që mund të kërkohet prej tij.

Shuarja e masës disiplinore nga regjistri personal bëhet sipas përcaktimeve të nenit 49 të ligjit, me përjashtim të rasteve kur bazë të një vendimi gjyqësor të formës së prerë është përcaktuar ndryshe.

Në rastin kur ndaj një avokati është marrë një masë disiplinore merret një masë e re disiplinore, afatet e shuarjes së masës disiplinore fillojnë nga momenti i marrjes së masës së re. Nëqoftëse afati i shuarjes së masës së re disiplinore është më i vogël se afati masës së mëparshme, atëhere afatet e shuarjes së masës mbeten ato të masës së mëparshme.

 

 

 

KREU IX

EDUKIMI PROFESIONAL I AVOKATIT

 

 

Neni 106

Autoriteti përgjegjës për edukimin profesional

 

Autoriteti përgjegjës për hartimin dhe zhvillimin e strategjisë së edukimit profesional të avokatit është Dhoma e Avokatisë e Shqipërisë. Kjo ushtron kompetencat për këtë qëllim nëpërmjet organizmave ligjore të krijuara nga ligji për avokatinë. Në funksion të këtij qëllimi madhor, ligji ka përcaktuar krijimin, organizimin dhe funksionimin e Shkollës së Avokatisë dhe Komitetin Shkencor të saj, nëpërmjet të cilave realizohen objektivat ligjore të përcaktuar në nenin 52 të ligjit nr. 55/2018.

Sistemi i edukimit profesional në Republikën e Shqipërisë zhvillohet në dy drejtime kryesore që janë:

-         Trajnimi fillestar, i cili është kusht i domosdoshëm për pjesëmarrje në provimin e avokatisë dhe fitimin e titullit “Avokat”, sipas kërkesave të nenit 13 të ligjit;

-         Trajnimi vazhdues, të cilit i nënshtrohen të gjithë avokatët në ushtrim të profesionit të avokatit dhe është kusht i domosdoshëm për ushtrimin e profesionit të avokatit, sipas nenit 14 të ligjit.

 

 

Neni 107

 

Krijimi, Statusi dhe Baza ligjore e Shkollës së Avokatisë

 

Shkolla e Avokatisë është organ i Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë dhe ushtron veprimtarinë e saj bazuar ligjit nr. 55/2018 “Për profesionin e avokatit në Republikën e Shqipërisë”, dispozitave të këtij Statuti si dhe Regullores së Funksionimit të Brendshëm të saj, miratuar nga ana e Këshillit të Përgjithshëm të DHASH.

Ajo gëzon autonomi akademike, mësimdhënëse dhe të formimit profesional, ndërkohë që personaliteti juridik i saj fitohet nëpërmjet Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë. Ajo merr vendime dhe krijon akte administrative me vulën dhe simbolet e Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë.

 

 

 

Neni 108

 

Qëllimi dhe Objekti i veprimtarisë

 

Shkolla e Avokatisë ka qëllim të vet sigurimin e trajnimit profesional të avokatëve, nëpërmjet hartimit dhe zbatimit të programeve të trajnimit fillestar për asistent avokatët dhe të trajnimit vazhdues për avokatët që ushtrojnë profesionin.

Shkolla e Avokatisë, bazuar në marëveshje reciproke dhe në vartësi të kapaciteteve të saj, mund të organizojë veprimtari të formimit profesional edhe për profesione të tjera juridike që lidhen me sistemin e drejtësisë në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Objekti i saj është hartimi dhe promovimi i programeve mësimore dhe kërkimeve në fushën e trajnimit dhe të zhvillimit profesional të avokatëve; organizimi dhe drejtimi i funksionalitetit dhe didaktikës të mësimdhënies për trajnimin profesional; bashkërendimi i mësimdhënies, kërkimit shkencor dhe zhvillimit institucional në fushën e avokatisë e më gjerë.

Në përfundim të programit akademik vjetor pjesëmarrësit në edukimin profesional pajisen me vërtetimin përkatës, ku vërtetohet se avokati apo kandidati për avokat ka kryer ciklin e plotë të frekuentimit të trajnimit profesional.

 

Neni 109

 

Organizimi dhe funksionimi i Shkollës së Avokatisë

 

Shkolla e Avokatisë funksionon si vit akademik. Ajo fillon të Hënën e tretë të muajit Tetor dhe përfundon në datën 10 të muajit Korrik të vitit pasardhës.

Regjistrimi i kandidatëve për frekuentimin e Shkollës do të bëhet pranë administratës së DHASH, sipas procedurave që ndiqen për regjistrimin si asistent avokat, bazuar në rregulloren përkatëse.

Numuri i kandidatëve që do të fitojnë të drejtën për ndjekjen e studimeve dhe programit të trajnimit profesional është pa kufizim. Në raste të veçanta, Komiteti Shkencor mund të vendosë kufizime në raport me numurin e kandidatëve të regjistruar dhe kapaciteteve mësimdhënëse të Shkollës.

Ndjekja e programeve të studimit për trajnimin profesional bëhet kundrejt pagesës. Shuma e detyrimit për pagesën përcaktohet në raporte të shprehura në përqindje ndaj shpenzimeve që duhet të përballohen nga të ardhurat e DHASH. Organi kompetent për përcaktimin e kësaj përqindje është Komiteti Drejtues i DHASH. 

Shkolla e Avokatisë mund të pranojë financime dhe donacione edhe nga institucione ndërkombëtare dhe kombëtare, të cilat do të depozitohen në llogaritë bankare të DHASH, për llogari të SHA.

Neni 110

 

Organet drejtuese të Shkollës së Avokatisë

 

Në funksion të përmbushjes së misionit të SHKA nga pikpamja akademike, mësimdhënëse dhe të formimit profesional  krijohen organet drejtuese të saj që janë:

·         Komiteti Shkencor i Shkollës së Avokatisë;

·         Drejtori Egzekutiv.

 

Neni 111

 

Statusi dhe Përbërja e Komitetit Shkencor

 

Komiteti Shkencor është organi më i lartë i Shkollës së Avokatisë. Ai përbëhet nga 5 anëtarë. Kryetari i DHASH është antar ex officio dhe njëkohësisht kryetar i këtij Komiteti. Po kështu për shkak të detyrës, antar i këtij Komiteti është edhe drejtori egzekutiv i Shkollës së Avokatisë, ndërkohë që 3 të tjerët zgjidhen me votim të fshehtë nga ana e Komitetit Drejtues të DHASH, nëpërmjet një procesi konkurimi të kandidatëve nga radhët e avokatisë dhe qarqeve akademike që janë pjesë e avokatisë

Komiteti Drejtues i DHASH është përgjegjës për përcaktimin e kritereve për zgjedhjen e antarëve të Komitetit Shkencor, për formën dhe mënyrën e organizimit të konkurimit dhe vlerësimin e kandidaturave për anëtarë të Komitetit Shkencor.

Kriteret mbi të cilat do të bazohet procesi i kandidimit dhe i vlerësimit të kandidaturave për Komitetin Shkencor të SHA duhet të kenë për bazë :

·         Vjetërsia në ushtrimin e profesionit të avokatit dhe në fushën e jurisprudencës;

·         Zotërimi i titujve akademikë në fushën e jurisprudencës;

·         Eksperienca në mësimdhënie në arsimin e lartë në fakultetin e drejtësisë  në Republikën e Shqipërisë, si dhe në universitetet jashtë vëndit;

·         Botime në formën e artikujve shkencorë origjinalë ose review (analiza shkencore) të fushës;

·         Qënia titullar i një lënde apo moduli në disa vite akademike në fakultetet juridike, si dhe përgatitja e materialeve mësimore në formë leksionesh ose ushtrimesh;

·         Jo më pak se tre anëtarë të këtij Komiteti duhet të gëzojnë titullin Profesor ose Profesor i Asocuar në fushën e jurisprudencës.

 

Neni 112

 

Mandati i anëtarëve të Komitetit Shkencor

 

Mandati i anëtarëve të Komitetit Shkencor është 4 vjet me të drejtë rizgjedhje edhe për një mandat të dytë. Ndërprerja e mandatit të anëtarit bëhet në rastet e mëposhtme:

·         Jep dorëheqjen;

·         Deklarohet i paaftë për të vepruar me një vendim të formës së prerë;

·         Dënohet me vendim të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale;

·         Ngarkohet me funksione publike të cilat ligji i përjashton shprehimisht për pjesëmarjen në veprimtari akademike dhe mësimdhënie;

·         Mer masë disiplinore nga Komiteti Disiplinor i DHASH, sipas nenit 46 të ligjit nr 55/2018, “Për profesionin e avokatit në Republikën e Shqipërisë”;

·         Përjashtohet për shkak të shkeljes së dispozitave të këtij statuti dhe të legjislacionit përkatës, si dhe në rast mosangazhimi në realizimin e programeve studimore të SHA.

·         Në rast vdekje.

Në rast të konstatimit të një prej rasteve të mësipërme, Komiteti Drejtues i DHASH bën pezullimin e mandatit të anëtarit të zgjedhur dhe brënda një kohe të përshtatshme fillon procedurat e zëvendësimit, sipas kritereve të përcaktuara në nenin 111 të këtij statuti. Në rastin e përjashtimit, propozimi bëhet nga Kryetari i Komitetit Shkencor ose nga 2 antarë të këtij Komiteti.

 

 

Neni 113

 

Detyrat e Komitetit Shkencor

 

Komiteti Shkencor i Shkollës së Avokatisë ka këto detyra :

 

-          Emëron Drejtorin Ekzekutiv të Shkollës së Avokatisë me propozim të Kryetarit, nga lista e kandidaturave të paraqitura për këtë qëllim;

-          Zgjedh nga radhët e veta me votim të fshehtë zv.kryetarin e Komitetit Shkencor;

-          Përcakton strukturën organizative të SHA dhe ja paraqet atë për miratim Komitetit Drejtues të DHASH;

-          Cakton kriteret për pranimin e kandidatëve për regjistrimin dhe vazhdimin e studimeve pranë shkollës, duke përcaktuar për çdo vit mësimor një numur të caktuar pjesëmarës në këto studime;

-          Harton planin strategjik afatshkurtër dhe afatgjatë të programeve teorike dhe praktike, lidhur me trajnimin professional fillestar dhe vazhdues;

-          Emëron stafin për dhënie leksionesh sipas programeve dhe temave të miratuara  dhe, me propozim të drejtorit ekzekutiv, largon ata nga kjo detyrë. Kriteret e përzgjedhjes të stafit të lektorëve regullohen me vendim të Komitetit Shkencor;

-          Përcakton me propozimin e drejtorit ekzekutiv planin mësimor, si dhe regullon raportet midis lëndëve për përgatitjen e përbashkët dhe të veçantë, në lidhje me trajnimin fillestar dhe atë vazhdues;

-          Harton Regulloren e veprimtarisë së shkollës dhe ja paraqet atë për miratim Këshillit të Përgjithshëm të DHASH;

-          Raporton në mënyrë periodike para organeve drejtuese të DHASH në lidhje me hartimin dhe zbatimin e programit të mësimdhënies, pjesëmarjen dhe rezultatet konkrete;

-          Paraqet për miratim organeve drejtuese të DHASH project buxhetin financiar per vitin akademik.

 

Neni 114

 

Quorumi dhe vendimarrja e Komitetit Shkencor

 

Komiteti Shkencor mblidhet si regull, jo më pak se një herë në dy muaj. Mbledhja është e vlefshme kur në të marin pjesë jo më pak se gjysma plus një e anëtarëve të tij. Vendimet meren me shumicën e thjeshtë të anëtarëve të pranishëm.Votimi bëhet i hapur.

Vendimet në lidhje me zgjedhjen e zv/kryetarit, Drejtorit Ekzekutiv si dhe përjashtimi i personelit mësimdhënës sipas paragrafit 2 dhe 5 të nenit 113 të këtij statuti, meren me votim të fshehtë me shumicën e anëtarëve të zgjedhur të Komitetit Shkencor.

Antarët e Komitetit Shkencor gjatë procesit të votimit të hapur nuk mund të abstenojnë. Në rast barazim të votave, kur mungon një antar në vendimmarje, për shkak të konfliktit të interesit sipas ligjit përkatës, vota e kryetarit është përcaktuese.

 

 

Neni 115

 

Kryetari i Komitetit Shkencor

 

Kryetari i Komitetit Shkencor të Shkollës së Avokatisë është Kryetari i DHASH. Ai thërret dhe drejton mbledhjet e Komitetit Shkencor, cakton rendin e ditës si dhe përcakton regullat e diskutimeve.

Në mungesë të tij kompetencat i mer zv/kryetari.

Kryetari mund të delegojë kompetencat tek antarët e tjerë të këtij këshilli.

Mandati i kryetarit të Komitetit Shkencor përfundon kur përfundon mandati i kryetarit të DHASH. Kryetari I ri I zgjedhur në një rast të tillë caktohet automatikisht kryetar I Komitetit Shkencor të SHA.

 

Neni 116

Drejtori Ekzekutiv i Shkollës së Avokatisë

 

Drejtori ekzekutiv zgjidhet nga Komiteti Shkencor me procedurë konkurimi. Ai duhet të

jetë person me integritet të lartë moral dhe profesional, me eksperiencë në mësimdhënie dhe të ketë minimum titullin shkencor doktor i shkencave. Ai zgjidhet nga Komiteti Shkencor pas procesit të konkurimit me jo më pak se dy kandidatura.

Emërimi i tij bëhet për një periudhë 4 vjeçare, me të drejtë rizgjedhje. Drejtori ekzekutiv  përveç rasteve të parashikuara në nenin 29 të këtij statuti, mund të shkarkohet nga Komiteti Shkencor edhe për akte dhe sjellje që cenojnë rëndë figurën e tij morale, ose kur provohet se aktiviteti i tij organizativ në veprimtarinë akademike nuk është në lartësinë e kërkuar për realizimin e detyrave të përcaktuara në strategjinë e shkollës, si dhe në  raste të tjera të përcaktuara në aktet që regullojnë veprimtarinë e shkollës.

Drejtori mund të shkarkohet sipas të njëjtave procedura që ndiqen për emërimin e tij, me propozim të kryetarit ose me shumicën e zgjedhur të anëtarëve të Komitetit Shkencor.

 

Neni 117

 

Detyrat e Drejtorit Egzekutiv të Shkollës së Avokatisë

 

Drejtori ekzekutiv ka këto detyra:

·         Harton projekt regulloren e trajnimit të kandidatëve dhe ja paraqet atë për miratim Komitetit Shkencor;

·         Harton projekt programin vjetor të  veprimtarisë sipas moduleve përkatëse të ndara në orë mësimore teorike dhe praktike;

·         Drejton stafin e lektorëve, bashkërendon punën me ta dhe kërkon prej tyre në mënyrë të detajuar programet mësimore të çdo lënde;

·         Kontrollon zbatimin dhe cilësinë e mësimdhënies, si dhe realizimin e programit në tërësi dhe për çdo lëndë në veçanti;

·         Përcakton nevojat e shkollës për pedagogë në raport me realizimin e planit strategjik të mësimdhënies dhe formimit profesional të miratuar nga Komiteti Shkencor;

·         I propozon Komitetit Shkencor  masat disiplinore ndaj lektorëve;

·         Harton projekt buxhetin financiar për vitin akademik dhe nevojat për personel administrative dhe ja paraqet atë Komitetit Shkencor për miratim.

 

Trajnimi Fillestar

 

Neni 118

 

Trajnimi fillestar organizohet pranë Shkollës së Avokatisë me program akademik një vjeçar, mbi bazën e programeve të hartuara dhe miratuara nga Këshilli Shkencor i Shkollës së Avokatisë. Regjistrimi dhe pjesëmarrja e e kandidatëve për trajnimin fillestar është i lirë dhe bëhet mbi bazën e kushteve ligjore të parashikuar në nenin 20 të ligjit.

Vlerësimi i kandidatëve në fund të programit të trajnimit fillestar bëhet mbi bazën e frekuentimit dhe krediteve të fituara për këtë qëllim, sipas përcaktimeve të bëra nga ana e Komitetit Shkencor të Shkollës së Avokatisë.

 

 

Neni 119

 

Trajnimi vazhdues

 

Trajnimi vazhdues është pjesë e programit të edukimit profesional të avokatëve në ushtrim të profesionit të tyre. Ai synon përditësimin e avokatëve me njohuri specifike profesionale teorike dhe të aplikimit të praktikave gjyqësore brenda dhe jashtë vendit. Edukimi profesional vazhdues ka për qëllim krijimin e mundësisë për avokatët të pajisen me njohuri specifike në fushat e të drejtës. Në fushën penale, trajnimi vazhdues ka rëndësi të veçantë dhe që synon edukimin në lidhje veprat penale që trajtojnë kategori të veçanta të legjislacionit penal, sikurse janë dhuna në familje, abuzimi seksual dhe trafikimi i qenieve njerëzore, trajtimi i drejtësisë penale për të mitur, etj, për të cilat legjislacioni procedurial, përveç të tjerave kërkon edhe pajisjen me dëshmi të përvetësimit të njohurive në këto fusha. Pjesëmarrja në trajnimin vazhdues për rastet e mësipërme bëhet mbi bazën e përzgjedhjes nga ana e organeve drejtuese të Shkollës së Avokatisë, kryesisht mbi respektimin e kritereve që vendosen nga ana e tyre.

Edhe trajnimi vazhdues është objekt i veprimtarisë së Shkollës së Avokatisë. Komiteti Shkencor i SHA çdo fillim viti kalendarik harton programin vjetor të trajnimit vazhdues, të ndarë në tema dhe module të veçanta, si dhe kalendarin vjetor të zbatimit të këtij programi.

Kalendari parashikon zhvillimin e trajnimit vazhdues mbi bazën e ndarjes teritoriale, sipas dhomave vendore të avokatisë.

Metodologjia e hartimit të programeve dhe mënyra e zbatimit të saj në praktikë, pasqyrohen në Regulloren e Funksionimit të Brendshëm të Shkollës së Avokatisë.

 

 

Dispozita të tjera

 

Neni 120

 

Metodologjia e hartimit të programeve dhe mënyra e zbatimit në praktikë, si dhe regulla më të hollësishme në lidhje me pjesëmarjen dhe zhvillimin e programeve të trajnimit profesional, përcaktohen në Regulloren e Funksionimit të Brendshëm të Shkollës së Avokatisë. Regullorja e Funksionimit të Brendshëm hartohet nga ana e Komitetit Shkencor dhe miratohet nga ana e Këshillit të Përgjithshëm të DHASH. Ky dokument bëhet periodikisht në mënyrë të përvitshme dhe azhornohet me eksperiencat e reja gjatë vitit ushtrimor.

Në Regulloren e Funksionimit të Brendshëm  pasqyrohen edhe kriteret e vendosura nga ana e Komitetit Shkencor, në lidhje me përjashtimin ligjor të detyrimit për pjesëmarrje në trajnimin vazhdues të kategorive të veçanta të avokatëve, sipas përcaktimeve të nenit 54, pika 6 të ligjit nr. 55/2018 “Për Profesionin e Avokatit në Republikën e Shqipërisë”.

 

 

 

KREU X

PASURITE DHE BUXHETI I DHOMES TE AVOKATISE TË SHQIPËRISË

 

 

Neni 121

Pasuritë e Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë

 

Doma e Avokatisë e Shqipërisë ka në pronësi të saj pasuri te lujtshme dhe të palujtshme te cilat administrohen dhe regjistrohen në pronësi të saj sipas legjislacionit në fuqi.

Titulli i pasurisë që ajo ka në pronësi regjistrohet në emër te Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë. Dhoma e Avokatisë mund të transferojë në përgjegjësi administrimi ambiente të veçanta në pronësi të saj, për llogari të dhomave vendore të avokatisë. Njëkohësisht ajo mund të përfitojë në përgjegjësi administrimi pasuri të palujtshme për qëllime të mirëpërcaktuara.

Shitja apo transferimi i pasurisë së palujtshme të DHASH bëhet me vendim të Këshillit të Përgjithshëm të saj dhe për qëllime të justifikuara.

 

 

Neni 122

Buxheti

 

Këshilli i Përgjithshëm përcakton dhe miraton buxhetin vjetor të Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë. Buxheti i Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë perbehet nga të ardhurat dhe shpenzimet.

Të ardhurat e buxhetit të Dhomës sigurohen nga:

  1. Kontributi i antarësisë, i cili paguhet çdo vit dhe në mënyrë individuale nga çdo avokat në momentin e pajisjes me lejen vjetore të ushtrimit të profesionit.
  2. Tarifa e fitimit të titullit avokat, e cila paguhet vetëm një herë dhe në momentin e pajisjes së avokatit me certifikatën e fitimit të tiullit.
  3. Tarifa e regjistrimit për asistent avokat, e cila paguhet vetëm një herë dhe në momentin e aplikimit për këtë qëllim;
  4. Tarifa e regjistrimit dhe frekuentimit për trajnimin fillestar të kandidatëve për avokat pranë Shkollës së Avokatisë. Edhe kjo paguhet vetëm një herë dhe gjatë periudhës së frekuentimit të Shkollës.
  5. Tarifa e regjistrimit në provimin e avokatisë. Kjo është një tarifë që paguhet në momentin e regjistrimit për provim dhe është e pakthyeshme në rastin kur rezulton jo fitues.
  6. Të ardhura të tjera të siguruara nga donacione apo grante të brendëshme ose të jashtme.

Shpenzimet e Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë janë të shumllojshme dhe lidhen me llojet e veprimtarisë së ushtruar nga ana e saj, në funksion të realizimit të objektivave të caktuara nga ligji, Statuti dhe Këshilli i Përgjithshëm.

 

 

Neni 123.

Tarifat dhe miratimi i tyre

 

Këshilli i Përgjithshëm i DHASH është autoriteti i vetëm i cili vendos për nivelin e tarifave dhe kontributit që duhet të paguajë avokati, sipas përcaktimeve të nenit 122 të këtij Statuti.

Niveli i tarifave varet nga kushtet ekonomike e shoqërore të vendit si dhe nga niveli i të ardhurave mesatare të realizuara nga ana e avokatëve. Këshilli i Përgjithshëm ka kompetencë të vendosë tarifa të diferencuara për kategori të caktuara avokatësh, sipas kritereve të miratuara nga ky i fundit për këtë qëllim.

Njëkohësisht, Këshilli i Përgjithshëm mund të vendosë përjashtimin nga tarifa të veçanta dhe për persona të veçantë dhe që lidhen me kushtet e tij shumë të vështira ekonomike, shëndetësore dhe familjare. Vendimi për raste të kësaj natyre merren rast pas rasti dhe me propozim të kryetarit të DHASH. Kontributi i avokatit duhet të paguhet në momentin e pajisjes me lejen vjetore të ushtrimit të avokatit por në çdo rast jo më vonë se data 31 Mars e vitit në vazhdim.

 

Neni 124

Përgatitja, miratimi dhe administrimi i buxhetit

 

Administrimi i buxhetit të Dhomës së Avokatisë bëhet nga Komiteti Drejtues i saj. Dhoma e Avokatisë e Shqipërisë është autoriteti i vetëm i depozitimit dhe përdorimit të fondeve. Mjetet monetare të grumbulluara depozitohen pranë një ose disa bankave të nivelit të dytë në Republikën e Shqipërisë dhe përdoren vetëm me destinacion të përcaktuar dhe me firmën e Kryetarit të DHASH. Për këtë qëllim ky i fundit kryen të gjitha veprimet e depozitimit dhe njohjes së firmës pranë këtyre institucioneve bankare.

Dhomat vendore të avokatisë nuk ka në të drejtë të celin llogari bankare pranë bankave të nivelit të dytë në Republikën e Shqipërisë. Përdorimi i fondeve nga ana e tyre në raste të zbatimit të buxhetit, mund të behet vetëm nëpërmjet Kryetarit të DHASH.

Komiteti Drejtues i Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë, çdo periudhë fillim viti, përgatit llogaritë vjetore të administrimit të buxhetit dhe e paraqet atë për miratim Këshillit të Përgjithshëm të DHASH.

Njëkohësisht, çdo periudhë fundviti, Ai përgatit projekt buxhetin vjetor te vitit pasardhës dhe ja paraqet atë për miratim brenda datës 31 Dhjetor të vitit në vazhdim Këshillit të Përgjithshëm. Ky i fundit, pasi e gjen atë në përputhje me standardet ndërkombëtare të raportimit dhe me mënyrën e përdorimit të tij, miraton buxhetin për periudhat raportuese.

 

 

Neni 125

Auditimi dhe miratimi i pasqyrave financiare

 

Auditimi i llogarive vjetore të buxhetit bëhet nëpërmjet miratimit të bilancit kontabël për periudhën ushtrimore. Ky hartohet nga ana e financës së subjektit dhe auditohet nëpërmjet një eksperti kontabël të autorizuar nga lista e IEKA dhe i regjistruar pranë Ministrisë së Financave për këtë qëllim.

Eksperti Kontabël i Autorizuar caktohet në mbledhjen radhës ku bëhet edhe miratimi i projekt buxhetit.

Eksperti kontabel i autorizuar paraqet raportin perkatës përpara Këshillit të Përgjithshëm jo më vonë se 31 Marsi i viti pasardhes.

 

 

 

KREU XI

STAFI ADMINISTRATIV I DHASH

 

 

Neni 126

Funksionimi i brendshëm

 

Dhoma e Avokatisë e Shqipërisë ka stafin e vet administrativ, i cili ka detyrë kryesore marrjen e masave organizative për sigurimin e kushteve të favorshme të antarësisë së avokatëve ne lidhje me ushtrimin e të drejtave dhe detyrave që atyre u jep ligji, plotësimin e deyrimeve administrative ligjore dhe statutore që nuk lidhen me vendimarrjen, përgatitjen e të dhënave dhe statistikave në lidhje me raportimet periodike dhe të veçanta të drejtuesve të DHASH përpara organeve drejtuese të saj, zbatimin e vendimeve dhe të akteve të marra nga ana e këtyre organeve si dhe çdo veprim administrativ që lind gjatë veprimtarisë së përditshme të Dhomës.

Struktura dhe organika e stafit administrativ përcaktohet me vendim të Këshillit të Përgjithshëm, me propozim të kryetarit të DHASH.

Mënyra e organizimit dhe funksionimi i stafit administrativ përcaktohet më hollësisht në Regulloren e Funksionimit të Brendshëm Administrativ, e cila miratohet nga Komiteti Drejtues i DHASH.

 

 

Neni 127

Statusi i punonjësve administrativë

 

Punonjësit e stafit administrativ krijojnë mardhëniet e punësimit bazuar ligjit 7961/1995 “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”. Kryetari i DHASH është përgjegjës për lidhjen e kontratës individuale të punës, bazuar legjislacionit në fuqi.

Kryetari, bazuar strukturës dhe organikës së miratuar, përzgjedh punonjësit sipas kritereve që përmban vendi i punës

 

 

Neni 128

Drejtori Administrativ

 

Drejtori Administrativ është punonjësi më i lartë në hierarkinë administrative të Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë. Ai zgjidhet nga ana e Komitetit Drejtues të Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë në mbledhjen e tij të parë, me propozim të kryetarit të Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë. Kandidatura për Drejtor Administrativ duhet domosdoshmërisht të ketë diplomë të arsimit të lartë për drejtësi ose ekonomi. Ai duhet të ketë aftësi të veçanta menaxhuese dhe eksperiencë në drejtimin administrativ.  

Votimi për zgjedhjen e Drejtorit bëhet i hapur dhe fituesi shpallet kur për të votojnë 50 përqind plus një e antarëve të zgjedhur të këtij Komiteti. Mandati i tij është 4 vjeçar dhe është funksion i përhershëm brenda një mandati të Komitetit Drejtues.

Drejtori Administrativ është përgjegjës për funksionimin normal të administratës në zbatim të legjislacionit në fushën e mardhënieve të punës dhe jep llogari përpara kryetarit dhe Komitetit Drejtues sa herë ata e shohin të arsyeshme.

Ai është përgjegjës edhe për mirëfunksionimin nga pikpamja administrative e organeve të ngritura me ligjin për avokatinë dhe që operojnë brenda juridiksionit të Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë.

 

 

KREU XI

DISPOZITA TE FUNDIT

 

 

Dispozita kalimtare

 

Neni 129

Statuti i vjetër i Dhomës Kombëtare të Avokatisë si dhe çdo dispozitë tjetër që bie ne kundërshtim me këtë Statut shuqizohet.

 

Neni 130

 

Organet drejtuese të Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë të zgjedhura sipas ligjit të shfuqizuar, ushtrojnë kompetencat e tyre sipas ligjit të ri deri në përfundim të mandatit. Drejtori Administrativ i dhomës së Avokatisë zgjidhet pas përfundimit të mandatit të Sekretarit të Përgjithshëm.

 

Neni 131

 

Detyrimi ligjor i frekuentimit të trajnimit vazhdues dhe sigurimit të përgjegjësisë profesionale bëhen të detyrueshme për zbatim nga ana e avokatëve në ushtrim të profesionit, në momentin që DHASH krijon kushtet e nevojshme për aplikimin dhe zbatimin e këtyre detyrimeve.

 

 

 

KREU XII

HYRJA NË FUQI

 

Neni 132

 

Ky statut hyn ne fuqi ditën e miratimit te tij nga ana e Këshillit të Përgjithshëm të Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë.

 

U miratua me vendimin nr. ______ date _________ 2019 të Këshillit të Përgjithshëm të Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë.